AMT: Vazhdojmë luftën pa kompromis, ndërtimi i Teatrit aty ku ishte dhe siç ishte

Deklaratë e Aleancës për Mbrojtjen e Teatrit – zyrtare

Të nxitur nga lloj-lloj prononcimesh të personave të ndryshëm, lidhur me mungesën e përfaqësimit të qëndrestarëve të Aleancës për Mbrojtjen e Teatrit në takimin e Partisë Demokratike dhe kryetarit të saj z. Sali Berisha me anëtarë të “Shoqërisë Civile” në 22 qershor 2022, po dalim me këtë deklaratë, në respekt të asaj pjese të shëndoshë të shoqërisë, e cila na ka besuar dhe mbështetur gjithmonë në betejën tonë fisnike, si edhe në respekt të gjithë spektrit opozitar të vërtetë në Shqipëri kundër klikës aktuale në pushtet, e drejtuar nga interesa dhe qëllime mafioze e shkombëtarizuese.

Ju bëjmë me dije edhe një herë, se qëndrestarët e Aleancës për Mbrojtjen e Teatrit vazhdojnë luftën e tyre pa kompromis, deri në realizimin e objektivit përfundimtar: ndërtimi i Teatrit Kombëtar aty dhe ashtu siç ishte. Tashmë beteja jonë është kanalizuar në rrafshin juridik, ku deri tani janë depozituar nga ana jonë 17 kallëzime në SPAK kundër të gjithë personave përgjegjës për tragjedinë e shkatërrimit të dy ndërtesave të TK dhe është fituar beteja në Gjykatën Kushtetuese, ku Aleanca për Mbrojtjen e Teatrit – zyrtare ishte pranuar si palë e tretë.

Shprehemi të keqardhur ndaj spekulimeve mbi të ashtuquajturën “përçarje e Aleancës”, të cilat nuk lanë pa u rënë këmbanave edhe në rastin e mungesës sonë në takimin (e përmendur më lart), që PD zhvilloi me zëra kritikë ndaj qeverisjes. Sqarojmë, se mungesa jonë në atë takim nuk erdhi për shkak se nuk e shohim të nevojshëm pjesëmarrjen në tryeza, që kanë për qëllim ngritjen e zërit opozitar. Përkundrazi, ne mbështesim fort dhe rreshtohemi në një front të vetëm me të gjithë opozitarët e vërtetë, të cilët kanë qëllime të pastra për të rrëzuar këtë pushtet, në të mirë të secilit shqiptar dhe interesave të përgjithshme kombëtare. Në këtë pikë, nuk kemi se si të mos jemi aleatë të nismave, që po ndëmerr lidershipi i ri i Partisë Demokratike, të cilat ushqejnë nevojat urgjente të vendit, përfshirë protestën e madhe të lajmëruar për datën 7 korrik 2022. Gjithashtu nuk ka si të mos vlerësojmë edhe deklaratën e vendosur të kryetarit të saj, z. Berisha, për ringritjen e Teatrit aty dhe ashtu siç ishte, kur PD të vijë në pushtet.

Për t’i kuptuar gjërat, është mirë të dëgjohen të gjitha këmbanat. Nëse ka patur konflikte brenda Aleancës, kjo ka qenë pikërisht për ta mbajtur të pastër, për t’iu kundërvënë interesave të vogla të atyre, që donin të krijonin shoqata e parti dhe kanë ushtruar presion mbi ne për të mos bërë kallëzime në SPAK e Gjykatën Kushtetuese. Ne kemi vënë firmat, fytyrën tonë dhe vazhdojmë të përballemi gjyqeve, duke marrë edhe padi personale nga anëtarë të zellshëm të Shoqërisë Civile, të cilët dështimin e tyre në pengimin e betejës sonë gjyqësore kërkojnë ta shpaguajnë në të tilla mënyra të ulta, por të dëshpëruara. Opozitarizmi nuk bëhet për të qenë protagonist, ose i pranishëm në çdo protestë, apo duke krijuar kredite, që nesër të zësh një post, sikundër shohim në media, e cila fatkeqësisht jep ndihmesë të madhe, që të lulëzojë një fenomen i tillë. Ne nuk jemi VIP-a të krijuar protestave apo në FB. Ne jemi të përqëndruar në një kauzë të madhe, e cila është kthyer në qëllimin e jetës sonë, duke na kushtuar edhe penalizime në fushat tona profesionale.

Tashmë kemi hyrë në vitin e pestë të rezistencës. Gjithashtu, ju bëjmë me dije, se nuk mundemi të pranojmë kurrsesi, që persona të tjerë jashtë radhëve të qëndrestarëve të Aleancës për Mbrojtjen e Teatrit të caktojnë, se kush e përfaqëson Aleancën në raport me palë të tjera, qofshin këta edhe persona pranë apo brenda Partisë Demokratike. Në këtë kuptim duhet parë edhe mungesa e pjesëmarrjes sonë në takimin e PD, ku persona të tillë, me ose pa dashje, kërkuan ta reduktonin Aleancën në mënyrë selektive, duke ftuar si përfaqësues të saj qëndrestarët, që e panë ata të arsyeshme dhe tani duan ta kanalizojnë reagimin tonë si problem personal të njerëzve të caktuar në radhët e Aleancës dhe jo si diçka parimore e thelbësore nga ana e saj. Duhet të theksojmë, se anëtarët e Aleancës për Mbrojtjen e Teatrit – zyrtare marrin vendime dhe veprojnë si një trup i vetëm. Ata e zgjedhin vetë llojin e pjesëmarrjes dhe përfaqësimit në veprimtari të ndryshme. Kemi vendosur të jemi reaksionarë ndaj çdo lloj praktike apo revolucioni, që synon ta shkatërrojë edhe më tej Shqipërinë me korrupsion, varfërim e shkombëtarizim.

RROFTË TEATRI!

TEATRI ATY DHE ASHTU SIÇ ISHTE

About Redaksia

Check Also

Berisha paralajmëron Ramën: Javët që vijnë…

Gjatë fjalës së mbajtur para gazetarëve, kryedemokrati Sali Berisha ka paralajmëruar Edi Ramën, që të …

Leave a Reply