Kryeministri Edi Rama mbajti sërish një fjalim të gjatë në Kuvend, ku e përmendi fjalën ‘vdekje’ me dhjetëra herë.
“Kur i vdekuri del e ju udhëheq duke thënë se jam gjallë, është më keq se numërimi mbrapsht. Ua kam thënë dhe po ua them. Ai që iku, po të kishte dëgjuar pak më me vëmendje zërin e arsyes do të ishte këtu akoma. Mos shkoni pas të vdekurit, mos e merrni lehtë. Mos u nisni nga fakti se do të mundni shpirtrat e lirë. Unë kam një shqetësim tjetër që ju asnjëherë s’do e kuptoni dot. Shqetësimi tjetër i imi është që ne këtu s’jemi për partitë tona, partitë tona janë për vendin tonë dhe ju jeni pjesë e vendit tonë. Mos ia lini Shqipërisë gurin në qafë me të lidhur bardhë e blu. Për të tjerat vazhdoni se ne këtu jemi. Për presidentin bujrëm do të bëni konsultimet e nevojshme me ne. Nëse do të jepni kandidaturë bindëse do e votojmë pa problem. Nëse s’e jepni ne do të bëjmë tonën. Nuk do të zgjedhim president nga grupi parlamentar i PS, por do të gjedhim një president që do të jetë përtej shumicës. Nëse na ndihmoni për këtë do të bëni një punë të mirë për vendin, ndërkohë po bëni çdo ditë punë të këqija për këtë vend”, tha Rama.
Pas tij reagoi lideri historik demokrat, Sali Berisha.
“Psikoza e vdekjes e kap njeriun kur ai ka kryer krime, që kalojnë në dëmet e tyre edhe vrasjen. Psikoza e vdekjes e kap kur bashkëpunëtorët e tij ndodhen në biruca dhe e thërrasin: eja te ne.
Psikoza e vdekjes e kap njeriun kur e di se është kapur në flagrancë duke vjedhur mandatet në këtë parlament dhe votën e shqiptarëve. Ai përfytyron masa njerëzish që do i rezervojnë fatin e të atit shpirtëror të 30 viteve më parë. Psikoza e vdekjes e kap njeriun që vjedh dhe është i tmerruar nga ato që ka vjedhur.
Për të gjitha këto i them se je i pashpresë dhe i garantoj se opozita do i garantojë vdekjen politike, jo atë biologjike,” tha Berisha.