Sekti “Rama” ka zgjatur duart për gllabërim në Vlorë

Deputeti i PD, Bujar Leskaj gjatë fjalës së tij në Kuvend ka ngritur shqetësimin për disa probleme që po shqetësojnë qytetin e Vlorës.

Fjala e Bujar Leskajt në Kuvend

Vlora e cipave të imta të asfaltit zgjedhor

Vlora, kryeqendra e Jugut, është kthyer në sagën e shëmtuar të rrugëve të asfaltuara e riasfaltuara, postuar nëpër rrjetet sociale të propagandës së sektit Rama, që mbas disa muajsh hapen e rihapen për të shtruar rrjetet e kanalizimeve apo ujësjellësat, si në rastin e Unazës së Qytetit dhe Rrugës së Kaninës.

Rrugët në Vlorë kanë qenë përherë objektiv fitimi audience e “like” në Facebook për sektin, që   Lideri Rajonal të vijë e t’i gjejë shtruar e zbukuruar, por që për qytetarët mbeten vjedhje-zbuluar, me rrugë e rrugica të riasfaltuara disa herë, të ritenderuara për cipa të imta asfalti me efekt zbukurues ose elektoral, si Rreth-rrotullimi në hyrje të qytetit, lidhësi mes autostradës së qytetit, i riasfaltuar 3 herë, ose rruga Mis Edith Durhan në Lagjen 24 Maji, e njohur ndryshe dhe si rruga elektorale, e cila shtrohet e rishtrohet çdo 2 vjet, sa herë ka zgjedhje

Rilindja Urbane, me kantieret e shëmtuara dhe jo-efektive e jo-efiçiente të ndërtimit e rindërtimit, e ka shndërruar Vlorën në një skëterrë urbane, duke nxjerrë si alibi për dështimet e saj një konflikt të stisur mes qeverisë qendrore dhe kryetarit të Bashkisë Vlorë. Ajo ka uzurpuar Sheshin e Flamurit dhe goditur rëndë këtë simbol kombëtar, duke ia përgjysmuar sipërfaqen dhe ia denatyruar funksionin.

Vlora e talljes me furnizimin me ujë të pijshëm

Qysh në vitin 2013, uji i pijshëm 24 orë ka qenë premtim, i cili pas 8 vitesh dështimi, u ribë premtim në zgjedhjet e vitit të kaluar.Vlora e ujit, ende nuk arrin të sigurojë për qytetarët e saj ujin 24 orë!  Abuzimi me këtë shërbim jetik është maksimal, pasi me dhjetra mijëra qytetarë paguajnë faturat e kripura të ujit të pijshëm, edhe pse furnizohen nga depozitat, të cilat janë kthyer simbol i shëmtuar i qytetit.

Pasi qeveria e sektit Rama e shfrytëzoi, përdori dhe keqpërdori ndërmarrjen publike të ujësjellësit të Vlorës, njëlloj si të gjithë ujësjellësit e tjerë, duke e mbushur me borxhe pafund dhe bërë jo-rentabël, duke e ngjeshur me punonjës të marrë përkohësisht me kontrata pune gjatë muajve përpara zgjedhjeve, për t’i hequr nga puna pas zgjedhjeve, tani po synon t’i kalojë në menaxhim qendror këta ujësjellësa, në shkelje flagrante të Kartës së Autonomisë së pushtetit vendor

Sot janë shumë zona si Orikumi, Radhima, Kanina e Novosela e fshatra të tjera të Vlorës, që e kanë akoma më shumë të theksuar mungesën e ujit të pijshëm, ku përveç depozitave dhe puseve, banorët e këtyre zonave janë të detyruar të bëjnë kilometra rrugë për mbushjen e dhjetra bidonave, me të cilët kanë gjetur zgjidhjen e mjerueshme të furnizimit me ujë për familjet e tyre.

Vlora e portit të dytë më të madh të Shqipërisë, shndërruar në portin e tretë për përpunimin e mallrave

Para pak ditësh, Porti i Durresit publikoi një tabelë statistikash të përqindjes së mallrave të përpunuara, sipas porteve në Shqipëri. Porti i Vlorës renditej i treti, pas atij të Shëngjinit.

Të gjithë e njohim Portin e Vlorës si porti i dytë më i madh në vend, për ka rëndësia, madhësia dhe sasia e hyrje-daljeve të njerëzve e mallrave. Por statistikat tregojnë se porti i Vlorës, me një nivel shumë të ulët të përpunimit të mallrave në vit prej vetëm 260 mijë tonë (ndërkohë kur Durrësi përpunon 4.6 milionë tonë), është kaluar edhe nga porti shumë më modest i Shëngjinit. Këto statistika pasqyrojnë politikat e mbrapshta që po zbatohen nga sekti Rama në Portin e Vlorës, duke e zbehur rëndësine e tij, duke e dobësuar ekonomikisht fuqinë strategjike të portit dhe duke e shndërruar atë lehtësisht në prenë e rradhës për t’u gllabëruar nga klientët e sektit Rama.

Qeveria e sektit miratoi në tetor 2021 lidhjen e kontratës së qirasë me tarifën simbolike 1 euro për Portin e Vlorës, ku privati përfiton në këtë koncesion një sipërfaqe totale prej 57 mijë e 500 m2, ku 38 mijë m2 është sipërfaqe ndërtimore për të ndërtuar kulla të reja.

Rrënimi i qëllimshëm që po i bëhet Portit të Vlorës, braktisja dhe indiferenca qeveritare, duke mos i dhënë mbështetjen e duhur buxhetore,  po dëmton jo vetëm ekonominë e qytetit, por direkt edhe shumë e shumë familje të pozicionuara në afërsi të Portit, të cilat preken nga lidhja e Transballkanikes me Portin dhe ende nuk kanë asnjë informacion lidhur me mënyrën se si dhe kur do të aplikohen dëmshpërblimet për ato banesa që preken nga ky projekt.

Projektet e “Rilindjes Urbane” në qytet, ato shëmtira të stërmëdha hekur-betoni, të cilat shpërdorojnë miliona euro të shqiptarëve, kanë dalë jashtë çdo afati kohor, duke shumëfishuar koston totale të përbindeshave prej betoni të Lungomares 2.

Mburrja e madhe e sektit Rama, Lungomarja e korrupsionit, ishte mobilimi urban i së cilës me gjoja stola “inteligjentë”, të cilët sot i gjen tërësisht të degraduar, ndryshkur e jashtë çdo funksioni, dëshmi e zhvatjes masive të sektit në qeverisje.

Largimi masiv i të rinjve, fenomen social e ekonomik që rëndohet çdo ditë për 9 vjet radhazi, ka bërë që Vlora të boshatiset. Porti i Vlorës, çdo ditë, njeh dhjetra e dhjetra të rinj që ikin, duke lënë pas dëshpërim dhe mungesë të theksuar të krahut të punës.

Peshkimi, ky sektor i rëndësishëm për Vlorën i cili nuk njeh asnjë lloj ndihme apo subvencion, po rrënohet gradualisht, pasi qeveria e sektit nuk dëgjon të heqë TVSH-në për naftën e anijeve të peshkimit, por ka hequr TVSH-në vetëm për pajisjet e peshkimit.

About Redaksia

Check Also

Bufi i Rroskovecit e humbi “betejën” e parë në Gjykatën e Posaçme

Nga Luan BAÇI Bufi i Rroskovecit e humbi “betejën”e parë të saj në Gjykatën e …

Leave a Reply