Kush është biznesmeni që Rama i fali Plazhin e Gjeneralit

Qeveria vijon tjetërsimin masiv të pronave publike në zonat më të lakmuara të bregdetit për llogari të bizneseve afër saj, duke përdorur ligjin kontrovers të investimeve strategjike. Këtë herë, kthetrat e grabitjes kanë rënë mbi Plazhin e Gjeneralit, një nga zonat më të bukura të bregdetit shqiptar.

Përmes një vendimi në Komitetin e Investimeve Strategjike, qeveria ka vendosur t’i japë falas 635 mijë metër katrorë tokë publike, praktikisht të gjithë atë që njihet si Plazhi i Gjeneralit, një kompanie private të quajtur ‘Mediterranean Wave’. Kjo është një kompani e krijuar vitin e kaluar dhe zotërohet 100 për qind nga ‘Shijaku shpk’ e Shpëtim Shijakut.

Mbi pronën e falur shtetërore, kompania do të investojë sipas saj 50 milionë euro për të ndërtuar një resort turistik. Sipas vendimit, resorti do të ketë në përbërje hotele, vila (fshat turistik), shërbime të hotelerisë, parqe, hapësira për aktivitete dhe sistemime të vijës bregdetare. Por favoret nuk përfundojnë vetëm me faljen e tokës në bregdetit.

Kompania ka marrë statusin e investitorit strategjik dhe përmes tij qeveria i ka dhënë asaj edhe të drejtën ekskluzive të shfrytëzimit të plazhit ranor për 30 vjet. Paralelisht, shteti ka marrë përsipër të ndërtojë të gjithë infrastrukturën rrugore, ujësjellësin, impiantin e ujërave të zeza si dhe nënstacionin e energjisë elektrike. Të gjitha këto vepra që do të shërbejnë ekskluzivisht vetëm për resortin dhe të pasurit që do të blejnë vila aty, do të ndërtohen me paratë e qytetarëve.

Ky është një vendim, ku me një të rënë të lapsit i falen një kompanie private minimalisht 60 milionë euro prona publike. Por privatizimi falas i Plazhit të Gjeneralit nuk është prona e parë publike që i jepet kompanisë Shijaku.

Dy vjet më parë, qeveria i dha asaj po falas, kundrejt çmimit simbolik 1 euro edhe 140 mijë metër katrorë tokë publike, pjesë e vendkomandës qendrore të Ushtrisë në zonën e Saukut. Ndërsa vetëm pak muaj më parë, kjo kompani arriti të marrë lejen për të çmontuar Kombinatin e Përpunimit të Thellë të Naftës në Ballsh, që ndryshe njihet si Uzina e ARMO-s.

E klasifikuar si sektor strategjik, legjislacioni në fuqi e ndalonte në mënyrë kategorike falimentimin apo çmontimin e ARMO-s. Kjo ishte arsyeja se pse një numër i madh tentativash të mëparshme nga shumë kompani private për të çmontuar ARMO-n kishin dështuar. Deri pak muaj më parë, kompania ‘Shijaku’ arriti ta shtinte në dorë këtë pasuri dhe të siguronte lejen për çmontimin e saj duke e shitur për skrap.

Plazhi i Gjeneralit, i lakmuar për t’u investuar që më 2009

Plazhi i Gjeneralit ka qenë lakmi e vjetër e investitorëve që kanë synuar përfitimin e pronave publike. Investimi i një kompanie zvicerane ka qenë shkaku i falsifikimit të dokumenteve në Plazhin e Gjeneralit, pjesë e komunës Synej, Kavajë.

Plazhi duket se ka ngjallur interesin në 2009, sapo kanë parë që në lojë kanë hyrë 520 milionë euro të ofruara nga një kompani turizmi zvicerane. Deri më tani pjesa e plazhit dhe zona rreth tij ka qenë repart ushtarak dhe më pas pronë e komunës Synej.

Por interesimi i investitorëve zviceranë ka bërë që të ngjallen interesa për këtë copë bregdet të braktisur dhe menjëherë kanë hyrë në punë falsifikatorët, të cilët, kur bëhet fjalë për shumë të tilla, janë përherë njerëz të afërt me pushtetin. Projekti i ofruar nga kompania zvicerane është akoma në fazën e idesë dhe kërkesa është dorëzuar në zyrën e Urbanistikës së komunës Synej.

Kryetari i kësaj komune, në një prononcim për median, ka pranuar se projekti është miratuar në KRRT e kësaj komune, por më pas nuk pranoi të prononcohej më për këtë çështje, duke refuzuar të thotë dhe emrin e kompanisë në fjalë. Të gjitha përfitimet më tej do t’i shkonin komunës së Synejit, e cila ishte dhe pronarja e tokës. Ka qenë pikërisht ky fakt, si dhe sinjalet që në këtë zonë priteshin investime të mëdha, ajo që ka vënë në lëvizje grabitësit e tokave, dhe që me anë të një avokati, i lidhur ngushtë me fijet e pushtetit, ka bërë të mundur falsifikimin e dokumentacionit.

Kanë falsifikuar hartat, duke bërë të mundur që toka arë të lëna djerrë me kilometra larg bregdetit një ditë papritur të shfaqen në buzë të tij. Dhe nuk kanë qenë pak, por 48 hektarë, pra, i gjithë plazhi i kësaj zone i planifikuar të shndërrohej në një resort turistik nga kompania zvicerane. /Panorama.al

About Redaksia

Check Also

Deklarata e fortë e ish-kreut të Prokurorisë: Si u zhdukën përgjimet e krerëve të bandave me majat e politikës

Nga Besim Hajdarmataj  Hetimet e organeve ligjzbatuese kundër krimit të organizuar të profilit të lartë nxisin …

Leave a Reply