Berisha në Lushnje: Kjo qeveri po i çon fermerët drejt falimentimit!

Lideri historik i PD, Sali Berisha deklaroi nga Lushnja se, kjo qeveri po i çon fermerët drejt falimentimit. I ftuar në një takim të organizuar nga sindikata e fermerëve, Berisha tha se ky sektor po shkatërrohet.

“Ky sektor është shumë i rëndësishëm për Shqipërinë. Qëndrimi ndaj këtij sektori sot i një qeverie të papërgjegjshme, minimumi, është shkatërrimi i këtij sektori. Nëse e dëgjoni atë njeri, që unë i them Kreu i Meduzës, ai fjalën fermer ju garantoj se nuk do e gjeni në gojën e tij, edhe pse flet gjithë ditën. Për të fermeri dhe ferma, bujqësia nuk ekziston dhe mbi këtë bazë ai shpall të gjitha qëndrimet që po çojnë në shkatërrimin e këtij sektori.

Sektori i bujqësisë në Shqipëri punëson rreth 40 përqind të shqiptarëve, 51 përqind të grave në Shqipëri, kontribuon me 20 përqind të prodhimit të brendshëm, kontribuon në përmirësimin e balancës së pagesave, eksportet e frutave dhe zarzavateve kanë arritur në 80 milionë euro në vit. Janë një seri faktorësh që e bëjnë këtë sektor të një rëndësie jetike për vendin.

E vërteta është se ky sektor asnjëherë nuk ka marrë atë që meritonte, atë mbështetje që meritonte nga qeveria. Unë ju deklaroj këtu, se në vitet 2005-2013, të paktë janë ata që e dinë se ne shumicën dërrmuese i kemi bërë në fshat. Ne kemi investuar në fshat shumë më tepër se në të gjitha autostradat, rrugat e tunelet të marra bashkë. Ne si qeveri kishim plan që në çdo fshat të ofronim ato kushte që i ofronim për lagjet e qyteteve tona. Ky është një kusht themelor, pa të cilin fshati e ka të vështirë të ardhmen dhe zhvillimin. Gjithashtu vendosëm sistemin e granteve për prodhimet bujqësore. Sidoqoftë ato ishin të pamjaftueshme. Vendosëm 6 përqind TVSH- për rikthim, por ajo skemë nuk funksionoi.

Por nëse ne investuam 3.2 miliard euro në infrastrukturën e fshatit, ne përsëri nuk arritëm që një buxhet të merituar të kishim vetëm për punën e fermerit si të tillë. Ne besojmë se bujqësia është një potencial shumë i madh, qoftë prodhimi dhe qoftë punësimi. Kushtet dhe toka janë shumë të favorshme”, tha Berisha.

Sipas tij, asnjë shtet nuk humbet nga subvencionimi i fermerëve. “Këto subvencione janë të pranishme kudo, përveçse në Shqipëri. Edhe kur janë, janë thuajse inekzistente”, tha Berisha.

About Redaksia

Check Also

Kërcënimi mafioz i Ramës për Ahmetajn: Po fole…

Ish-zëvendëskryeministri Arben Ahmetaj do të flasë sërish nga arratia. Gazetari Çim Peka ka publikuar disa …

Leave a Reply