Ish-Kryeministri Sali Berisha e konsideron 11 Dhjetorin e vitit 2021 si ditëlindjen e dytë të Partisë Demokratike. Në Kuvendin që u zhvillua atë ditë, Berisha tha se, rilindi PD-ja. Berisha e konsideroi Edi Ramën “albanofob bastard i nomeklaturës së vjetër komuniste”.
“Krenarë sepse pas një eksperience patëm një ditëlindje të dytë më 11 Dhjetor të vitit 2021 në një Kuvend historik rilindi përsëri PD. Kjo parti nuk vdes kurrë. Ajo jeton dhe do jetojë në idealet më fisnike të lirisë së shqiptarëve. Ju e rithemeluat atë sepse doni të fshini nga faqja e dheut regjimin e bazuar në krimin, drogën, urrejtjen ndaj shqiptarëve.
Ne u rithemeluam sepse donim të vendosur të mbrojmë interesin kombëtar të shqiptarëve të nëpërkëmbur nga një albanofob bastard i nomeklaturës së vjetër komuniste që shkelmon mbi dinjitetin dhe qenien e interesave shqiptare, Edi Rama”, u shpreh Berisha.
Edi Ramën e sulmoi edhe për krizën dhe keqqeverisje. “Lufta që monstra me fytyrë njerëzore, agresioni kundër Ukrainës, krijoi në Europë një krizë të pamohueshme energjetike, edhe te çmimet e ushqimeve, por në Shqipëri, e cila drejtohet nga organizata kriminale më e rrezikshme e kontinentit, pasojat u ndjenë tre herë më shumë, përfshirë Ukrainën që lufton, sepse qeveria përdor krizën për pasurimin e tyre.
Në Shqipëri 98% e energjisë prodhohet nga uji, me kosto të ulët, por u shitet shtrenjtë qytetarëve. Kriza vjen sepse qeveria shet duke përvetësuar për vete dhe blen me çmime tre herë më të larta. Aty ku dhunohet e drejta, lind qëndra dhe protesta”, tha ai.
Më pas ai u ndal te non grata. “Unë jam sanksionuar nga DASH me akuza për të cilat në mënyrë absolute nuk ekziston asnjë fakt apo provë. Jam sanksionuar nga lobimi korruptiv i George Soros dhe Edi Ramës. Cilido që paraqet një fakt, një dokument, një provë më të vogël kundër Sali Berishës, ai është i gatshëm që të marrë çdo masë ndaj vetes së tij. Unë jam Sali Berisha, kurrë nuk e pranoj shpifjen dhe gënjeshtrën për të vërtetë”, tha Berisha.