Katër “çuditë” e Ramës në “Politico”

Nga Genc POLLO

Edi Rama në intervistë me politico.eu justifikon refuzimin e sanksioneve europiane ndaj Rusisë së Putinit nga ana e presidentit serb Vuçiç.

Me këto argumente:

1-“Serbia është ndryshe nga të tjerët sepse ka lidhje historike e speciale me Rusinë”

Ky është një pohim i rremë pasi shumë shtete sllave në Ballkan si p. sh. Bullgaria ka lidhje historike e speciale me Rusinë. Edhe për Malin e Zi mund të thuhet deri diku kjo gjë. Por edhe në Europën Qendrore ka shtete sllave me një histori përgjithësisht miqësore me rusët. Megjithatë të tëra këto shtete kanë adoptuar sanksionet e Brukselit ndaj Serbisë. Vetëm dy janë përjashtimet: Bjellorusia e Lukashenkos dhe Serbia e Vuçiçit. Rama thotë të pavërteta (mendoj se është i ndërgjegjshëm për këtë) për të legjitimuar pozicionin e Vuçiçit.

2- “Adoptimi i sanksioneve (të plota) nga Serbia është praktikisht i pamundur… Është vetëvrasës për ekonominë serbe”

Ky është tipikisht argumenti i “njeriut të kashtës” (straw man) kur ndryshohet arbitrarisht objekti i çështjes për të dalë në një konkluzion të volitshëm.

Sanksionet e BE nuk janë të tilla që asfiksojnë ekonominë; Shtetet në BE vazhdojnë të blejnë gaz nga Rusia; naftën e mbyllin në fund të v. 2022 e kanë bërë përjashtime nga sanksionet për shtete me vartësi të theksuar nga hidrokarburet ruse si Sllovakia, Hungaria etj. Por ka një sërë sanksionesh ekonimikisht të përballueshme që përbëjnë 97% të listës së Brukselit. Për këtë duhet vullnet e vizion politik. Vuçiçi e ka bërë të qartë pozicionin e tij; madje disa herë. Rama përpiqet t’a mbrojë me sofizma.

3- “Nganjëherë duhet t’a durojmë tjetrin. T’a kuptojmë atë. Ndryshe nuk e ruajmë bashkësinë tonë për synime të larta. … Serbia është në rrugën e duhur vetëm se duhet të ecë më shpejt”

Këtu Rama nuk mashtron. Nëse synimi është një regjim korruptokratik ai është në elementin e vet. Dhe të Vuçiçit

4- “Presioni i tepruar i Perëndimit ndaj Serbisë është shkatërrues për stabilitetin e Ballkanit Perëndimor”

Kjo po që është risi e surprizë! Se deri dje konsensusi, përfshi edhe kampin Rama retorikisht, ishte se burim destabilizimi ishte Serbia me qendrimin e saj ndaj Bosnjës e Kosovës si dhe me lidhjet e saja me fuqitë jo miqësore ndaj Europës. Mbas agresionit të Putinit ndaj Ukrainës ky konsensus u konsolidua dhe thirrjet ndaj Vuçiç-it për ndryshim kursi u shtuan. I fundit ishte para ca ditesh kancelari gjerman në Beograd. Kjo dalje nga rreshti e Ramës është vërtet për t’u parë.

Deri në serinë e ardhëshme.

To be continued.

  1. S. Shpresoj kjo kritikë ndaj “presionit” nuk ka lidhje me trysninë e shtuar nga BE për njohjen diplomatike të Kosovës.

Genc Pollo

15 qershor 2022

About Redaksia

Check Also

Kur mediat nuk kanë interesin publik primar, por pagesat nga inceneratorët…

Nga Adriana KALAJA Sot gjithë mediat që paguhen nga inceneratorët, dhanë lajmin e dosjes së …

Leave a Reply