Kryetari i Bashkisë së Shkodrës, Bardh Spahia ka reaguar pas dy shpërthimeve që tronditën pas mesnatë qytetin më të madh të veriut.
Spahia shkruan se, dënon aktet kriminale dhe thotë, se qyteti nuk i përkulet krimit që është i importuar.
“Dënoj me forcë aktet kriminale që tronditën Shkodrën mëngjesin e kësaj të shtune.
Skena të tilla, kriminale me eksploziv, ndaj banorëve të Shkodrës, jo vetëm dëmtojnë imazhin e këtij qyteti por rrisin frikën dhe pasigurinë e shkodranëve për të jetuar dhe punuar në qytetin e tyre.
Ftoj institucionet ligjzbatuese, Policinë dhe Prokurorinë, të zbardhin në mënyrë urgjente këto ngjarje kriminale, që nuk janë të Shkodrës, por të krimit që ka marrë peng qeverinë!
Shkodra nuk i përkulet krimit!”, shkruan kryebashkiaku Bardh Spahia.