Konrad Adenauer dhe rasti i Sali Berishës!

Enver Bytyçi

Gabriel Escobar në intervistën e tij me “Zërin e Amerikës”, para dy ditësh, pranoi se “Sali Berisha ka mbështetje në parti, si dhe elektorale në Shqipëri. Kur gazetarja ia tha këtë, ai u shpreh: “Po, mundet”! Ishte ky pohim një sinjal i tërheqjes amerikane nga qëndrimi kundër Berishës, apo një aritmetikë e raportit të dobësuar kundrejt Lulzim Bashës?! Kjo mbetet për t’u parë. Fakt është se Escobar nuk mundi ta marrë Lulzim Bashën në mbrojtje direkte e madje as ta përsërisë “ftesën” për të, që deputeti Basha të vizitojë ndonjë ditë Departamentin e Shtetit.

Nga ana tjetër, akademiku i njohur dhe pakompleksuar, Artan Fuga, në një publikim të vetin në rrjetet sociale shkruan se Lulzim Bashës “I duhet mësuar filozofia e shkollës së mesme të natës”! Madje e quan tuaf në logjikën e tij juridike. I kërkon edhe të japë dorëheqjen. E gjitha kjo për shkak të dhunës që ai përdori më 8 dhjetor kundër demokratëve të thjeshtë, por edhe të deklaratave të pa menduara të Lulit.

Por garnitura e binomit Rama-Basha po përdor vazhdimisht në retorikën politike atë që quhet moshë e Berishës. Pra, “argumenti” ka ardhur deri te “loja me moshën”! Janë shteruar të gjithë argumentet e tjerë. Nuk gjejnë dot mbështetësit e këtij binomi asnjë fije kashte për ta shpëtuar Lulin nga vrella e ujit që e ka marrë përpara! Atëherë kanë thirr në ndihmë “moshën” e Berishës. E trajtojnë moshën e tij si disavantazh, si pengesë për të qenë në krye të partisë ose të qeverisë. Dhe me këtë duan ta zhvleftësojnë lëvizjen e tij për rikthimin e pluralizmit politik në Shqipëri. Një pluralizëm politik që e vendos shtetin dhe institucionet e tij në shinat e një sistemi demokratik të balancuar dhe ekuilibruar e që nuk lejon kullat në formën e projektit të Teatrit Kombëtar aty ku sot është Partia Demokratike.

Mosha e Berishës është në fakt e duhet parë si avantazh shumë i madh. Po jap vetëm një shembull nga Gjermania, duke krahasuar dy liderë të saj të shekullit XX, Adolf Hitlerin dhe Konrad Adenauer. Hitleri lindi më 20 prill 1989. Në moshën 39 vjeç u bë kancelar dhe 40 vjeç edhe kryetar i shtetit gjerman. Në moshën që sot ka Lulzim Basha nisi Luftën e Dytë Botërore. Ajo që ndodhi me kthimin e selisë së PD-së në burg të blinduar, si edhe dhuna që bandat e Lulzim Bashës ushtruan kundër demokratëve më 8 dhjetor, në miniaturë u japin shqiptarëve modelin hitlerian të mbajtjes së pushtetit partiak nga ana e Lul Bravës, ose Lul Blindit!

Ndërsa Konrad Herman Joseph Adenauer kishte lindur më 5 janar 1886, tri vite më parë se të vinte në jetë Adolf Hitler. Megjithatë ai u bë kancelar i Gjermanisë në vitin 1949, në moshën 63 vjeç. Qëndroi në këtë detyrë deri në vitin 1963, d.m.th deri në moshën që sot ka Sali Berisha. Kurse Charles de Golle i Francës u largua nga funksioni i presidentit të Republikës së Pestë Franceze në moshën 79 vjeç. Të dy këta u rikthyen në politikën shtetërore pas largimit të përkohshëm. Njeriu që lindi para Hitlerit erdhi në pushtet pesë vite mbas vdekjes së diktatorit gjerman. Dhe po flasim për një rast gjermanik. Njëri prej tyre, Adolfi, pra i riu, e çoi vendin më të fuqishëm të Europës në humnerë, tjetri, Konradi, i vjetri, i hapi Gjermanisë perspektivën më të ndritur në historinë e saj. Vetëm dhjetë vite pas luftës (1955) e bëri vendin e tij anëtare të NATO-s.

Një analizë e thjeshtë e këtij fenomeni gjerman na çon në një përfundim logjik shumë të thjeshtë. Mosha të bën më të përgjegjshëm, të ndihëmon të mendosh në mënyrë racionale, të bën ta duash tjetrin më shumë, të marrësh përgjegjësi më të mëdha për veten, për familjen, për shoqërinë, për kombin. Ky është avantazhi i moshës së Sali Berishës. Por mosha ndikon edhe në karakterin egoist të njeriut. Mosha, kur je i ditur, i aftë dhe kur ke krijuar eksperiencë të jashtëzakonshme, e ndihëmon njeriun të mendojë e të besojë se ai mund të bëjë më shumë për vendin e tij.

Ashtu si Konrad Adenauer, edhe Sali Berisha është i pari lider shtetëror që e çoi Shqipërinë në NATO, madje është i pari udhëheqës i Lindjes Europiane që kërkoi zyrtarisht pranimin e vendit të tij në Aleancën Atlantike. Ndërsa në moshën “adoleshente” të Lulzim Bashës ngjallen prirje të shkeljes me këmbë të njerëzve!

Nuk ka mendje normale që të mos besojë se zoti Berisha nuk do të donte t’i çonte përpara eksperiencat e tij pozitive në drejtimin e shtetit! Ndërkohë që është pikërisht mosha, ajo që e shtyn Lulzim Bashën që çdo ditë të gabojë në politikat, qëndrimet, deklarimet dhe veprimet e tij politike. Merrni dhe krahasoni thjesht diskursin Berisha-Basha! Po të doni dhe diskursin Berisha-Rama! Dhe do të shihni se si e sa dallojnë këta midis tyre.

Ka dy arsye pse Sali Berisha qëndron shumë më lart se dy kundërshtarët e tij. Së pari, dija, kultura, përkushtimi dhe atdhedashuria e Sali Berishës. Së dyti, eksperienca e tij, fakti se ai është 77 vjeç dhe jo te dyzetat e tij. Edhe njeriut të zakonshëm i duhet një moshë e caktuar të maturohet, të urtësohet e të heqë dorë nga egoja e tij. Sali Berisha është në këtë moshë, ndaj dhe shihet si shpresë, së paku për të bërë kthesën që shqiptarët duan në këto momente të vështira për Shqipërinë dhe kombin shqiptar! Sa kohë që ai ka e do të ketë energjinë e nevojshme fizike, aq kohë mosha i kthehet në avantazh për të marrë përsipër përgjegjësi politike e shoqërore! Dhe këtë energji fizike të tij nuk e maturojnë as e përcaktojnë dëshirat perverse të kundërshtarëve të tij!

Ndërsa Escobar la të kuptohet se edhe manipulimi që bëhet me non – gratën amerikane ndaj Berishës është i përkohshëm. Kush di të lexojë deklaratat dhe komunikimin publik politik, e kupton qartë se në departamentin e Shtetit ka zëra, të cilët e shohin të gabuar vendimin e sekretarit Blinken. Natyrisht që diplomatë të formatit të ambasadores Kim do të bëjnë gjithçka për të dezinformuar opinionin publik në Shqipëri në ndihmë të dyshes Rama-Basha, por kjo nuk e tjetërson realitetin të cilin e shohim në praktikë! Kjo thjesht prodhon fantazi spartakësh!

About Redaksia

Check Also

Guxim për të fituar

Nga Oerd BYLYKBASHI Më 11 dhjetor 2021, në Kuvendin madhështor të Partisë Demokratike sanksionuam për …

Leave a Reply

Your email address will not be published.