Ish-Kryeministri Berisha duke marrë fjalën në sallën e parlamentit ka kërkuar nga ministri i Drejtësisë përgjigje se pse fshihet vetingu i disa prej anëtarëve të Gjykatës së Lartë.
“Ministri që sapo foli t’u tregoj shqiptarëve pse fshihet, pse mbahet sekret Vettingu i Sokol Sadushit, Ervin Pupës, Ilir Pandës. Mbi ç’ligj, mbi ç’bazë, përveç se shpellave të mafies ndodh kjo”, u shpreh Berisha nga salla e parlamentit.
Gjatë fjalës së tij, Berisha u ndal edhe tek projekti i HEC-it Skavica që shkatërron tokat më pjellore te Dibrës.
Ai i ka kërkuar Ulsi Manjës që të tregojë se çfarë kompromisi ka bërë me Edi Ramën për shkatërrimin e Dibrës.
“Cili është roli yt, thuaja këtu, shqiptarëve në denatyralizimin e Dibrës me HEC-in e Skavicës. A ndjen ti dibran përgjegjësi për shuarjen e tokave pjellore të Dibrës. Çfarë kompromisi ke bërë me Ramën, për denatyralizimin e Dibrës.
U bëj thirrje të gjithë dibranëve, në Shqipëri, diasporë e kudo që të reagojnë”, u shpreh Berisha.