Berisha nga Vora: Çdo votë për Lul Bravën është votë për Ramën, votoni Vranën!

Lideri historik i PD, Sali Berisha prezantoi kandidatin e koalicionit ‘Shtëpia e Lirisë’ në Vorë, Lulzim Vrana. Berisha tha përpara mbështetësve se Vora është lënë në harresë nga qeveria.

Ish-Kryeministri kishte një mesazh edhe për kandidatin e Lulzim Bashës, Ymer Marku. Ai tha se, çdo votë për kandidatin e Lulzim Bravës është absolutisht votë për Edi Ramën.

“Çdo votë për kandidatin e Lulzim Bravës është absolutisht votë për Edi Ramën. Dhe unë i them këtu ju, banorë të Domjes, Bërxullës, Prezës, nëse Ymer Marku dhe secili demokrat i këtyre trevave donte të kandidonte me primare, nuk ka patur asnjë pengesë, por, ne premtuam se kandidatët se do t’i nxirrni ju dhe jo ne, se do jeni ju anëtarët me votën e lirë që do të caktoni se cilin do të mbështesni në këto zgjedhje.

E premtoi 8 vite peng Basha dhe nuk e bëri, e premtuam 3 muaj dhe e vumë në jetë. Ndaj, Ymer, nuk ke të drejtë të kërkosh asnjë votë nga demokratët, asnjë demokrati. Harroje. Po të doje të kërkoje votën e tyre, duhet t’i nënshtroheshe votës së tyre. Ne po rikthejmë votën e lirë, dinjitetin, energjinë.

Çdo votë për Lulzim Vranën, asnjë votë për ata që kanë frikë nga vota juaj. Dhe natyrisht as për atë Shehrajn i cili përfaqëson katastrofën që krijoi PS këto 3 vite në Bashkinë e Vorës. Edhe ai vetë ka qenë aty. Kjo bashki është sot financiarisht e falimentuar, vetëm e vetëm se qeverisin ata të cilët nuk ua ndjen zemra dhe shpirti për ju, por mendojnë si të pasurohen vetë”, tha Berisha.

Ish-Kryeministri analizoi se çfarë ka ndodhur në Shqipëri 8 vitet e fundit, duke theksuar se rrogat dhe pensionet janë ulur, ndërsa varfëria është rritur frikshëm.

“Në Vorë nuk është bërë asnjë investim. Në 8 vjet Shqipëria u varfërua. Rrogat dhe pensionet u ulën. Nuk ka patur ndihma për fermerët. Po vërshojnë prodhimet nga Serbia dhe fermerëve nuk u mbetet gjë tjetër veçse të nisen rrugëve të botës. Pse kjo varfëri e frikshme po rritet në këtë mënyrë? Statistikat e qeverisë tregojnë se varfëria është rritur me 4 herë. Shqipëria ka rritur borxhin nga 62 në 103%. Ku shkojnë këto miliarda? A i keni parë të investohen në këto vite në bashkinë tuaj? Këto që të gjitha shpërdorohen, vidhen nga qeveritarët socialistë qëndrorë dhe vendorë. Shpenzojnë 8 fishin për km rrugë nga paratë e buxhetit. Borxhi rrezikon të shembë kulmin e shtëpisë tonë.

Çfarë ka ndodhur nga 2019 në bashkinë tuaj? Përveç varfërisë, rritjes së çmimeve, largimit masiv të të rinjve, u shkatërrua edhe administrata. Administrata e përparme u zëvendësua nga një administratë e cila nuk shikon gjë tjetër veçse si t’ju vjedhë ju. Në vitin 2013 për të zhdukur varfërinë bëmë një verifikim në mbarë vendin të njerëzve në nevojë, natyrisht nga 120 mijë familje, ne do të shkonim në 160 mijë dhe do të rrisnim ndihmën ekonomike. Çfarë bëri Edi Rama? Brenda dy muajve pasi erdhi në pushtet hoqi ndihmën ekonomioke 120 mijë familjeve në zonat e veriut. Qindra familje nuk kanë asnjë pëllëmbë tokë më shumë se sa trualli i kësaj salle. Ua hoqi ndihmën ekonomike vetëm se nuk e votuan.

Mos mendoni se ka bërë ndonjë gjë edhe në jug. Jugu është dhimbja më e madhe sot për ne, sepse është boshatisja më e madhe e Shqipërisë. Largimet janë shumë të dhimbshme dhe shumë të frikshme. Erdhi në pushtet duke treguar hekurat si Mehmet Shehu, duke trembur qytetarët, hoqi ndihmën ekonomike edhe në jug. Shkodra dhe Vlora kanë largimet më të mëdha, Gjirokastra është rrethi më i pakësuar falë politikës antishqiptare të Edi Ramës. Në vend që të lidheshim me Brukselin, u lidhëm me Beogradin, të gjitha këto në funksion të pushtetit të Edi Ramës”, tha Berisha.

About Redaksia

Check Also

Nikolla u dorëhoq, apo e larguan?

Lindita Nikolla ka njoftuar se do të largohet pas pas tre vitesh nga posti i …

Leave a Reply