Meta kallëzon në SPAK strukturat e Kuvendit: Harrojeni se do varrosni pluralizmin

Presidenti Ilir Meta njoftoi sot se ka firmosur kallzimin penal që do të depozitohet në SPAK dhe Prokurorinë e Tiranës lidhur me falsifikimin e provave që Kuvendi ka depozituar në Gjykatën Kushtetuese në procesin për shkarkimin e Kreut të Shtetit.

Meta tha se kallzimi penal përfshin strukturat e Kuvendit, pëgjegjëse për hartimin e akteve dhe dokumenteve, të cilat janë fallsifikuar në bashkëpunim.

Këshilltari i Presidentit, Bledar Dervishaj, duke sqaruar procesin, tha se Kuvendi depozitoi disa akte, pa ia kërkuar askush, duke tentuar të manipulojë procesin.

“Provat e manipulimit dhe falsifikimit janë mëse të dukshme”, tha Dervishaj. Ai tha se përveç veprës penale të falsifikimit, mund të kemi edhe atë të ndikimit të paligjshëm, pra kush i detyroi zyrtarët apo ish-zyrtarët që të falsifikojnë provat.

“Në këtë vepër penale mund të jenë përfshirë 1 apo disa zyrtarë të Kuvendit, drejtues apo ish-drejtues politikë, ndaj edhe ne si institucion i jemi drejtuar edhe SPAK për të hetuar këtë skandal”, tha Dervishaj.

Në anën tjetër, Presidenti tha se ky krim, ky falsifikim, tregon shumë qartë jo vetëm se si ka funksionuar Kuvendi njëpartiak i deri para 25 prillit, por edhe është një dramë se si po funksionon edhe ky Kuvend.

“Themelet e Republikës janë tronditur rëndë”, tha Meta. Sipas tij, kjo është hera e parë që ndodh kur një institucion si Kuvendi falsifikon prova dhe fakte që i depoziton në Kushtetuese.

Meta tha se kjo procedurë mafioze falsifikimesh është një grusht shteti që u organizua kundër Kreut të Shtetit.

“Çfarë garancie kemi ne, kur këta jo vetëm falsifikojnë letrat për ti rrëmbyer Presidentit anëtarët e Kushtetueses, por edhe duan të shkarkojnë Presidentin po me falsifikime. Çfarë garancie kemi ne që pronat dhe hipotekat, nuk falsifikohen? Çfarë garancie kemi ne që ligjet që miratohen nuk falsifikohen gjatë zbardhjes? Pse kjo urgjenca e manipulimit të provave, apo se duhej ti dilte fjala atij ish-deputetit që grabit pronat në Vlorë e Ksamil, që Presidenti duhej të shkarkohej ditën e hënë”, tha Meta.

Harrojeni se do varrosni pluralizmin!

Gjatë konferencës për mediat, të mbajtur sot, Presidenti Ilir Meta iu është drejtuar atyre që i konsideron si rilindas vendas dhe ndërkombëtarë, duke u shprehur se duhet ta harrojnë se do të varrosin pluralizmin politik në Shqipëri.

I pyetur nëse do ta njohë vendimin e Kushtetueses nëse shkarkohet, Meta u shpreh se nuk do të ketë asnjë bravë në Presidencë dhe nuk do të blindohet asnjë derë.

“Ju thoni nëse 24 korriku është sot, do të doja të ishte që dje. Nuk do të ketë asnjë brave shtesë në Presidencë, nuk do blindohet asgjë, në 24 korrik do bëjmë një festë dhe aty është populli i 2 marsit.

Me këto falsifikimet e fundit është shumë i irrituar, por duhet të ruajmë vetëpërmbajtjen që është relative. Kur palët sillen normalisht, Presidenti sillet si danez. Kur kërcënohet rendi kushtetues, kur nxitet artificialisht një konflikt, dhe ju i dini kush i ka nxitur dhe tashmë filmi dhe teatri janë rrëzuar, sigurisht që Presidenti do jetë njësh me Kushtetutën, me interesin publik, kombëtar me pluralizmin politik.

Ta harrojnë ata që kanë menduar në mënyrë mafioze, gjithë ata rilindas vendas dhe ndërkombëtar, vendas mavi dhe blu, se do të varrosin de facto pluralizmin politik në Shqipëri dhe do dhunojnë popullin e Shqipërisë, do dëshpërohen pa fund. Do të marrin përgjigjen e merituar.

Për këtë ju jap fjalën. Jam Ilir Meta, u them atyre, o superbudallenj”, tha Meta.

About Redaksia

Check Also

Partia e Lirisë në kurthet e Sigurimit të Shtetit, sot SPAK

“RD” Nuk është hera e parë që mes Metës dhe Kryemadhit ka debate politike. Kur …

Leave a Reply