Nga Luçiano BOÇI
Ndarja nga jeta e z. Tomorr Aliko ishte një lajm i hidhur dhe i trishtë.
Ai jetoi brenda një modestie epike brenda së cilës qëndronte një njeri i lartë, fisnik dhe intelektual brilant.
Po kush ishte Tomorr Aliko?
Po shkëpus këtë shkrim për të shpalosur sado pak figurën e tij shumë dimensionale:
“Ish i burgosur politik antikomunist, nacionalist i spikatur, ish kryetar i Shoqatës Antikomuniste të të Përndjekurve Politikë të Shqipërisë, ish sekretar i Kryegjyshatës Botërore Bektashiane, shkrimtar, seknarist, aktivist i shquar i mbrojtjes së lirive dhe të drejtave themelore të njeriut.
Jeta dhe vepra e Tomorr Alikos janë një histori përpjekjesh sakrificash e qëndrese të spikatur!
Lindi më 10 korrik të vitit 1925, në Libohovë. Në moshën 17-vjeçare aderoi në Ballin Kombëtar. Në vitin 1945 u arratis në Greqi, ku u inkuadrua në forcat Aleate. Pas gjashtë muajsh, u kap në kufi. Më 9 dhjetor 1947, Gjykata Ushtarake e Tiranës e dënoi me 20 vjet heqje lirie dhe humbjen e së drejtës elektorale për «dhënie informacioni të huajve kundër shtetit». Pas kryerjes së dënimit, u internua për 29 vjet në Mamurras. U lirua në vitin 1991.
Vepra:
Eshtë autor i disa librave, filmave dokumentarë dhe shumë artikuj e intervista në media .
«Fundi i udhës së gjatë» (1999), «Gjysmë shekull në kthetrat e djallit» (Tiranë, 2003), «Genocidi mbi eliten intelektuale të kombit shqiptar nën terrorin komunist/ Genocide on the intellectual elite of the albanian nation under the communist terror» (Tiranë, 2007), “Genocidi gjysëmshekullor në Shqipëri/The half century genocide in Albania ” («Emal», Tiranë, 2010).
Tomorr Alikoja është dhe autor i skenarit të filmit dokumentar “Zhdukja e inteligjencës shqiptare gjatë vitëve 1944-1951”, prodhim i Televizionit Publik Shqiptar (2008).”
I lehtë dheu e ndriçoftë në parajsë!