Berisha: Edi Rama dhe Lulzim Brava ortakë në aferën Portit të Durrësit

Ish-Kryeministri Berisha e konsideroi aferë korruptive projektin për Portin e Durrësit. Gjatë takimit me qytetarët durrsakë ku prezantoi kandidatin për kryetar bashkie, Ardian Muka, Berisha tha se, Rama dhe Basha janë bërë bashkë për të grabitur Portin e Durrësit, gjë që nuk i ka ndodhur këtij qyteti në 3 mijë vite.

Thirrja e Berishës ishte për qytetarët që të mos blejnë asnjë m2 nga ajo që ai e quajti mafia Rama-Basha, të cilët kanë filluar të sheshin sipërfaqe ndërtimi në Portin e Durrësit.

Kompania arabe Emaar, tha Berisha, rezultoi kallp, ndërsa projektin ia ka shitur kompanisë Rama-Basha.

“Në 8 vite në Durrës, ka ndodhur vetëm beton-Gjush, Gjush-beton dhe asgjë tjetër. Së fundmi, në një akt të pashembullt në 3 mijë vite, Edi Rama dhe Lulzim Brava i vërsulen Portit të Durrësit. Në 3 mijë vite, Durrësi ka njohur edhe mynxyra, ka njohur pushtues të egër, tërmete të rënda, por edhe cuname. Durrësi në të gjitha kohërat është ringjallur nga Porti, Porti ka qenë burimi i forcës njerëzore të këtij qyteti. Në një farë mënyrë, Porti në të vërtetë ka qenë si të thuash një objekt i shenjtë për këtë qytet dhe vjen një ditë, gjejnë një arab multimiliarder, na thonë se Portin e merr Emaar-i se do ta bëjë si Dubai.

Porti i Durrësit në 3 mijë vite, gjithnjë ka qenë i ngjitur me qytetin dhe këtë e dinë të gjithë, por në vitin 2012 u bë projekti, dhe jo kaq i kushtueshëm, ku nëpërmjet thellimit Porti merrte anije 40-50 mijë tonëshe, të mjaftueshme për Shqipërinë. Por që të kryesh një veprim të tillë, pa i pyetur qytetarët e Durrësit që e kanë atë simbol të ekzistencës së tyre, krenari të historisë së tyre, asnjë pushtues nuk do ta bënte këtë. Edhe pushtuesi më i egër do të thoshte, dale, nuk jam i përjetshëm dhe këtë të mos e bëj unë. Këtë e bën Edi Rama me Lulzim Bravën sepse duan me çdo kusht të pasurohen.

Ta supozojmë se qytetarët e Durrësit në një referendum do të shprehen që Porti të transferohet në Porto Romano dhe këtu të mbetet Port Jahtesh, ky vendim do të respektohej nga çdo qeveritar. Por me një kusht që 800 e ca mijë m2 që janë aty, aty durrsakët kanë nga eshtrat e qindra brezave të tyre, lumenjtë e djersës të paraardhësve dhe të vetë atyre, ato janë pronë e tyre, ato s’mund të jenë kurrë pronë e kompanisë Rama-Basha, por janë pronë e qytetarëve të Durrësit. Çfarë na del tani, që Emaar-i ishte vetëm kallp, i cili pasi krijoi kompaninë me menaxher atë të kompanisë së Lul Bravës, tani thotë nuk jam më, ia shita thotë kompanisë Rama-Basha.

Cila është kjo kompani që i bleu Emaar-it aksionet. Emri i saj është fshehur në shpellat offshore të parave të pista dhe të mafies. Absolutisht është Edi Rama dhe Lulzim Brava. Vendimi për Portin duhet të jetë votim i juaji, duhet ju të votoni për fatin e Portit tuaj. Por ju bëj thirrje, mos blini asnjë m2 nga mafia Rama-Basha që kanë filluar të shesin sipërfaqe ndërtimi. Gjithçka do t’i nënshtrohet një procesi transparent përpara jush, përpara shqiptarëve, Porti është i qytetarëve të Durrësit”, u shpreh Berisha.

About Redaksia

Check Also

“Daily Mail”: Demokratët kërkojnë hetim për marrëdhëniet e Kushner me Ramën

“Daily Mail” Republikanët kanë shpenzuar gjashtë muaj në hetimin e shkarkimit të Bidenit duke gërmuar …

Leave a Reply