Fijet që lidhin Bashën me aferën 2 miliardë euro të Ramës me Portin e Durrësit

Lulzim Basha mohoi edhe në daljen e fundit për mediat të vitit të kaluar se ka ndonjë lidhje të drejtpërdrejt apo të tërthortë me projektin 2 miliardë dollarësh për ndërtimin e Portit të ri të Durrësit. Ai mohoi se në të të jenë të përfshirë edhe të afërm të tij, ku sipas projektit Qeveria do të vendosë qindra hektarë tokë publike në dispozicion të zhvilluesit.

Por, me sa duket deklarata e Lulzim Bashës ishte e pasaktë. Basha lidhet me Portin e Durrësit përmes kunatit të tij, të paktën sipas dokumenteve të dorëzuar nga dy kompani në Qendrën Kombëtare të Regjistrimit të Bizneseve.

Janë katër emra që rezultojnë si në dokumentacionet e dorëzuar nga kompania Moveo Technology, ashtu edhe nga kompania Symphony Real Estate, që është ngritur për të zbatuar projektin e ndërtimit të Portit të ri të Durrësit. Moveo Technology zotërohet në masën e 40 për qind të aksioneve nga kunati i Lulzim Bashës, Erion Isufi së bashku me babanë e tij, Xhafer Isufi.

Emrat që dalin në dokumentacionet e të dyja kompanive fillojnë që me Oltjan Hoxhollin, administrator si te Moveo Albania Technology, por edhe te Symphony Real Estate, te kjo e fundit deri në datën 8 gusht të vitit të kaluar. Emrat e tjerë që autorizohen përmes prokurave të posaçme për të vepruar në emër të të dyja kompanive janë Elda Llambi, Ergisa Hasanbelliu dhe Andi Shyti.

Të tre këta emra janë autorizuar nga Hoxholli në cilësinë e administratorit të kompanisë “Symphony Real Estate”, ndërsa po të njëjtët persona janë autorizuar nga Erion Isufi po me prokurorë të posaçme në kompaninë tjetër, Moveo Technology që të përfaqësojnë këtë kompani.

Kompania “Symphony Invest Limited”, do të përfitojë qindra hektarë tokë shtetërore falas në portin e Durrësit, për të realizimin e projektit. Ajo është e regjistruar në QKR më datë datë 25 maj 2021 si degë e kompanisë mëmë “Simphony Invest Limited”, e regjistruar në ishujt Kajman, njohur si parajsë fiskale.

Krahasimi i dokumenteve të kësaj kompanie me njërën nga kompanitë ku Erion Isufi rezulton pronar ngre dyshime të forta se kunati i Bashës është i përfshirë në përpjekjet për të përfituara tokë shtetërore falas në Portin e Durrësit.

Nga dokumentet rezulton se administrator i kompanisë Symphony Real Estate Development në Tiranë ka qenë deri më 8 gusht Oltjan Hoxholli, që njëkohësisht ka mbatur edhe postin e administratorit të kompanisë Moveo Albania Technology, e regjistruar më 25 mars 2019 dhe ku është aksioner Erion Isufi, kunati i Luzlim Bashës bashkë me vjehrrin e tij, Xhafer Isufi.

Moveo Albania Technology ka për objekt të punës së saj ndërtimin e software-ve dhe rrjeteve kompjuterike. Ajo ka raportuar të ardhura të konsiderueshme në dy vitet 2019 dhe 2020. Në 2019, të ardhurat sipas bilancit të dorëzuar në QKR janë rreth 209 milionë lek, ndërsa në vitin 2020 ato rriten me më shumë se 100 milionë lek, duke shkuar në rreth 312 milionë lek.

Oltjan Hoxholli është larguar në muajin gusht nga posti i administratorit në kompaninë Symphony Real Estate, pas reagimit të kompanisë italiane, Moveo, që zotëron 60 për qind të aksioneve të Moveo Technology në Shqipëri. Kompania italiane tha se nuk ishte në dijeni se Hoxholli ishte i angazhuar si administrator në kompaninë që thuhet se do të realizojë projektin e Portit të Durrësit.

Dokumentacioni që tregon fijet në fjalë përforcon edhe më shumë dyshimet se Lulzim Basha përmes kunatit të tij, Erion Isufi do të përfshihet në projektin e ndërtimit të Portit të ri të Durrësit. Megjithëse i njoftuar në fushatë elektorale dhe me kosto 2 miliardë dollarë, ky projekt është shmangur nga diskursi politik i Lulzim Bashës. Ai ka anashkaluar “sulmet” mbi këtë koncesion, ndryshe nga sa ka bërë për projekte të ngjashme, ku ka përmendur edhe emra biznesmenësh vendas e të huaj.

Ndërkohë, kompania Symphony Real Estate pritet që të shërbejë si agjenci imobiliare për shitjen, apo dhënien me qira të objekteve në Portin e Durrësit, pas përfundimit të ndërtimit të tij. /Gazeta Shqip

https://www.gazeta-shqip.com/investigim/

About Redaksia

Check Also

Roli i ish-kreut të “SPAK” në Malin e Zi në bandën kriminale, si u zbulua nga BE

Ish-kryeprokurori special i Malit të Zi, Milivoje Katniç u arrestua së bashku me një ish-zyrtar …

Leave a Reply