Eskorta e Gardës së Republikës që shoqëron kryeministrin Edi Rama në lëvizjet e tij brenda vendit do të ndryshojë flotën e automjeteve. Agjencia e Blerjeve të Përqëndruara ka hapur një tender me fond limit me 206 milionë lekë të vjetra me objekt: “Blerje automjete për Gardën e Republikës ndarë në 2 (dy) lote”.
Një burim pranë Gardës i tha Lapsi.al se automjetet e reja do të jenë në dispozicion të grupit të shoqërimit të kryeministrit Rama.
Në njoftimin e publikuar nga Agjencia e Prokurimeve Publike, thuhet se automjetet do të shërbejnë “për transportin e punonjësve të sigurisë në eskortë”. Kompania fituese duhet të sigurojë makinat brenda këtij viti, ndërsa nuk bëhen me dije më shumë specifikime për mjetet.
Ndoshta automjetet janë vërtet të amortizuara e duhen ndryshuar, por nuk është për t’u anashkaluar fakti se këto shpenzime të larta qeveritare vijnë në një kohë kur Rama dhe ministrat e tij iu bëjnë thirrje qytetarëve të “shtrëngojnë rripin” për shkak të krizës së çmimeve.
Më poshtë njoftimi i publikuar në APP për tenderin, ofertat për të cilin mbyllen më datë 29 qershor.