Banorët e “5 Majit”, Paskuqanit dhe Laprakës në Tiranë, kanë protestuar për rreth 90 minuta para Kuvendit të Shqipërisë, ndërsa atyre iu bashkuan edhe deputetë të Komisionit të Rithemelimit.
Pasi bënë thirrje që zëri i tyre të dëgjohet, banorët kanë marshuar drejt Ambasadës amerikane, ku kërkojnë reagimin e diplomates Yuri Kim për të dëgjuar problemet e këtyre banorëve.
Gazetari Bledi Marku, i cili është protestues tha se të huajt kanë treguar se i dëgjojnë problemet e tyre. “Shpresojmë që të ketë një reagim nga Ambasada amerikane, shpresojmë që Yuri Kim ti thotë këtyre qeveritarëve që të dëgjojnë zërin e këtyre qytetarëve, përpara se protestat të precipitojnë dhe banorët të hyjnë në grevë urie përballë godinë së Kryeministrisë”, tha një prej protestuesve.
Prej disa javësh banorët protestojnë për shembjen e banesave të tyre, të cilat janë prekur nga projekti i rindërtimit në këtë zonë. Ata kërkojnë kontrata të rregullta, ndërsa thonë se bashkia nuk u ka dhënë sqarime për pronat e tyre.
Ndërkohë banorët e Paskuqanit dhe ata të Laprakës preken nga projekti i Unazës së Madhe, ndërsa akuzojnë bashkinë dhe qeverinë se ka devijuar projektet për qëllime korruptive.