Paqartësia

Është një vend i vogël, Republika ime Çeke, dhe, siç ndodh shpesh me vendet e vogla, ka qenë prej fuqive që vendosin fatin tonë pa na pyetur. Qe kështu me Habsburgët, pastaj me Mynihun në 1938, me Jaltën në ‘45. Jemi mbrojtur me humorizëm. Jan Palach në ’68 ka provuar të na zgjojë. Na mbetet dilema midis të qenit viktima apo të adoptojmë një virtyt më të madh.

Kanë kaluar saktësisht 50 vite nga dita ku në sheshin kryesor të Pragës u ndez një pishtar njerëzor. «Pasi që populli ynë është në pragun e dëshpërimit, kam vendosur të shpreh protestën time dhe ta ndez veten në zjarr në emër të kauzës tonë», shkroi studenti 20 vjeçar Jan Palach përpara se t’i hidhte vetes benzinë dhe ta ndizte shkrepsen. Gjesti i tij i dëshpëruar dëshironte të nxiste qytetarët e Çekosllovakisë socialiste, me tanket e Rusisë që synonin nga dritaret, në rebelim. Shpirti i brishtë i studentit të Historisë nuk duronte t’i shihte bashkëkombasit e tij të ulnin kokën, të mundur nga një letargji që qysh në momente  të tjera historike vendimtare i kishte mundur, në vend që të luftonin për idetë demokratike e Pranverës së Pragës të 1968. Pa asnjë forme rezistence qenë përshtatur me kushtet e reja të diktuara nga pushtuesit, duke e duruar humbjen si fatin e pashmangshëm të një kombi të vogël. Çfarë fakti tjetër do ta priste një shtet të vogël, i ndodhur për më tepër në një zonë mjaft të paqartë e Europës Qendrore, i tendosur nga historia, midis superfuqive Rusi dhe Gjermani?

Në librin Perëndimi i sekuestruar. Domethënë tragjedia e Europës Qendrore e vitit 1983, bashkëkombasi im Milan Kundera, shkrimtar i shquar në nivel botëror, propozoi këtë përkufizim: «Vendet e vogla janë ato shtete ekzistenca e të cilëve mund të vihet në dyshim në çdo moment. Një vend i vogël mund të zhduket dhe është goxha i vetëdijshëm. Në francez, një rus apo një anglez nuk do ta ngrinin kurrë pyetjen nëse shteti i tyre do të arrijë të mbijetojë. Himnet e tyre flasin vetëm për madhështi dhe përjetësi». Në një mënyrë apo në një tjetër, himnet e shteteve të Europës Qendrore përqëndrohen kryesisht mbi luftën për liri. Polakët, që pavarësisht dimensioneve më të mëdha, ndajnë me shtetet e vogla preokupimin për mbijetesën e tyre, inkurajohen me fjalët «Polonia nuk do të vdesë derikur ne do të jemi në jetë!», ndërsa sllovakët në këngën e tyre të gjallë ngushëllohen me shpresën se, pavarësisht shtypjes së atëhershme hungareze, një ditë «sllovakët do ta rimarrin veten!». Në të kundërt, himni çek është i ndërthurur me melankoli dhe fillon me fjalët: «Ku është atdheu ynë?». Violinisti çek që e këndoi për herë të parë, më 1834, si pjesë të një vepre teatrale, shprehte nostalgjinë e tij për truallin e lindjes, ende të dominuar nga Habsburgët, të cilët gjatë qeverisë despotike të kancelarit Metternich, i patën thithur çdo energji jetike. Fjalët hyrëse të himnit çek shprehin ndjenjën bazë, që nga fundi i Mesjetës heroike, ka vazhduar të na shoqërojë në të gjithë epokën moderne. Paqartësi ekzistenciale. Protagonisti çek i përgjigjet pyetjes se ku është atdheu i tij duke e vendosur në një vend që e përshkruan si një parajsë, tokën e Bohemisë. Të gjithë bashkëkombasit e tij, të atëhershëm dhe të sotshëm, nuk do të dyshonin as edhe për një çast se kjo është toka e tyre. Ndërsa nuk është e sigurtë që shtetet fqinje ta njohin si të tillë.

Për shkak të dimensioneve të reduktuara të shtetit të tyre, i vendosur midis lindjes dhe perëndimit, çekët janë konsideruar gjithmonë një popull i cënueshëm, pre e lehtë e fuqive të mëdha dhe agreisve, dhe një popull me viktima, për ta shprehur me gjuhën e patriotëve të shekullit të XIX, një popull pëllumbash. Fatkeqësisht, ndjesi që përmban një dozë të mirë vërtetësie. Për shekuj me radhë, tokat e Kurorës së Bohemisë kishin përballuar, shumë herë dhe jo gjithmonë në mënyrë fitimtare, kolonizimet gjermane të ndjekura në optikën e Drang nach Osten, «shtytjes drejt Lindjes», për të përfunduar më pas nën dominimin e monarkisë habsburgase, nën hegjemoninë e së cilës kishin eksperimentuar zhgënjimin e pasuar ndaj lëvizjeve revolucionare të 1848. Kur në 1867 u firmos kompromisi austrohungareu, pa i mbajtur parasysh aspak çekët, zhgënjimi i transformua në dhimbje të hidhur. Fati i çekëve ishte vendosur praktikisht tjetërkund dhe pa ta. Në vijim të disa ngjarjeve kyçe i vërtetojnë këto tòpos. Marrëveshja e Mynihut, e përfunduar në shtatorin e 1938, është ngulitur thellë në kujtesën kolektive popullore dhe perceptohet akoma nga çekët si një tradhëti nga ana e aleatëve, të cilët pa i mundësuar qeverisë çeke të marrë pjesë në traktativa, ia ceduan pjesë të territorit të tyre Adolf Hitlerit. Edhe në Jaltë, më 1945, u vendos për çekët dhe 23 vite më vonë erdhi një zhgënjim tjetër nga ana e aleatëve, shtetet mike të Traktatit të Varshavës, që me urdhër të Bashkimit Sovjetik pushtuan shtetin e tyre çek duke i dhënë fund atij procesi demokratizimi pas Pranverës së Pragës.

Ky bilanc i trishtuar nga historia çeke ka ushqyer gjithmonë – fatkeqësisht – vetëdijen tonë popullore, urtësinë që përcillet nga gjenerata dhe i ka dhënë origjinë figurës së shakaxhiut, që vëren me një mrekulli të pafajshme e fëminore, me humorizëm të veçantë, urinë për lavdi, madhështi dhe pushtet të njerëzve. I referohem ushtarit të mirë Švejk, ka mundësi personazhit më popullor të letërsisë çeke, protagonist i romanit të Jaroslav Hašek. Nuk është e pazakontë që të huajt na referohen ne çekëve si popullit i Švejkëve; Reinhard Heydrich, guvernator i Protektoratit të Bohemisë dhe Moravisë gjatë Luftës së Dytë Botërore, na quajti “kafshë që qeshin”. Urtësia e mësipërme, e përcjellë nga breza, ka kontribuar në fakt të zhvillohet brenda nesh një strategji e veçantë mbijetese. Të mësuar me humbjet e historisë kemi mësuar në situatat e rrezikut serioz që të shmangemi nga të luftuarit, të përshtatemi që të mund të mbijetojm, gjë që rezulton më e lehtë me ndihmën e humorizmit, valvul e rëndësishme shfryrjeje për frustrimet. Prapa maskës qesharake për të cilën fliste Heydrich fshiheshin patriotë rebelë që nuk kishin asnjë qëllim t’i dorëzoheshin humbjes së lirisë kombëtare. «Çekët janë servilë dhe të butë si degët që i nënshtrohen prekjes së parë, por më pas të pickojnë kur më pak e pret», shpalli mbrojtësi i urryer pak përpara se dy parashutistët çekë t’i bënin një atentat.

Kur populli çek, pas rënies së Rajhut të Tretë, u kthye i lirë, mori pjesë e tij, anipse jashtëzakonisht të vogël në krahasim me atë të aleatëve, por paqartësinë dhe frikën e përjetshme për mbijetesën e tij shpejt i kërkuan llogari. Pas 6 vitesh pushtim çekët, të gjendur të lehtësuar prej terrorit në të cilin kishin asistuar, pa ju dridhur qerpiku, në deportimet e fqinjëve të tyre të shtëpisë hebrenj dhe romë, e harruan mëshirën dhe e shfrytëzuan situatën, që u ofronte atyre në një pjatë të argjendtë mundësinë për t’u hakmarrë. Qe kështu që me ardhjen e përzënies së dhunshme, pavarësisht nga fajet efektive, nga mosha apo nga seksi, e të gjithë gjermanëve çekosllovakë që jetonin në tokën çeke prej shekujsh. Qe presidenti i parë i pasluftës, Edvard Beneš, ai që legjitimoi valën e brutalitetit primordial, duke i privuar nga prona e tyre, nëpërmjet dekreteve famëkeqe, qindra e mijëra qytetarë me shtetësi gjermane, midis të cilëve kishte antifashistë apo deri hebrenj që sapo të kthyer nga kampet e përqëndrimit, panë të konfiskoheshin deri në tjegullën e fundit, vetëm prej fatit se flisnin gjermanisht.

Në ato vite ndryshimi të pasluftës ndodhën shumë gjëra për të cilat pararendësit tanë duhet të turpëroheshin. Kështu që nuk është për t’u habitur që kanë zgjedhur sa më shpejt rrugën e harresës — periudha e mëtejshme e çlirimit nuk u karakterizua vetëm nga një kalim intensiv pronësie, por edhe dhe sidomos nga një fshirje e përgjithshme e kujtesës. Ishte sikur hebrenj dhe gjermanë nuk patën jetuar kurrë në territorin çek. Por harresa qe vetëm në dukje. Faji dhe bashkëpunimi u transferuan në vetëdijen kolektive, ku mbesin dhe qelben ende sot, në ndërthurjen e butë të një paqartësie të njohur ekzistenciale. Duke u bërë kështu instrument i lehtë manipulimi i politikave populiste. E kemi pasur shembull gjatë zgjedhjeve presidenciale të 2014, kur kandidati Miloš Zeman ka prekur, me saktësi kirurgjikale, pikën tonë të dhembjes, duke thirrur në kauzë të drejtën e gjermanëve të përzënë për t’u kthyer në posedim të pasurive të konfiskuara dhe duke mbrojtur përpara Europës dekretet e Beneš, domethënë pronarët aktualë dhe natyrisht këta të fundit kanë çmuar dhe kanë mbetur kaq të mikluar sa të zgjdhnin president.

Duke mos e kuptuar as edhe që bëhet fjaë për një kauzë që nuk ka më arësye të ekzistojë, pas gjermanët, që jetojnë tjetërkund prej të paktën tre gjeneratash, nuk kanë më asnjë qëllim që të kthehen. Ama një politikan populist me një përvojë të caktuar nuk mund të mos e dijë se frika e shtypur, pasi vazhdon të japë frutet e saj, duhet të ushqehet. Kështu, pasi ka larguar kërcënimin e shtirur të gjermanëve, Miloš Zeman (dhe me të figura të larta të spikatura të politikës çeke) ka kapur pseudombrojtësit e çekëve të paarmatosur me vitin e emigracionit. Edhe pse mjafton një shikim i shpejtë në hartë pasi është menjëherë e qartë se Republika Çeke ndodhet jashtë çdo rruge migratore, edhe pse pak dhjetëra refugjatë që janë ndodhur këtu kanë referuar me një zë se në realitet qenë drejtuar për nga Europa Veriore. Frika se mos shteti ynë mund të gllabërohet nga kultura islamike ka shpërthyer me dhunë ekstreme. Kompleksi ynë prej vendi të vogël ka shpërthyer me maksimumin e forcës së saj, vala e urrejtjes ka tejkaluar shumë disponueshmërinë e ndihmës, edhe pse as për këtë nuk do të kishte pasur nevojë, falë vullnetarëve që kanë shkuar në kufirin serbo – hungarez apo në Greqi. Një superfuqi (tani Bashkimi Europian) ka marrë sërish një vendim për ne çekët pa ne (kësaj radhe respektivisht çështjes së kuotave). Frika për mbijetesë na ka shtyrë që t’ia përplasim derën në fytyrë Europës, pas një grimcë solidarieteti.

Djajtë e frikës dhe të pasigurisë, kur janë kaq të rrënjosur, janë shumë të vështirë për t’u mundur, sidomos nëse ushqehen me shumë impenjim nga populistët. Por ka gjithësesi kush kërkon të na plirojë nga burgu i tyre. ulërima e dëshpëruar e Jan Palach në flakë, që na dridh me një letargji të dorëzuar, nuk është e vetmja. Shumë burra dhe gra, në epoka të ndryshme, kanë rrezikuar jetën e tyre për të zgjuar vetëdijen tonë. Për shembull, shkrimtarja Božena Nemcová nuk hezitoi, përpara syve të rojeve austriake, të vendosë një kurorë me gjethe mbi varrin e gazetarit të persekutuar K. H. Borovský; i pamposhturi Tomáš Garrigue Masaryk, me moton e tij të jetës «Mos ki frikë dhe mos vidh!» arriti të bindë për mundësitë e mbijetesës së Republikës Çekosllovake jo vetëm të bashkëpatriotëve të tij, që dergjeshin midis gërmadhave të agonizueses Mbretëri Austrohungareze, por edhe të fuqive të huaja, që e njohën në 1918 shtetin e sapolindur, dhe dramaturgu Václav Havel sakrifikoi vite të jetës së tij për të dëshmuar me shembullin e tij besimin në përgjegjësinë supreme të njeriut, që duhet t’i drejtohet vlerave të qenies, më shumë sesa mbijetesës dhe nevojave konsumiste të tij. Pasi të jetosh në frikë dhe në gënjeshtër nuk është jetë. Kredoja e tij «të jetosh në të vërtetë dhe në moralitet» qe një prej pikave kyçe, një vit pas promulgimit të Charta 77, të librit të tij Pushteti i atyre papushtet, që më së fundi tronditi themelet e regjimit komunist të Çekosllovakisë, duke hedhur bazat për revolucionin e 1989, i quajtur nga populli i pëllumbave «i kadifenjtë».

Duke shikuar prapa nga historia jonë kam përshtypjen se konceptimi që kemi për vetëveten, fuqimisht i influencuar nga frika për shtetin tonë të vogël, bazohet mbi një dikotomi midis kujt kërkon të konsolidohet roli ynë si viktima të pafuqishme dhe kujt në fakt shtyr një virtyt më të madh, që të bëhet shtylla kurrizore e një populli të pjekur, krenar dhe i sigurtë në vetëvete.

(Katerina Tucková është diplomuar në Historinë e Artit dhe Bohemistikës në Universitetin e Brnos, dhe ka siguruar një doktoraturë në Historinë e Artit në Universitetin Karlová të Pragës. Pas disa botimesh, ka debutuar në narrativën me romanin Përzënia e Gerta Schnirch e 2009, me të cilin ka fituar çmimin Magnesia Litera 2010. Por është me Trashëgiminë e zotave që Tucková është bërë një autore  bestseller me 200000 kopjet e shitura në Republikën Çeke, duke fituar çmime të shumta, midis të cilëve Çmimin Škvorecký dhe il Czech Book Award.)

(nga La Lettura)

Përgatiti

ARMIN TIRANA

About Redaksia

Check Also

Mesazhi prekës i vajzës së Vilson Blloshimit në 47-vjetorin e ekzekutimit të poetëve

Eni Blloshmi Përkujtojmë VILSONIN dhe GENCIN. Të dashur miq, si sot, 47 vjet më parë, …

Leave a Reply