Zëri i Amerikës: Ja pse shkresa e Kuvendit për shkarkimin e Metës është e dyshimtë

Në Shqipëri, Gjykata Kushtetuese mbylli sot seancën dëgjimore lidhur me shqyrtimin e vendimit të parlamentit për shkarkimin e presidentit Ilir Meta. Përfaqësuesit e shumicës i qëndruan pozicionit se Kreu i Shtetit ka shkelur rëndë Kushtetutën para dhe pas procesit zgjedhor të 25 prillit. Ndërsa këshilltarët ligjor të presidentit, vunë theksin te shkeljet e shumta proceduriale që sipas tyre e bëjnë të pavlefshëm të gjithë procesin, raporton Zëri i Amerikës.

Sipas VOA, gjatë ndërhyrjes së tyre në seancën e sotme, këshilltarët e zotit Meta i kushtuan vëmendje një kopje të re të urdhrit për thirrjen e seancës parlamentare të datës 7 maj, e cila miratoi raportin e Komisionit të Ligjeve lidhur me nismën e deputetëve për të hapur procedurat për shkarkimin e kreut të shtetit.

Ndërsa urdhri për thirrjen e seancës, sipas variantit në faqen zyrtare, është i datës 6 maj, shkresa e re, ishte kopje e këtij urdhri, por me datën 5 maj, datë e cila do të rrëzonte pretendimin se seanca ishte thirrur në kundërshtim me rregulloren që parashikon një afat 48 orësh.

Përfaqësuesit e zotit Meta folën për një manipulim, duke kërkuar nga Gjykata Kushtetuese të verifikojë vërtetësinë e shkresës: “Qoftë në këtë formë siç e çon parlamenti, që ka një ndërhyrje, qoftë në këtë formën tjetër, që është realja, siç është publikuar, qëndrimet e presidentit qëndrojnë të bazuara. Seanca plenare është caktuar në më pak se 24 orë kohë, ndërkohë që detyrimi është 48 orë. Në rendin e ditës, nuk kanë qenë të përfshira dy akte, por vetëm një akt, një shkelje tjetër kjo më shumë e parlamentit vetëm e vetëm, e diktuar përmes vullnetit politik, për të arritur në ngritjen e një komisioni që nuk mund të funksiononte sipas kushtetutës dhe ligjeve për komisionet hetimore”, deklaroi zoti Bledar Dervishaj, këshilltar ligjor i zotit Meta.

Një tjetër element që e bën të dyshimtë shkresën e re të parlamentit është dhe fakti që në datë 5 maj, Komisioni i Ligjeve nuk e kishte miratuar ende raportin mbi kërkesësn e deputetëve, gjë të cilën e bëri një ditë më pas, në 6 maj, raporton VOA.

Zoti Meta njoftoi sot se do të bëj kallëzim në prokurori ndaj parlamentit për falsifikim të provave. /VOA

About Redaksia

Check Also

Gazetarja denoncon skandalin tjetër/Drejtorët i dhanë vetes tenderin për prishjen e 22 pallateve

Ola Xama ka qenë e ftuar në emisionin “Të Paekspozuarit” në MCN TV, ku foli …

Leave a Reply