Pas propozimit të Lulzim Bashës, Këshilli Kombëtar largoi Alfred Rrushajn nga detyra e kreut të grupit parlamentar, duke e zëvendësuar me Enkelejd Alibeajn.
Për këtë vendim ka folur në një intervistë televizive Sekretari i Përgjithshëm i PD, Gazment Bardhi. Ky i fundit tha se, vendimi është marrë në dakordësi mes Rushajt dhe Bashës.
Bardhi tha dhe se, Rrushaj është në gjendje të rënduar shëndetësore për shkak të Covid-19.
“Ka qenë një vendim i përbashkët i tyre që drejtimi i grupit të bëhet nga Alibeaj. Vendimet e propozuara në Këshillin Kombëtar do të kalojnë në grupin parlamentar të PD. Dua të shpreh mirënjohjen time për punën që ka bërë zoti Rushaj si kryetar grupi. Ka bërë një punë të jashtëzakonshme edhe pse e kishte për herë të parë jetën parlamentare. Zoti Rushaj është në kushte të rënduar shëndetësore, është me COVID”, tha Bardhi për “News 24”.
Por pas kësaj deklarate kanë qarkulluar lajme se vendimi erdhi pasi Alfred Rrushaj nuk ka qenë dakord me linjën e Bashës.
“As me përjashtimet. Nuk ka qenë dakord me Berishën gjithashtu. Por, kundër mënyrës se si po sillet Basha në këtë histori. Prandaj s’ka folur. Në Kryesi nuk ka votuar. Ia ka komunikuar Bashës vetë para disa ditësh”, kanë pohuar burime nga selia blu për “Politiko”.
Lajmet se, largimi i Rrushajt nuk është aq paqësor sa tha Gazmend Bardhi janë shtuar. Madje dyshohet se ky i fundit ka mashtruar opinion publik për sëmundjen e Rrushajt. Por të njëjtën gjë si Bardhi e ka deklaruar dhe Basha në mbledhjen e Këshillit Kombëtar.
Familjarët e Alfred Rushajt i kanë hedhur poshtë deklaratat e Bashës dhe Bardhit, duke thënë se, deputeti gëzon shëndet të plotë. Kjo e fundit shton se sipas një verifikimi të sistemit TIMS rezulton se Rrushaj ka udhëtuar drejt Kroacisë.