Procesi për zgjedhjen e Presidentit të ri të Republikës është kthyer në kryefjalë e diskutimeve të ditëve të fundit. E ndërsa negociatat e mazhorancës me aktorë të tjerë për gjetjen e një emri konsensual veçse kanë nisur publicisti, Edmond Tupe, e konsideron skeç.
Tupja thotë se në kushtet e një opozite të dobët i vetmi që po qëndron përballë qeverisë është Grupi i Rithemelimit të PD.
“Kemi dhe këtu një show, teatër, një skeç, tha Tupe në Rtv Ora. – Luhet me fjalët, nocionet politike. Opozita është e përçarë, i vetmi që duket, pavarësisht kush është dhe si është, se mund të qëndrojë përballë partisë në pushtet, PS dhe qeverisë Rama, është Rithemelimi. Ata janë luftarakët. Nuk jam profet, por qëndresë po bën Rithemelimi. Ka vend për të kritikuar, por e vetmja opozitë aktualisht është Rithemelimi.
Krizën brenda PD-së ai e sheh si një garanci që qytetarët do të jenë të dënuar të vuajnë dhe për ca kohë.
Tupe: Kjo shërrnajë tregon se do të vuajmë akoma ca kohë. Fatalitet. Ka një shqetësim të madh te unë dhe shumë intelektualë të tjerë: Çfarë do bëhet në Shqipëri, çfarë do bëhet me popullin, çfarë do bëhet me të ardhmen e fëmijëve? Është zbrazur vendi, fshatra të tëra, dikush më tha për një qytet të vogël që është zbrazur fare. Më tremb fakti se disa Kryeministri ka thënë nuk prish punë, le të vijnë njerëz edhe nga Afganistani, kemi dhe iranianë, le të vijnë dhe nga Afrika tha, të gjithë janë të mirëpritur. I bie që shqiptarët të jenë të mirëpërzënë. Dhe i merr malli, flitet për diasporën, diaspora jonë. Por gjithë shqiptarët do të përfundojnë në diasporë dhe vendi nuk do të ketë më diasporë.
Një tjetër shqetësim është dhe gjendja e arsimit. Në një rankim të ditëve të fundit Universiteti i Tiranës renditej i 3786 nga 31 mijë universiteteve në botë, praktikisht të fundit në rajon.
Si ish-pedagog në këtë universitet, Tupe ka këtë analizë.
Tupe: Faji është jetim, askush se merr përsipër. Por fajin sigurisht e ka qeveria, universitetet tona. Para shumë vitesh flitej për diktaturën e dekanëve, bëhet fjalë për ligjin e arsimit. Problemi është brenda stafit pedagogjik. Edhe pedagogët e huaj janë skandalizuar që nga 10 nota që janë bërë me 7 nota. 1, 2, 3 nuk figurojnë më, 4 është mbetëse, notat e tjera kaluese. Francezët habiteshin si është e mundur. Në dije ka shkallë por dhe në padije ka shkallë. Unë i kam vënë notat nga 1. Më dorëzon fletën e bardhë 1, bën diçka 2, 3. Më kanë thënë dy pedagogë, tani nuk ngelin më studentë se po të ngelin shumë studentë bie norma, nëse ikin 20 studentë ikën një pedagog nga fakulteti se është i tepërt, ka një numër orësh të caktuar në vit. Të gjitha këto unë i kam jetuar nga brenda kur kam qenë në Fakultet. Nuk e di çfarë do të ndodhë. Korrupsion? Nuk ma ha mendja që pedagogët kërkojnë…se ka qenë praktikë kjo para 15 vjetësh, e kam jetuar vetë. U merrnin para mbetësve, kishte pedagogë të tillë. Fondet, çfarë bëhet me fondet që i jepen arsimit, si shfrytëzohen?
I pyetur nëse po shkojmë drejt një mjerimi shoqëror, Tupe shprehet:
Tupe: Jam pesimist se janë krijuar reflekse tani. Vijnë fondet dhe mesa duket dikush do ta ngjyjë dorën aty, në gjithë sektorët. Shikoni çfarë bëhet me tenderat, betonizimin e qyteteve. Është për të vënë kujën, ulërimën.
Ndërsa vijon të jetë aktiv me analizat e tij, dy fjalë të rëndësishme tanimë të shqipes, pushtetarët dhe incineratorët, kanë marrë vëmendjen e tij.
Tupe: U mora me incineratorët, plehradjegësit. Janë një burim fitimi mesa duket që shkojnë nëpër xhepa të gjithë. SPAK-u sikur ka filluar zgjohet por duhet shkuar te koka e të keqes, aty se di çfarë do të bëjë SPAK-u. Megjithatë duhet luftuar, duhet besuar se diçka do të ndryshojë, se kur nuk e di. Unë sapo kam kapur moshën treçerekshekullore dhe nuk e di nëse do të arrij të shikoj që korrupsioni të ikë diku, të kërkojë strehim diku tjetër.