Ish-prokurori Eugen Beci ka folur sot për përfitimet që ish-ministri Arben Ahmetaj ka marrë nga Klodian Zoto. Beci u shpreh se ka shumë dyshime se prokurorët Eneid Nakuçi dhe Klodian Braho nuk kanë hetuar faturat e hoteleve që Klodian Zoto ka paguar për Arben Ahmetaj.
“Ka dyshime të forta se prokurorët e SPAK nuk kanë hetuar faturat e hoteleve të Ahmetaj”, tha Beci në Top News.
Përsa i përket kallëzimit që gazetari Adriatik Doçi ka bërë në Prokurorinë e Posaçme (SPAK) për dy prokurorët si dhe për ish-ministrin, Beci thotë se, “Prokuroria do të vendos mbi fatin e kallëzimit brenda 15 ditëve”.
Gazetari paraqitui në Prokurorinë e Posaçme Anti-Korrupsion ku depozitoi një kallëzim penal, ndaj dy prokurorëve Klodian Braho dhe Ened Nakuçi si dhe ndaj ish zv.Kryeministrit Arben Ahmetaj.
Kallëzimi ka të bëjë me hetimet për inceneratorin e Elbasanit, ku sipas gazetarit Doçi, dy prokurorët e SPAK kanë fshehur provat dhe kanë devijuar qëllimisht hetimet për të mos çuar përpara drejtësisë zyrtarin e lartë socialist dhe një nga firmëtarët e inceneratorit, Ahmetaj.
Në fashikullin e kallëzimit prej 26 faqesh, Doçi paraqiti prova sesi shtetasi Klodian Zoto, i shpallur në kërkim nga këta dy prokurorë, ka përdorur kartën e tij bankare për të paguar udhëtimet ndaj Arben Ahmetajt dhe bashkëshortes së tij Erjola Hoxhës.
Këto prova janë gjetur në kompjuterin e sekuestruar të Klodian Zotos, ku nëpërmjet emaileve janë evidentuar rezervime hotelesh, kryesisht në suita për Ahmetajn, për të cilat gazetari thotë se janë shpenzuar mijëra euro.