Presidenti i Francës, Macron më herët dhe Presidenti i Këshillit Evropian, Charles Michel, së fundmi kanë propozuar krijimin e një Bashkësie gjeopolitike evropiane, në të cilën do të përfshiheshin vendet evropiane që ende nuk janë anëtare të BE-së. Kjo do të përfshinte edhe vendet e Ballkanit Perëndimor.
Gjatë konferencës për shtyp në Tiranë Michel dhe Rama folën për Shqipërinë si një vend i asociuar, çka do të thotë se vendi ynë do të jetë në tryezat e BE-së ku do të ketë vendimmarrje të rëndësishme, megjithëse jo një vend anëtar.
Ju propozoni një mekanizëm të ri, jo për anëtarësimin, por i mban afër vendet me BE-në. pse harxhohen kaq shumë energji për të gjetur mekanizma të rinj dhe nuk investohen energjitë që në Qershor Shqipëria dhe Maqedonia e Veriut të marrin një datë për Konferencën Ndërqeveritare?
Michel: Keni të drejtë. Objektivi kryesor që kam unë është t’i japim energji të reja procesit të integrimit në BE. Të fillojë biseda për anëtarësim sa më shpejt të jetë e mundur. Unë kam vendosur që çështja e mënyrës se si po punojmë me miqtë tanë, ta vëmë në tryezë. Prandaj ftova edhe miqtë tanë të Ballkanit perëndimor që të marrin pjesë në takimin e qershorit. Kjo është një gjë. Ne mendojmë që është gjë e mirë që të diskutojmë me miqtë tanë për këtë ide, jo që të gjejmë një justifikim tjetër, por ti japim një shtysë më të madhe kësaj. Ne ishim të gjithë në Suedi dhe shkëmbyem ide me njeri-tjetrin. Kryeministri më tha se sa e rëndësishme është të përfshijmë udhëheqësit në nivel politik. Unë e ndaj këtë mendim me të. Ju e dini, një ide që është shumë pranë me këtë koncept, e anëtarëve të asociuar, është një qasje e përafërt që të bashkëpunojmë me njeri-tjetrin. Ne duhet të kujdesemi për njeri-tjetrin dhe të jemi operacionalë. E ritheksova mbështetjen time personale dhe të plotë.
Rama: Është një pyetje me shumë rëndësi dhe është me shumë rëndësi që të jepet përgjigjja e plotë pa lënë të zëmë vend ideja që këtu kemi të bëjmë me një shmagie. E kam diskutuar edhe me Presidentin e Francës dhe Kancelaren nevojën që BE të kapërcejë këtë fazë kur e gjithë marrëdhënia jonë me BE-në si Shqipëri apo vende të Ballkanit Perëndimor është një marrëdhënie që kalon vetëm përmes procesit të integrimit europian dhe të hedhë një hap më tutje për ta afruar politikisht shumë më pranë Ballkanin Perëndimor. Teknikalitetet janë çështje tjetër, por flasim në parim, duke bërë të menjëhershëm integrimin në aspektin politik. Që do të thotë pjesëmarrje e vendeve tona në tryeza, pjesëmarrje në proceset e përgatitjeve të vendimmarrjeve që lidhen me sigurinë dhe përballimin e krizave që të bashkëjetojmë si një komunitet i njëjtë. Brenda këtiij komuniteti vendet kanë detyrimet e tyre. Ideja e anëtarit të asociuar të BE-së është një ide që po merr më shumë mbështetje. Nuk e dimë se si dhe kur do materializohet, por e kam ndjekur dhe e mbështes plotësisht vizionin e Presidentit të Francës. Mendoj që është një gjë fantastike. Sa i përket Maqedonisë së Veriut, jemi në një linjë me Këshillin Europian dhe deri në fund kur të kryhet edhe mbledhja e Këshillit Europian, shpresojmë që Bullgaria të hapë rrugën. Në rast se nuk ndodh do ndryshojmë kursin dhe një shumicë e konsiderueshme shqiptarësh, Shqipëria duhet të ndahet nga Maqedonia e Veriut dhe të ndahet nga kthetrat e Bullgarisë.