Ish-Kryeministri Sali Berisha, nga Vau i Dejës ku po zhvillon takim me anëtarët dhe simpatizantët e PD, tha se, Lulzim Basha po nxjerr kandidat për zgjedhjet e pjesshme të 6 marsit për të ndihmuar Edi Ramën.
“Lul Brava në 2019 bojkotoi zgjedhjet, ia la të gjitha bashkitë Edi Ramës, i hoqi demokratëve edhe bukën e gojës, pasi në Bashki si kjo e Vaut të Dejës, socialistët kurrë nuk fitonin. Në atë kohë pushtetin ia la në tavolinë Ramës, ndërsa sot që pushtetin e ka Edi Rama, Lul Brava nxjerr kandidatë.
Pse e bën ai këtë? Sepse po ndihmon Edi Ramën, ndaj dhe mos u mashtroni nga kallp opozita. I bëj thirrje qytetarëve që në 6 mars, në Bashkitë ku do të votohen kryebashkiakët, të votojnë kandidatët e opozitës, jo kallp kandidatët e Lulzim Bravës”, tha Berisha.
Berisha theksoi se, Lulzim Basha do të pësojë humbje katastrofike më datë 6 mars, sepse asnjë demokrat nuk e beson më atë.
“Më 8 janar, në selinë e PD kishte një bandë kriminale, Rama i ndihmoi. Edi Rama i ndihmoi, duke iu dhënë pajisje që përdor policia kundër protestuesve. Duhet të çlirohemi nga kriminelët që kanë kapur këtë pushtet dhe selinë e PD”, tha Berisha.