“Tentuesi për kryetar”, edhe sot frymon politikisht prej Doktorit

Nga Pranvera SHEHAJ
Politologe

Me një të shkuar politike që nuk mundi kurrë të konkretizohet në identitet politik, Lulzim Basha duhet të punojë ashtu sikurse kurrë nuk diti të punojë, për profilizimin e tij në opinionin publik, qoftë edhe vetëm retorikisht, si kundërshtari i Doktorit për kryesinë e selisë qëndrore të Partisë demokratike. Kjo është ajo të cilën, një këshilltar që i do të mirën, duhej t’i propozojë, me shpresën se të paktën kaq duhet ta realizojë.

Demokratët e angazhuar ideologjikisht, intelektualisht dhe fizikisht me problematikat e Partisë demokratike gjatë thuajse nëntë viteve të fundit tashmë, i kujtojnë mirë të gjitha herët kur “tentuesi për kryetar” gërrmonte herë në shqetësimet e shoqërisë civile (asaj të pretenduar), e herë në skandalet e qeverisë vegjetuese, kauza që do t’i jepnin të paktën një arsye për t’u klasifikuar si opozitar, a thua se opozitarizmi, – i cili pa diskutim është veprimtaria politike që definon demokracinë, – ishte trofeu që përmbushte “misionin e tij”. Më së shumti, këta demokratë kujtojnë mirë sa herë që “Tentuesi për kryetar” në gati nëntë vite, gërrmonte në shqetësimet e njerëzve të thjeshtë, të cilët shtangeshin aq as nuk mundnin ta ftonin t’u hynte në shtëpi kur u shkonte tek dera duke iu lutur: “Ma jep hallin tënd të bëj opozitë”!

Secilën prej këtyre kauzave, rilevante ose më pak rilevante ishin ato, Basha i ushqente i kursyer, aq sa për t’u profilizuar përpara opinionit publik, e përpara diktuesve të huaj (po e kursej termin diplomatik, i.e., ambasadorëve) për të lënë të kuptohet atë që nevojitet si kusht politik për demokracinë, i.e., se minimalisht sistemi politik në Shqipëri konsiston në dy parti politike që përfaqësojnë dy ideologjitë kryesore. Vinte shpejt një ditë kur secila prej këtyre kauzave lihej në rrugë, e aty, mbaronte sigurisht aktiviteti i opozitarit, i cili tërhiqej në skutat e tij të instruksioneve të huaja.

Me të njëjtën logjikë, Basha i vdekur politikisht pas zgjedhjeve të 25 prillit, pas tetë viteve zvarritje opozitare, gabimeve të paqëllimshme që në fakt i hapnin rrugë qëllimeve të mëdha, ankesave e retorikës së mëshirës për t’u mirëkuptuar, u fut në shinat e qetësisë dhe vegjetimit opozitar. Ne besuam se një tjetër epokë monotonie paralizuese përshkoi vendin, me një qeveri që “kishte rifituar besimin tonë”, e një opozitë që ishte aty, vazhdonte të ishte aty, ishte e gatshme të mbeste aty së paku edhe për një tjetër dekadë. Kjo opozitë e rinuar, e së shumë-kërkuarës “elitë e qarkulluar” do të vazhdonte të gozhdohej në karriget e tempullit të demokracisë si “vajtuese e halleve të shqiptarëve”. Nuk ndodhi ashtu, sepse ata të cilet sipas analistëve të analeve të mendimit intelektual jane te konsumuar politikisht, turbulluan ujërat.

Kushdo sot në opinionin publik flet për një konflikt në Partinë demokratike, duke harruar se parimisht konflikti kërkon dy palë që përplasen për të njëtjin qëllim. Në PD ky nuk është rasti. Të konsiderosh Lulzim Bashën si kundërshtar i Doktorit për kryesinë e PD-se i jep atij një frymëmarrje politike, pa të cilën, është i humbur politikisht dhe mediatikisht, ekzaktësisht ashtu sic humbte kur linte jetime cdo kauzë që kapte për t’u quajtur opozitar. Dikush mund të pyesë: po nëse është kundërshtari i tij?

Nuk mund të jetë, për disa arsye themelore. Së pari kanë një hendek të thellë lidershipi midis tyre, një hendek i cili mban brenda tij vendime historike, progres politik, gabime, rënie dhe ringritje nga hiri, konsolidim i një shteti në politikën e jashtme, ngritja e themeleve për anëtarësimin në BE etj. PD e “tentuesit për kryetar” në nëntë vite nuk pati asnjërën prej tyre. Së dyti, i ndan qasja dhe komportimi ndaj kundërshtarit politik.

Në një sistem politik me parti të kryesuara nga liderë me tipare të theksuara anti-demokratike, duhet ta njohësh paraprakisht fundin e marrëveshjeve politike, e nëse sërish guxon, duhet të dish të rimëkëmbësh fatalitetin politik të pabesisë së kundërshtarit. Marrëveshjet, “tentuesi për kryetar”, duke i menduar si dekore interesante të demokracisë, e si burim i kacidheve të pushtetit, di t’i siglojë pa më të voglin hezitim, vec vështirë e ka të marrë përgjegjësinë e verbërisë (gjithmonë nëse ka qenë verbëri e jo nënshtrim).

Së treti, Doktorin dhe “tentuesin për kryetar” i ndan raporti me mëkatet financiare e për rrjedhojë, ligjore dhe politike. Sic Lord Acton do të thoshte: “power corrupts, absolute power corrupts absolutely” (pushteti korrupton, pushteti absolut korrupton në absolut), c’ka do të thotë se askush nuk merr përsipër të provojë shenjtërinë e një pushtetari, aq më shumë të atyre me një karrierë politike në vende ku demokracia kërcënohet vazhdimisht nga prevalimi i ligjeve të xhunglës. Mëgjithatë, është themelore, të paktën për nisjen e një karriere politike, qoftë edhe jo absolutisht të suksesshme, liria ndaj shantazheve ligjore. “Tentuesi për kryetar” edhe nëse do të donte sot t’i përgjigjej thirrjes së demokratëve për të dorëzuar çelësat simbolikë të PD-së, nuk mundet, e të mendosh se karriera e tij politike, kurrë nuk nisi.

Deputetë, simpatizantë, opinionistë, gazetarë e vëzhgues të ftohtë të uzurpimit të zyrave të PD-së duhet të dalin nga gracka që mban gjallë politikisht një politikan prezent në skenën politike prej gati 15 vitesh, me pozicione të ndryshme të emëruara politikisht, por kurrë, dhe në mënyrën më absolute të fjalës, kurrë të fituara. “Tentuesi për kryetar” nuk ka qenë kurrë në betejë politike, nuk njeh betejë politike dhe nuk di të pozicionohet në një betejë politike, andaj nuk ka si të pozicionohet as në këtë diskutim.

Zotëria në fjalë duhet të targetohet si një individ me përkrahje të jashtëzakonshme përtej demokratëve, i cili ka guximin të uzurpojë një godinë, me cdo kusht, me çdo çmim. Nuk mund të jetë më shumë se kaq, nuk mund të komentohet më shumë se kaq. I marri që zgjedh të burgoset në një seli politike, mund të ishte kushdo, si Lulzim Basha, kushdo, andaj ai sot për sot është vetëm kaq. Rikthimi në normalitet dhe përfundimi i shoë-t politik nis nga këtu. Nuk mund të jetë armik i marri që strehohet në zyrat e PD-së. Arsyet e strehimit, burimi i këmbënguljes deri në çmenduri apolitike, sigurisht lidhet me faktorë të jashtëm, të cilët jo pa qëllim vizituan simbolikisht selinë e blinduar.

Arsyet lidhen me skemën e mirënjohur ndërkombëtare të përçarjes së opozitës. I zgjedhuri? Mund të ishte kushdo, i cili ndodhet në të njëjtat kushte si “tentuesi për kryetar“, një i dështuar politik që përmbush deficencat ideologjike me interesa personalë. Andaj, asgjë prej gjithçkaje listova, nuk konsolidon politikisht Lulzim Bashën, aq më pak në kategorizimin e tij si kundërshtar i Doktorit për kryesinë e PD-së. Sigurisht, do thoni ju godina, blindimi, mbyllja wshtw e gjitha simbolike qw pwrcjell mesazh. Pergjigjia është: Politika vërtet ngrihet mbi simbolikë, por jeton mbi aksionin. Për ta mbyllur, dy fjalë shtesë përsa i përket opinionit mainstream mbi qarkullimin e elitave, i cili dominon sot mendimin e atyre që pretendojnë se shohin gjakftohtësisht aktualitetin në PD. Nuk mund të gjendet mendim më infantil e deri idiotesk në politikë.

Së pari, jetëgjatësia politike është relative. për dikë misioni i një politikani përfundon me realizimin e një projekti, për dikë tjetër është vetëm një mandat, e për dikë më shumë ose më pak. Zotërinjtë dhe zonjat e “elitës së qarkulluar“ pas thuajse një dekade e disa edhe me shume, mund ta kenë lodhur elektoratin e djathtë po aq sa Doktori. Çështje relativiteti edhe kjo. Megjithatë, të arsyetosh me pjekuri politike, do të thotë se nuk ka absurditet më shokues se sa kërkesa për të hequr dorë nga aktiviteti politik me justifikimin e qarkullimit të elitave. Politika është profesion, mision, pasion dhë në fund histori. Politika nuk është radhë, as keqardhje, as mëshirë. Largimi i një politikani me jetë të gjatë politike nuk sjell domosdoshmërisht një epokë politike të suksesshme, ashtu sikurse një lider i susksesshëm nuk ka sesi të mos lindë në një terren politik “të vjetër“. Elitat nuk janë moshë, janë pjekuri, ideale, parime dhe projekte politike.

About Redaksia

Check Also

Mësimet e mëdha të protestës historike!

Nga Petrit VASILI Protesta ishte nje demostrim madheshtor dhe nje mesim shume i madh. Protesta …

Leave a Reply