Partia Demokratike nuk do të bëhet pjesë e një procesi të paracaktuar nga mazhoranca për zgjedhjen e Presidentit të Republikës.
Nënkryetari i grupit parlamentar të PD, Luçiano Boçi thekson se, për të fituar besimin e palëve dhe për të balancuar pushtetet, të drejtën për të propozuar kreun e ri të shtetit duhet ta ketë opozita.
“Grupi i Rithemelimit ka përcaktuar qartë se, nëse kompetenca e zgjedhjes së Presidentit të Republikës do t’i kalojë opozitës, atëherë opozita do të kalojë në negociata. Ne nuk themi që Rama të bëjë çfarë të dojë sepse i ka të gjithë elementët, por jemi duke thënë që nëse ato negociata janë false dhe gjoja për të përfshirë opozitën dhe me synimin për të zgjedhur një person të paracaktuar nga Rama, atëherë ajo nuk është negociatë por një hile politike që kërkon të përfshijë në vorbullën e vetë për hir të opinionit dhe për ta bërë pis opozitën”, deklaron Boçi.
Boçi deklaron se nuk ështe mandatuar askush për të negociuar me mazhorancën.
Një qëndrim edhe për kreun e grupit, Enkelejd Alibeaj.
“Çdo negociatë e mëparshme e nisur apo e presupozuar është e rrëzuar në këto momente. Z.Alibeaj nuk e ka të drejtën që individualisht të hyjë në negociata pa një miratim të kryesisë së grupit dhe më tej të grupit parlamentar, ndërkohë që negociatat do të kryhen në emër të Partisë Demokratike”, thekson ai.
Luçiano Boçi flet edhe për situatën e brendshme në PD dhe bashkimin e demokratëve.
“Nuk ka negociata brenda një force politike brenda palëve. Nuk ka palë. Është vetëm një palë dhe ajo është anëtarësia e Partisë Demokratike dhe ajo ka përfaqsuesit e saj që janë deputetët e PD. Nuk duhet të kemi iluzione që duhet të “pajtohet” grupi parlamentar dhe më pas ky pajtim të përcillet si mesazh. Jo. Është anëtarësia që na pajton ne. Është ajo forca kryesore ku ne mbështetemi. Grupi parlamentar aq sa është i fortë dhe e tregoi forcën e tij dhe ishte një forcë e jashtëzakonshme dhe duhet falenderuar për aktin e tij, aq është edhe vurnerabël para anëtarësisë”.
Në 30 prill Partia Demokratike ka thirrur mbledhjen e Kuvendit Kombëtar për t’i hapur rrugë përzgjedhjes së lidershipit të ri në krye të PD./ Abc