Lulzim Basha pasditen e sotme ka shkuar në SPAK. Bëhet e ditur se, rreth orës 16:30 ai ka ngjitur shkallët e prokurorisë së posaçme.
Ai po pyetet nga një grup prokurorësh nga Belgjika lidhur me dosjen “Toyota Yaris”. Në Tiranë prokuroria shqiptare pasi e mori në pyetje, i mbylli hetimet për kryedemokratin, por autoritetet belge nuk e bënë të njëjtën gjë duke vijuar procesin.
Prej disa ditësh një grup zyrtarësh të drejtësisë belge, 4 prokurorë, 2 oficerë të policisë gjyqësore dhe një zyrtar zbarkuan në Tiranë për të pyetur Lulzim Bashën. Mesditën e sotme, belgët shkuan në SPAK, ndërsa prej orës 16:30 po marrin në pyetje liderin demokrat.
Gjykata e Tiranës dënoi me një vit e gjashtë muaj burg Ervis Vladin për sekuestrimin e 3.4 milionë eurove në dy mjetet tip “Toyota Yaris”. Këto të fundit kishin mbërritur në Portin e Durrësit nga Belgjika. Vladi ishte një ndër gjashtë personat, të cilët u hetuan për këtë çështje.
Bllokimi i sasisë së konsiderueshme të parave në portin e Durrësit në qershor 2018, prodhoi akuza të ashpra nga kreu i opozitës Lulzim Basha, sipas të cilave qeveria shqiptare ishte e lidhur me trafikun e drogës.
Basha paralajmëroi disa ditë përpara bllokimin e parave dhe akuzoi kryetarin e Grupit Parlamentar të Partisë Socialiste Taulant Ballën, si garantues të marrëveshjeve me krimin e organizuar.
Balla iu përgjigj duke e hedhur në gjyq për shpije Bashën dhe në Janar 2019 lideri i Partisë Demokratike u dënua nga Gjykata e Tiranës për shpifje me 50 mijë lekë gjobë.
Por ku e dinte Lulzim Basha? Kush ia dha informacionin? Për këtë drejtësia belge vijon hetimet dhe sot e mori në pyetje. /5pyetjet.al