Letra e deputetëve
276 anëtarë të Këshillit Kombëtar të PD, kundër zgjedhjeve të 29 Korrikut. Deputetët: Njoftuam Sekretarin e Përgjithshëm, të ushtrojë kompetencat që i njeh Statuti
Deklarata e plotë e deputetëve Bledion Nallbati dhe Lefter Gështenja
Ne, deputetët, anëtarët e Kryesisë dhe anëtarët e Këshillit Kombëtar të Partisë Demokratike;
Të shqetësuar nga aktet e njëanshme dhe përçarëse të një pjese të vogël të Partisë Demokratike;
Me përgjegjësinë për të ardhmen e demokratëve dhe të Partisë Demokratike;
Me bindjen e plotë se thellimi i përçarjes e dëmton në mënyrë përfundimtare PD dhe se forcimi i partisë është i vetmi objektiv që duhet të na bëjë bashkë të gjithë;
Të ndërgjegjshëm se shumica dërrmuese e anëtarëve të PD janë të lodhur nga konflikti i brendshëm dhe kërkojnë zgjidhje nga përfaqësuesit e tyre, për shkak se përçarja po forcon regjimin e korruptuar të Edi Ramës;
ndërmorëm iniciativën për të kontaktuar individualisht dhe vlerësuar vullnetin e secilit anëtar legjitim të Këshillit Kombëtar, si organi më i lart drejtues i partisë në periudhën mes dy Kuvendeve.
Nga kontakti dhe vlerësimi i vullnetit të anëtarëve të Këshillit Kombëtar sipas listës së anëtarësisë së Këshillit Kombëtar të PD të depozituar dhe regjistruar në Zyrën e Regjistrit të Partive Politike pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Tiranë dhe të konfirmuar zyrtarisht nga organet përgjegjëse statutore, rezultoi se 276 anëtarë të Këshillit Kombëtar nga 453 anëtarë gjithsej në detyrë, një pjesë prej tyre:
– ishin përjashtuar pa vendim nga mbledhja e Këshillit Kombëtar;
– ishin njohur por nuk kishin marrë pjesë në mbledhje; ose
– ishin në mbledhje por nuk e konsideronin atë legjitime, duke mos qenë dakort me “vendimmarrjet pa kuorum”.
Me përgjegjësinë për të mbrojtur interesin e demokratëve dhe Partisë Demokratike, si dhe me shqetësimin se aktet e njëanshme nuk e ndihmojnë PD, anëtarët e Këshillit Kombëtar shprehën vullnetin dhe kërkojnë nga Sekretari i Përgjithshëm i PD që të ushtrojë kompetencat që i njeh Statuti i Partisë Demokratike.
Ditën e premte, më datë 21 Korrik 2023, i kemi dorëzuar zyrtarisht Sekretarit të Përgjtihshëm një relacion të detajuar, sëbashku me kërkesën për të ushtruar kompetencat e tij statutore. Të bindur se aktet përçarëse, përjashtimet, njëanshmëria dhe nxitimi, nuk ndihmon në ringritjen e PD, ne gjejmë rastin të kërkojmë nga Sekretari i Përgjithshëm që të ushtrojë kompetencat që i njeh Statuti dhe të ndërmarrë çdo iniciativë statutore për të frenuar përçarjen e mëtejshme të Partisë Demokratike.
DEPUTETËT DHE ANËTARËT E KËSHILLIT KOMBËTAR:
LEFTER GËSHTENJA
BLEDION NALLBATI
RAMADAN LIKAJ
DASHNOR SULA
XHELAL MZIU
HELIDON BUSHATI
SAIMIR KORRESHI