Një protestë është duke u zhvilluar përpara zyrave të SPAK-ut në Tiranë sot nga një grup qytetarësh dhe aktivistë të shoqërisë civile. Me megafon, ata i kanë bërë thirrje SPAK-ut të vërë në veprim drejtësinë për të cilin u ngrit dhe në veçanti, kreut të SPAK, Arben Krajës dhe trupës së tij që të justifikojnë pagat e majme që iu paguhen nga qytetarët shqiptarë.
Njeri nga protestuesit ngriti qartë këto çështje: “Disa muaj më parë dolën të dhënat tona personale dhe deri më sot askush s’e di kush i nxori. Kush do të mbajë përgjegjësinë për këtë?!
Hidrocentralet tona nuk po punojnë, basenet janë tharë dhe ne jemi pranë kolapsit energjetik. Kush e merr përgjegjësinë për këtë? SPAK-u duhet të marrë përgjegjësinë sepse është në lojë siguria kombëtare dhe për më tepër vendi rrezikon edhe kolaps financiar.
Së treti, jemi pranë Teatrit Kombëtar që duhet të kthehet në vendin ku ishte. Kemi bërë me dhjetërë denoncime dhe SPAK nuk ka bërë absolutisht asnjë lëvizje.
Po për betonizimin që po i bëhet Tiranës?! Lejet që jepen në mënyrë abuzive?! A ka ndonjë hetim nga SPAK-u për atë që po ndodh?! Ky është detyrim për z Kraja që merr një rrogë të madhe për atë post që mban aty. Të merren masa, ndryshe ne do të kthehemi përsëri këtu”.
Një tjetër protestues akuzoi më fort: “Ju keni një emër të madh – SPAK, por nuk po bëni aspak drejtësi e po merrni rroga të majme. Vetëm unë kam ngritur aty disa çështje dhe asnjë veprim ligjor nuk është ndërmarrë nga kjo palo drejtësi. Justifikojini ato rroga të majme që ju paguajnë qytetarët shqiptarët, veproni, se nesër drejtësia do të bjerë mbi ju!”, paralajmëroi qytetari.