Nevoja për një qasje të re politike/ A po e ofron këtë sot PD-ja e rithemeluar?

Nga Edison Balla, Pedagog

Që në muajin shtator të vitit të kaluar, kohë kur ish-kryeministri Berisha nisi turin e tij të foltoreve në cdo qytet të Shqipërisë për të kundërshtuar shpalljen e tij “Non Grata” dhe për të shpjeguar atë që ai e konsideroi si shitje të opozitës, duhet thënë që jo pak ujëra janë trazuar në politikën shqiptare e ca më shumë në PD.

Kuptohet që për cdo individ, aq më tepër pastaj për analistët e njerëzit e medias kjo “fushatë” e ish-kryeministrit Berisha është parë e gjykuar në mënyra të ndryshme. Disa nuk kanë hezituar ta shpallin këtë lëvizje politike si një lëvizje personale të Berishës, ndërsa të tjerë e kanë përkufizuar atë si një nevojë për rithemelimin dhe ringritjen e Partisë Demokratike.

Është e kuptueshme pra që gjykimi mbi këtë akt, tek e fundit si për cdo akt e situatë tjetër është i ndryshëm.
Ama, përtej gjykimeve e paragjykimeve me rëndësi për ne si qytetarë që shqetësohemi realisht mbi atë se cfarë ndodh me opozitën e vendit dhe që jemi në një kërkesë krejt legjitime e të drejtë për të kërkuar një opozitë funksionale, reale, të fuqishme, që kërkon llogari e mbi të gjitha që është në anën e kundërt të pushtetit, hapur e fshehurazi, cdo zhvillim e cdo lëvizje që tenton të fuqizojë opozitën duhet mirëpritur. Kjo pra në parim, se është e mirëkuptueshme edhe nevoja që lëvizje të tilla të gjykohen me analizë e sy kritik në raport me interesin publik dhe demokracinë e vendit.

Sistemi ynë politik dhe ai shtetëror në tërësi vazhdon të “vuajë” në gjithë këto vite nga mungesa e qarkullimit të elitës, mungesa e garës dhe meritokracisë, korrupsioni që vazhdon të mbetet në nivele të larta dhe probleme të tjera, ç’ka të gjitha bashkë kanë sjellë sot një situatë anormale e thuajse të pashpresë për një numër të madh të rinjsh të cilët e shohin largimin si të vetmen zgjidhje. Fakt për këtë janë anketat dhe gjetjet e publikuara nga organizata të ndryshme brenda e jashtë vendit, por edhe të vetë INSTAT që tregojnë që mbi 70% e të rinjve janë të gatshëm të largohen nga vendi në mundësinë e parë që do iu jepej.

Kjo pra është ajo cfarë ka prodhuar ky sistem, ndaj dhe i gjithë diskuri duhet ndërtuar pikërisht mbi këtë realitet e mbi këtë nevojë, pra nevojën e ndryshimit të sistemit për të risjellë në lojë garën, shanset dhe mundësitë e barabarta. Kërkesa këto që janë në interes të cdo qytetari e të riu/reje, por edhe cfarë është më e rëndësishmja janë vetë esenca dhe motorët e zhvillimit në demokraci.

Pra në mendimin tim cdo lëvizje që synon të fuqizojë e aktivizojë opozitën e për pasojë të sjellë impulse ndryshimi në sistem, cka nënkupton hapjen e garës, votën e lirë, shanset e barabarta pavarësisht emrit të familjes e prejardhjes, por të bazohet në meritën e individit, duhet mbështetur e duhet mirëpritur. Por për këtë lipsen veprime konkrete në mënyrë që njerëzit të binden dhe që opozita të rishihet në skenë si alternativë qeverisje, por mbi të gjitha cfarë është më e rëndësishmja të shihet e besohet si opozitë e vërtetë. Pra ajo për të cilën ka nevojë më së shumti vendi sot.

Por që gjithsesi për tu kthyer tek pyetja që kemi ngritur në krye. A po sjell sot PD-ja e rithemeluar këtë qasje për të cilën folëm deri më tani? Është e rëndësishme që të gjykojmë e analizojmë mbi atë që lëvizja e “Foltores” e më pas zgjedhjet e forumeve të larta të PD-së kanë prodhuar deri më tani.

Është lehtësisht e dukshme që në rradhët e demokratëve e kjo përtej edhe të atyrë që përbëjnë antarësinë e partisë, por edhe në rradhët e njerëzvë të paangazhuar politikisht ka një qasje pozitive në raport me zhvillimet e fundit në partinë më të madhe opozitare, Partinë Demokratike. E kjo qasje pozitive është pra e kuptueshme, sepse të gjithë ata qindra mijëra shqiptarë që në zgjedhjet e një viti më parë votuan PD-në,që i kalojnë me shumëfish numrin e antarëve të PD-së presin sot një parti e cila është në gjendje të bëjë opozitë reale dhe aktive ndaj qeverisë.

Nga ana tjetër ka edhe një qasje publike për ta hapur partinë ndaj figurave të reja dhe për të risjellë garën. Këtu flasim pra në bazë të asaj cfarë vetë z. Berisha ka artikuluar publikisht, por edhe nisur nga qëndrimet e vetë Komisionit të Rithemelimit që sot janë PD-ja “de juro” dhe “de facto”.
Kuptohet që vec artikulimit që duhet thënë është një hap pozitiv, për skeptikët dhe atë që ne e quajmë shpeshherë “pjesa gri” do duhen edhe veprime të tjera më konkrete për të reflektuar gjithë atë diskurin e një partie të bashkuar e të hapur ndaj vlerave të reja. Veprime tek e fundit që janë të vetmet që mund ta shndërrojnë Partinë Demokratike sot në një opozitë të fortë e të vërtetë e nesër në një alternativë të besueshme për tu votuar në zgjedhjet lokale dhe ato qendrore.

Pra në fund ne mund të mos biem dakord për shumë gjëra ose mund t’i lexojmë në mënyra të ndryshme këto zhvillime politike që kanë ndodhur në Partinë Demokratike gjatë këtyre muajve. Ama nuk kemi sesi të mos biem dakord mbi domosdoshmërinë dhe rëndësinë e ndodhjes së këtyre levizjeve, të paktën për atë pjesë të qytetarëve të cilët janë në të drejtën e tyre për të kërkuar një opozitë të fortë që t’u mbrojë të drejtat, dhe të ofrojë një alternativë të mirë e reale për të përmirësuar jetën e tyre.

About Redaksia2

Check Also

Nikolla u dorëhoq, apo e larguan?

Lindita Nikolla ka njoftuar se do të largohet pas pas tre vitesh nga posti i …

Leave a Reply