Kryeministri Edi Rama vazhdon të jetë mbrojtësi më i zellshëm i Aleksandër Vuçiç dhe Serbisë, pavarësisht se shumica në Perëndim mendon ndryshe.
“Serbia nuk po shkon drejt Rusisë. Përkundrazi, në mënyrë të çuditshme, ajo mori anën e Perëndimit duke dënuar agresionin rus në Asamblenë e Përgjithshme të OKB-së. Është një shenjë shumë e mirë që Serbia votoi tre herë kundër Rusisë. Nëse Serbia do të kishte bërë të kundërtën, do të ishte një goditje e rëndë për bashkëpunimin tonë”, tha Rama dje për një gazetë gjermane.
Por gazeta e njohur britanike, Financial Times, shkruan sot se, Vuçiç po shkon drejt Rusisë dhe Kinës.
Në një intervistë për FT, Vuçiç ka insistuar se nuk do i bashkohet sanksioneve kundër Rusisë për shkak se ky është interes kombëtar.
“Komentet nga Vuciç, i cili fitoi një mandat të ri pesëvjeçar këtë muaj, sugjerojnë se Beogradi do i përmbahet linjës akomoduese drejt Rusisë dhe Kinës, pavarësisht presioneve nga Brukseli.
Udhëheqësit e BE-së kanë theksuar vazhdimisht në publik se ata e shohin Serbinë si një anëtare të ardhshme të bllokut, por privatisht kanë shprehur acarim në rritje për lidhjet e Beogradit me Moskën dhe Pekinin,” shkruan gazeta.
“Lufta e Rusisë në Ukrainë ka nxitur thirrjet nga disa në BE për të përshpejtuar bisedimet e anëtarësimit si një mënyrë për ta tërhequr Ballkanin më fort drejt BE-së.
Por blerja e fundit nga Serbia e një sistemi raketor anti-ajror kinez FK3 ka ngritur gjithashtu shqetësime sepse Perëndimi ka frikë se kjo mund t’i japë Pekinit një ndikim në rritje”, vijon gazeta.
Kujtojmë se i vetmi në rajon që nuk shqetësohet as nga armatimi i Serbisë dhe as nga këto qëndrime të Vuçiçit, mbetet Edi Rama.