Berisha në Kalanë e Dodës: Premtim Kryemadhi është kandidati juaj, s’është kandidati i Lul Bravës

Lideri historik i PD, Sali Berisha i është drejtuar sot banorëve të Kalasë së Dodës me thirrjen për të mbështetur Premtim Kryemadhin, kandidatin e koalicionit “Shtëpia e Lirisë” në zgjedhjet vendore të 6 Marsit. Në fjalën e tij Berisha theksoi faktin se, kishte kërkuar posaçërisht të merrte pjesë në takimin me banorët e Kalasë së Dodës.

“Kam ardhur me kenaqësi të madh te ju. Një javë më parë unë i kërkova kandidatit tone dhe Ilir Krosit, mirëkuptim që të shkojmë në Kalanë e Dodës, para së gjithash për të shprehur nderimin më të madh para jus. Ju burrat dhe gratë e Kalasë së Dodës jeni ndër njerëzit më të fortë.

Kalaja, është Kalaja e Lirisë. Kalaja e Dodës është kalaja e shqiptarisë! Burrat e Kalasë, Radomirës, të Lumës, Bicajt, Kolosianit, zhvilluan një ndër betejat më të mëdha, më të lavdishme që kombi ka në historinë e tij. Në këtë betejë, Luma dhe Dibra u bënë digë e pakapërcyeshme për hordhitë serbe që ishin nisur të vërshonin drejt Shkodrës, Lezhës për të penguar pavarësinë e Shqipërisë…Serbët lanë në këtë betejë mijëra e mijëra barbarë…

Unë kam ardhur sot këtu gjithashtu për të kërkuar besimin tuaj, votën për Premtim Kryemadhin, kandidatin e Shtëpisë së Lirisë, duke iu dhënë juve fjalën se këtë besim, këtë votë, Premtimi do ta kthejë në shërbime ndaj jush!

Sot këtu nuk kemi shërbim shëndetësor, energjia elektrike mungon, çmimet janë më të shtrenjta se në çdo zonë tjetër të vendit. 1 kv miell që në 2013-ën kushtonte 460 lekë, sot kushton 600 e ca lekë kurse në Kala shkon dhe 700 lekë.

Për të shkuar në Tiranë, ju paguani taksë. Edi Rama rreh gjoksin se shqiptarët do të vijnë nga Londra në Kukës me 19 euro, por banorëve të Kalasë për t’u kthyer në shtëpitë e tyre iu duhet të paguajnë 10 euro. Një diskriminim i pafalshëm. Shqipëria po shkretohet, kështu edhe Kalaja.

Dje isha në Myzeqe. Çfarë më thanë?! 50% të lopëve të racës po i therin, se bari kushton dyfishin, kurse qumështi edhe më lirë. Kontrabanda e qumështit nga jashtë e bën pa vlerë qumështin e fermerëve tanë.

Para tetë vitesh ne kishim rrogat dhe pensionet më të larta në rajon, sot më të ulëtat në rajon; nafta është edhe më e shtrenjtë se në Zvicër. Kjo, sepse qeveria e sotme grabit e plaçkit pasuritë tona.

Ju e keni dëgjuar aferën e djegësve: 400 milionë euro nga taksat tuaja dhe sot s’ka asnjë incenerator në punë. Po pse? Sepse nga kreu i qeverisë deri tek drejtori,s ecili ka vjedhur paratë e taksave tuaja dhe tani duan ta mbyllin me dënimin e një hajduti.

Afera të tjera dalin çdo ditë. A do të vazhdojmë ne kështu?! Apo do të ndryshojmë? Unë ftoj banorët e kalasë së Dodës, të Peshkopisë, të firmosin më 6 mars ndryshimin, të firmosin për të kthyer shpresën te të rinjtë tanë që po largohen, që po lënë prindërit në pleqëri, në vetmi dhe të braktisur dhe vetë po ecin në të ardhme të pasigurtë.

Ndërkohë që me një politikë të drejtë, Korabi, Kalaja mund të shndërrohen në zona turistike si të zonave të zhvilluara, në të ardhura të mëdha për familjet dhe vendin.

Krahas Premtim Kryemadhit, këtu kandidon edhe kandidati i Ramës që vetëm gjak shqiptari nuk ka. Ju e shikoni “Ballkanin e Hapur”, aleancën me Beogradin kundër Kosovës. Para një viti Edi Rama urdhëroi deputetët e tij të mos votonin rezolutën e gjenocidit serb në Kosovë. Gjenocidi ka qënë i përsëritur. Vetëm Kalaja, Luma, njohën një nga gjenocidet më të egra që njohu Ballkani dhe ky zotëri refuzonte që ne të votonim në parlament, dënimin e gjenocidit serb. Mora këtë aspekt se në aspektin tjetër ai nuk njeh njerëz me halle, por vetëm si të pasurohen.

Krahas këtij kemi dhe kandidatin e Lul Bravës, të cilit Edi Rama me gjykatës dhe policsë, në një akt të shëmtuar, i ka dhënë logon e PD-së dhe përpiqet t’iu mashtrojë ju “se jemi PD-ja!!!”

Lulzim Brava përfaqëson një peng të vërtetë. Ndaj u bëj thirrje demokratëve të Kalasë së Dodës dhe të Peshkopisë, asnjë votë për pengun! Çdo votë për pengun, është humbje për PD-në. Është votë e munguar për PD-në.

Po do të thoni ju pse i them unë “peng”?! Ia them “peng” me baza, sepse Edi Rama, përveçse ka krijuar ndërmarrje të përbashkëta, por ia mbylli dosjen e “Toyota Yaris”.  Çdonjeri që do të deklaronte në parlament se ditën e shtunë do të vijë makina plot me euro, do të ishte sot brenda në çdo shtet të botës sepse dekonspironte operacionin e policive  të disa shteteve. Dhe prokuroria i hapi dosjen Lulzim Bravës, ia mbylli Edi Rama për ta marrë peng.

Së fundmi do t’u them këtyre miqve të mi demokratë që akoma nuk e kanë vendosur apo mendojnë se Lulzim Brava është – se thotë se është edhe dibran. Po ai s’e di nga është, jua them unë juve.

Jua tregoj unë. Ai bënte takim në Tiranë dhe kur shkuan edhe e ftuan hajde se të kemi dibran, “jo, nuk jam dibran unë, se e kam gjyshin se nga ka ardhur gjyshi Mitrovica!!!”. Por e lëmë këtë, rëndësi ka që atë s’e lidh asgjë me Dibrën. Absolutisht!

Ndaj dhe asnjë votë për Lulzim Bravën! Të gjitha votat për Premtim Kryemadhin dhe kjo është logoja e fitores: Shtëpia e Lirisë!

E kemi quajtur Shtëpi se jemi si familje të gjithë së bashku, e kemi Liri sepse premtuan lirinë, premtuan votën e lirë. Tetë vite premtoi Lulzim Brava dhe nuk e solli, tre muaj e premtuam ne , sot Premtim Kryemadhi është kandidati juaj, nuk është kandidati i drejtuesve të PD-së.

Ju falënderoj edhe njëherë me shumë mirënjohje dhe ju garantoj se PD në pushtet do të bëjë çmos të shndërrojë në realitet ëndrrat më të bukura të rinisë. Rroftë Kalaja e Dodës, Dibra dhe Shqipëria!”, u shpreh Berisha.

About Redaksia

Check Also

Nikolla u dorëhoq, apo e larguan?

Lindita Nikolla ka njoftuar se do të largohet pas pas tre vitesh nga posti i …

Leave a Reply