Nga Genc POLLO
Sot Parlamenti Europian votoi sot një rezolutë në përkrahje të procesit të integrimit europian të Shqipërisë duke theksuar se stacioni i fundit i këtij procesi është anëtarësimi në BE dhe ku bëhet thirrje për të filluar tashmë negociatat për këtë qellim.
Duhet patjetër të falenderojmë Parlamentin Europian dhe çdo eurodeputet të angazhuar me hartimin e mbështetjen e rezolutës. Por do të ishte e gabuar të kufizohemi me duartrokitje, të mos lexojmë problemet që liston rezoluta të cilat, janë pengesë për hapa para pavarësisht nga çfarë ndodh me negociatat.
Për të ndihmuar informimin e publikut po listoj këtu pasazhet relevante:
1- Shpreh keqardhjen për ndryshimin jokonsensual nga qeveria të Kushtetutës e të Kodit Zgjedhor para zgjedhjeve parlamentare.
2- Kujton nevojën për të korrigjuar problemet si…votë-blerja; shpreh keqardhjen për mosdënimin në gjykatë të zyrtarëve të lartë të përfshirë në votë-blerje.
3- Vëren nevojën urgjente për përmirësim lidhur me lirinë e shprehjes, pavarësinë e medias dhe pluralizmin e saj dhe është i shqetësuar nga mosprogresi në këtë lëmë. Shënon se Shqipëria ka rënë poshtë tetë vende në renditjen e Reporterëve pa Kufij.
4- i kërkon autoriteteve që të veprojnë kundër intimidimit të gazetarëve ….politikanët të ndalin sulmet verbale…. Rithekson shqetësimin e rëndë për paketën ligjore “anti shpifje”. Thekson nevojën se AMA duhet të veprojë paanshmërisht. Thekson se Agjencia e Medias e Infromacionit nuk duhet të pengojë gazetarët të gjejnë informacion në burime shtetërore.
5- Shpreh shqetësimin serioz për rrjedhjen masive të të dhënave personale.
6- Nxit Komisionin Europian të zbatojë raportin 01/22 të Gjykatës së Llogarive duke siguruar që fondet e BE të forcojnë shtetin ligjor në Ballkanin Perëndimor përfshi Shqipërinë ( raporti 01/22 ishte kritik ndaj disa reformave të financuara nga BE përfshi edhe Reformën në Drejtësi- gp)
7- Thekson nevojën e domosdoshme për masa që eliminojnë efektet anësore të vetingut si procese të stërzgjatura, konfirmime të ulëta dhe akumulimi i madh i çështjeve për gjykim.
8- Shpreh keqardhjen që denimet për zyrtarë të lartë mbeten të ulëta çka ushqen kulturën e pandëshkueshmërisë
9- Inkurajon eliminimin e mangësive e problemeve me larjen e parave sipas rekomandimeve Moneyval (Raporti vjetor i Moneyval thekson se Shqipëria nuk ka bërë progres gp) 10- Inkurajon autoritetet që të mos lëshojnë pasaporta kundrejt investimeve sepse ka risk sigurie, korrupsioni e evazioni (Rama para dy vjetësh në Londër deklaroi se do e zbatonte këtë skemë, madje u tall me rezervat e Brukselit. gp)
11- Shpreh keqardhjen që buxheti për arsimin në v. 2021 ishte vetëm 2,7% e PBB (pa koment ! )
12- Kujton se projektet infrastrukturore, perfshi Portin Durrës, duhet të respektojmë me standardet europiane të prokurimit publik siç parashikon Marrëveshja e Stabilizim Asociimit (ky Paragraf është goditje direkte kundër projektit korruptiv me sebepin Nusreti – Al Abaar gp).
13- I bën thirrje qeverisë shqiptare të zhvillojë Tregun e Përbashkët Rajonal/ Procesi i Berlinit (asnjë fjalë për Ballkan hapu. gp).
Genc Pollo