Falsifikimi i provave, Presidenti padit në Prokurori Kuvendin

Presidenti Ilir Meta ka vendosur të padisë në prokurori Kuvendin, për akuzën e falsifikimit.

‘Sapo falënderova Bledin dhe Katrin, për përfaqësimin me dinjitet dhe profesionalizëm të Institucionit të Presidentit të Republikës.

I kërkova të përgatisin menjëherë padinë për falsifikimin e provave nga Kuvendi, të depozituar në Gjykatën Kushtetuese pa asnjë lloj kërkese.

Ky skandal shumë i rëndë, duhet të marrë menjëherë përgjigje ligjore!

Takohemi shumë shpejt në një komunikim me mediat!’, shkruan presidenti Ilir Meta në Facebook.

Këshilltari i Presidentit për Çështjet Ligjore, Bledar Dervishaj ka zbuluar sot para medias me fakte dokumentet e falsifikuar nga parlamenti, pjesë e “marrëzisë më të fundit të Kuvendit të ri, që ndjek me besnikëri të plotë rrugën e manipulimit dhe falsifikimit të provave nga Kuvendi njëpartiak”, siç e cilësoi.

Dervishaj tha:”Në seancën e orës 10:00, ne i kemi kërkuar Gjykatës Kushtetuese, kemi kundërshtuar vërtetësinë e një prove të depozituar së fundmi nga Kuvendi i Shqipërisë, të depozituar në datën 4 shkurt 2022, i cili i përcjell Gjykatës Kushtetuese, pra ditën e premte, sipas Kuvendit, disa prova të reja shtesë ku përfshihet edhe Urdhri nr.19, datë 5.5.2021 i Kryetarit të Kuvendit që ka të bëjë me mbledhjen e Kuvendit më datë 7.5.2021, pra ditën që Kuvendi do të miratonte sipas tij ngritjen e komisionit hetimor dhe miratimin e raportit të Komisionit të Ligjeve.

Gjatë shqyrtimit të këtyre provave të reja që na u vunë në dispozicion nga Gjykata po në të njëjtën ditë, na rezulton që në konsultim me vetë përmbajtjen e praktikës së dërguar nga Kuvendi, dhe me praktikën e publikuar online po nga Kuvendi, na rezulton një ndërhyrje apo manipulim prove të depozituar. Pse e themi këtë?!

Ia parashkruam Gjykatës në mënyrë të detajuar, i është parashtruar Gjykatës dhe në përgjigjet sepse lidhej me një pyetje që kishte bërë relatori në çështjet, përgjigja nr. 3, lidhur me këtë ndërhyrje.

Konkretisht, urdhri që Kuvendi i depozitoi si provë Gjykatës Kushtetuese, mban datën që mund ta shikoni këtu, 5.5.2021 “Për mbledhjen e Kuvendit në seancë plenare në datën 7.5.2021”, ndërkohë që sipas urdhrit të publikuar në faqen e Kuvendit të Shqipërisë, meqë u pranua dhe nga përfaqësuesit e Kuvendit në gjykim, ky urdhër mban datën 6.5.2021 dhe jo 5.5.2021! Kjo është ndërhyrja e parë. Edhe ky urdhër në faqen e Kuvendit është në të njëjtin format me nënshkrim të kryetarit të Kuvendit.

Kjo është ndërhyrja e parë dhe pse bëhet kjo ndërhyrje, ose më saktë u parashtrua nga përfaqësuesit e Kuvendit, që provat e reja të sillen për të rrëzuar pretendimin e Presidentit lidhur me shkeljet që ne kishim konstatuar në caktimin e seancës plenare dhe të rendit të ditës. Por kjo nuk është e vetmja ndërhyrje!

Ndërhyrje ka dhe tek pika 20 e këtij urdhri, ku përfshihet projektvendimi për raportin e propozimit të Komisionit për Çështjet Ligjore, Administratën Publike dhe të të Drejtave të Njeriut për ngritjen ose mosngritjen e një komisioni hetimor për shkarkimin nga detyra të Presidentit të Republikës. Kështu thotë kjo pikë 20 e këtij urdhri që u depozitua në formë shkresore, por që ndryshon nga pika 20 e rendit të ditës, të sjellë po në formë shkresore nga Kuvendi në cilësinë e provës në Gjykatën Kushtetuese.

Rendi i ditës përcakton që urdhri është nr. 19, datë 6.5.2021 dhe jo 5.5.2021 siç thotë dhe siç ka depozituar Kuvendi, ndërhyrja e parë.

Rendi i ditës thotë që pika 20 përmban këtë përmbajtje që duhet të shqyrtohet sipas Kuvendit: “Për miratimin e raportit dhe propozimit të Komisionit të Çështjeve Ligjore, për ngritjen e një komisioni hetimor , bazuar në kërkesën e një grupi deputetësh për shkarkimin nga detyra të Presidentit të Republikës . Në pamje të parë duket sikur nuk ka ndërhyrje, por ka. Ka. Po të shikojmë me vëmendje nga përmbajtja e rendit të ditës të publikuar në faqe dhe urdhrit të depozituar në formë shkresore, na rezulton se:

– Ky urdhër që depozitoi Kuvendi më 4 shkurt 2022,i është hequr fjala “Miratim”. Nuk ekziston më në përmbajtjen e pikës 20.
– Fjala “raporti” është zëvendësuar me fjalën “raportit”
– Fjala “propozim” është zëvendësuar me fjalën “propozimin”
– Lidhëza “të” është zëvendësuar me lidhësen “e”
– Pas fjalës “ngritjen” është shtuar fjala “ose mosngritjen”
– Dhe togfjalëshi “bazuar në kërkesën e një grupi deputetësh” është hequr fare.

Ndërkohë që edhe rendi i ditës i depozituar bashkë me urdhrin e Kryetarit të Kuvendit ka përplasje me vetë urdhrin e Kryetarit të Kuvendit. Pikërisht për këto shkaqe, këto ndërhyrje në prova, ëhstë vlerësuar dhe është kërkuar nga ana jonë si përfaqësues të Presidentit që Gjykata të çmojë vërtetësinë e kësja prove pasi duket qartë se ka ndërhyrje në të me qëllimin e vetëm dhe që u pranua që kjo provë sillet nga Kuvendi për të rrëzuar pretendimet e Presidentit, me qëllim që të rrëzohen pretendimet e Presidentit të Republikës.

Ndërkohë, qoftë në këtë formë siç e çon Kuvendi, që ka një ndërhyrje, qoftë në këtë formën reale, qëndrimet e Presidentit rezultojnë të bazuara. Seanca plenare është caktuar në më pak se 24 orë , kur detyrimi është 48 orë dhe në rendin e ditës nuk kanë qënë të përfshirë dy akte, por vetëm një akt. Një tjetër shkelje më shumë kjo e Kuvendit të Shqipërisë, vetëm e vetëm të diktuar përmes vullnetit politik që të arrinte ngritjen e një komisioni që nuk mund të funksiononte sipas Kushtetues dhe ligjit për komisionin hetimor”.

About Redaksia

Check Also

“Associated Press”: Opozita shqiptare zhvillon protestë antiqeveritare, kërkon qeveri teknike

Forcat opozitare në Shqipëri po zhvillojnë këtë të hënë një protestë mbarëkombëtare në kryeqytetin e …

Leave a Reply