Në mbyllje të protestës, lideri historik i PD, Sali Berisha mbajti një fjalim, duke theksuar se, revolucioni vazhdon.
“Arritëm të dëshmojmë organizimin tonë, vendosmërinë tonë, të dëshmojmë para shqiptarëve dhe botës, se armiku më i egër pas Enver Hoxhës i pluralizmit politik, është Edvin Kristaq Rama dhe pengu i tij, Lulzim Basha.
Miqtë e mi, ju e patë vetë se si shpalosi Edi Rama skenarin e tij kundër pluralizmit politik në Shqipëri dhe Partisë Demokratike.
Sot, gjithçka doli e qartë si në dritën e diellit. Kjo betejë tregon për të gjithë ne, njerëzit e lirisë, se rruga që kemi për të bërë, nuk është e lehtë. Ajo kalon përmes sakrificave, përmes vendosmërisë.
Ju garantoj se është një rrugë e suksesshme dhe fitimtare. Sot dëshmuam se jemi opozita e vërtetë e këtij vendi.
Prej kohësh ju kam deklaruar se ky është një revolucion i pandalshëm. Ky ndalet vetëm me përmbysjen e narkoshtetit. Ky revolucion synon rikthimin në pushtet përmes votës së lirë të PD.
Në tre muaj kohë, ne e kthyem votën e lirë në zemra tona, në komunitetin tonë, në PD.
Të shpërndahemi për t’u kthyer sa më parë, në betejën më të fuqishme se kjo”, tha Berisha.