Banorët e zonës së “5 Majit”, Laprakës, Paskuqanit dhe Kodrës së Priftit janë duke protestuar tek kryeministri ku kërkojnë të drejtën e tyre. Njëri prej tyre i revoltuar, kërcënoi kryeministrin Rama se nëse do e nxjerrin nga shtëpia ai do rezistojë deri në fund dhe se paralajmëroi se do zbatojë Kanunin.
Me tone të ashpra qytetari shtoi se nëse është e nevojshme do të derdhet gjak dhe pronën do ta mbrojë. Pjesë e kësaj proteste të banorëve të zonave “5 Maji”, Laprakës dhe Paskuqanit janë bërë dhe fëmijët të cilët kanë bërë thirrje ndaj kryeministrit dhe kanë shkruar pankarta duke kërkuar që të mos u preken shtëpitë.
“Gjakun do e keni te shtëpia ime. Nëse nuk zbatoni kushtetutën unë do zbatoj Kanunin, nuk kam frikë. Nesër po të më prishësh banesën jam i vdekur!Hajde më vrit me farë e fis se sa më le në rrugë”, u shpreh një banor.
Banori: Duan të ndërtojnë kulla 32 katëshe
Banorët po vijojnë me protestën kundër shembjes së shtëpive para kryeministrisë. Ata janë shprehur se qeveria po ua merr pronën e tyre, sepse kërkon të ndërtojë kulla 32 katëshe.
Njëri prej tyre, Gjin Nikolli është shprehur se shkatërrimi i banesave të tyre nuk po bëhet për interes publik, por për të ndërtuar kulla.
“Kullat 32 katëshe, 7 kulla duan te ndertojne dhe keto nuk janë për interes publik. Ne do të rezistojmë deri në fund. Shteti mund të na verë kazmën, por ne kemi lirinë, kemi shpirtin tonë.
Ne do të rezistojmë. Ne nuk jemi zaptues, zaptues është shteti që po kërkon të marrë vendin tonë. Ajo aktmarrëveshje nuk bën.
Nuk mund të ketë aktmarrëveshje ku thuhet, ma dhuro dhe në të ardhmen do të japim një shtëpi. Nuk marrëveshje në të ardhmen”,është shprehur Gjin Nikolli.