Ditën e sotme zhvillohet mbledhja e grupit parlamentar të Partisë Demokratike. Në këtë mbledhje marrin pjesë edhe deputetët e Komisionit të Rithemelimit edhe pse nuk janë lajmëruar.
Atje ka mbërritur edhe lideri historik i demokratëve, Sali Berisha, i cili rikthehet pas 6 muajsh në mbledhje grupi. Ai nuk ka pasur një prononcim për mediat gjatë hyrjes në selinë e PD.
Po ashtu kanë mbërritur edhe deputetët Edmond Spaho, Flamur Noka, Luan Baçi, Tritan Shehu dhe Edi Paloka.
“Grupi i bashkuar është, duhet të kthehet në normalitet”, tha Edi Paloka në hyrje të selisë së Partisë Demokratike.
Ndërkohë, ish-Kryeministri Sali Berisha ka deklaruar brenda mbledhjes: “Duhet të pranoni realitetin”, teksa ka debatuar me Enkelejd Alibeajn.
Alibeaj: Prezenca juaj në këtë sallë është një sinjal i brishtë për demokracinë e brendshme në parti. Me prezencën tuaj ju po zhvlerësoni vendimet e organeve të kësaj partie. Ju jeni i përjashtuar nga grupi parlamentar dhe çdo forum.
Berisha: Alibeaj, më vjen keq për këtë qëndrim! Vendimi i Lulzim Bashës është anti-statutor! Ua kam thënë edhe pak ditë më parë dhe po ua përsëris, unë ju respektoj si kryetar grupi, por çdo organ vendimarrës në këtë parti ka qenë ilegjitime pas 11 dhjetorit. I vetmi organ që merr vendime është Komisioni i Rithemelimit.