Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha komentoi nga foltorja e Kuvendit koncesionin e Parkut Kombëtar të Butrintit. Berisha tha se Edi Rama ka planifikuar të ndërtojë 620 vila në Kepin e Sillës, gjithashtu resorte të mëdha në gjirin e manastirit. Ndër të tjera Berisha theksoi se Edi Rama nuk e bën për gjë tjetër veçse për të kënaqur ambicien e tij korruptive.
“Thellësisht të mbrojtura dhe studiuesit besojnë se aty kanë strofullat e tyre nënujore edhe foka mesdhetare. Tek zona nënujore dhe tek e bregut ka objekte arkeologjike të një vlere të paçmuar.
Ka zona rekreative, siç është manastiri i kishës për të cilën u diskutua. Ku qëndron shkaku, problemi themelor i kësaj marrëveshje.
Çfarë ka bërë Edi Rama në këtë rast? Edi Rama duke shftyrëzuar një plan menaxhimi të zonës, ka parashikuar të ndërtojë 620 vila në Kepin e Sillës, ka parashikuar të ndërtojë resorte të mëdha turistikë në zonën e gjirit të manastirit. Nuk u takonte ju të shndërroheshit në një mashë të Edi Ramës për të kënaqur ambicien e tij të pafundme korruptive”, tha Berisha.
Kryetari i Partisë Demokratike tha se kjo është një nga marrëveshjet më korruptive në histori.
“Avokatja që ka bërë kontratën, është bërë anëtare e bordit. A ekziston konflikti i interesit? Shteti ka vetëm dy vetë, ministren dhe një të departamentit të arkeologjisë”, deklaroi Berisha.
Ai akuzoi Fondacionin Shqiptaro-Amerikan të Zhvillimit (AADF) që prezantoi planin e menaxhimit, se janë shndërruar në mashë të Edi Ramës.
“Fondi është autori i planit të menaxhimit, Fondi ka bërë para këtij plani një plan tjetër menaxhimi të cilin nuk e publikon sepse nuk thotë pikërisht këto që thotë plani i dytë. Mund t’ju them edhe zotërinjve të Fondit, nuk ju takonte ju të shndërroheshit në një mashë të Edi Ramës, për të kënaqur ambiciet e tij të pafundme korruptive. Zotërinj të Fondit, dua t’ju pyes ju nga ky Parlament, a ekziston konflikti i interesit apo jo? A është konflikti i interesit një nga parimet madhore të korrupsionit? Nuk mundeni kështu! Pse nuk bëtë planin e menaxhimit për të gjithë Parkun Kombëtar? Shtoj këtu se zona A2, A3, kanë patur planin e menaxhimit. Kë pyetët ju që bëtë këtë hata me Parkun e Butrintit? Kush u pyet? Profesor Muraj, Profesor Bego, Profesor Bino? E kuptoni ju që aty ka pasuri biologjike natyrore të pafundme”, tha Berisha.
Ish-kryeministri kujtoi protestat e AADF kur qeveria e kaluar ndërhynte për të rikonstruktuar një rrugë dhe menjëherë organizoheshin protesta se prekej zona e mbrojtur.
“Unë kam pa asnjë diskutim respektin më të madh për kontributet e tyre shumë të mëdha në Shqipëri, në projekte. Por zotërinj të nderuar, keni qenë ju që kur qeveria e mëparshme zgjeronte një rrugë dhe protestonit pse u zgjerua rruga, që protestonit pse u hoq një zonë kreative siç ishte Ksamili që ishte hequr de facto. Kurse tani ju bëni një plan menaxhimi i cili shërben si pretekst për ata që duan të dinë të vërtetën për të rrëmbyer 830 ha toka me pasuri të shumëllojta dhe për të bërë ndërtime klani Rama dhe klanet e tjera”.