Kryeministri Edi Rama doli sot para mediave për të prezantuar rezultatet e Këshillimit Kombëtar. Ashtu siç pritej, këto rezultate i kanë shkuar për shtat interesave të Edi Ramës.
Mbi të gjitha spikat fakti se shqiptarët e duan në shumicë legalizimin e kanabisit, sipas Ramës. Edhe pse duhej të ishte një këshillim kombëtar, Rama tha se do nisë menjëherë legalizimin e drogës, duke shtuar se ajo do rrisë ekonominë.
“Do të legalizojmë kanabisin dhe do hapim një front të ri pune dhe rritje ekonomike, përveç rritjes së aspektit teknologjik. Ç’ka kanë thënë qytetarët, do të realizohet”, tha Rama.
Por i pyetur më tej se përse nuk i pyet qytetarët për taksat mbi karburantin, që po shkatërrojnë jetën e shqiptarëve, Rama tha se nuk do i pyesë kurrë për ktë çështje.
“Tani temë nuk mund të jetë a doni të hiqet taksa e naftës, se nëse ne bëjmë një Këshillim Kombëtar për naftën, do të na dalë që të hiqen të gjitha taksat. Këshillimi Kombëtar bëhet për të çarë disa rrugë të reja”, tha Rama.