Këlliçi: Edi Rama dhe Erion Veliaj janë gati duke i nxjerrë sytë njëri-tjetrit nga aferat

Deputeti i Partisë Demokratike, Belind Këlliçi në fjalën e tij të mbajtur në protestën madhështore të shqiptarëve, ka akuzuar Edi Ramën, Erion Veliajn dhe shpurën pas tyre, si njerëzit që po shkatërrojnë Shqipërinë.

Fjalimi i plotë i Belind Këlliçit

Ju vini në Tiranë, ky ia mbath nga Tirana.

Vetëm për mos t’ju parë, sepse i dhembin sytë kur ju sheh në shesh!

Një frikacak që i fshihet të vërtetës, që i ikën popullit të tij.

Vetëm për t’ju penguar, ka urdhëruar mësuesit të qëndrojnë në punë edhe pse viti shkollor ka përfunduar. Iku dhe mori kërpudhën e tij me vete. Një burrë shteti do të qëndronte këtu dhe do t’i shihte në sy qytetarët, do t’i dëgjonte shqetësimet e tyre. Por ky ia mbath se i tillë është!

Miqtë e mi,

Shqipëria jonë sot është në rrezik.

Shqipëria e vërtetë, ajo e shumicës reale, e qytetarëve të zakonshëm, po asfiksohet, po meket, po mpaket çdo ditë nga ajo që u shpall prej rilindjes, si Shqipëria që duam.

Shqipëria që duam, e këtyre këtu ngjitur, vrau në fakt Shqipërinë e shqiptarëve.

Shqipëria që duan këta, Shqipëria e Edi Ramës, e Veliajt, e Belindës, e Elisës, e Ben Ahmetajt, e Taulant Ballës, e Fridës, e Çuçit, e Ulsiut, e Agaçit, mund të jetë vërtetë e bukur. Idilike. Vjen aromë parfumi të shtrenjtë francez, mbahet me rroba të kushtueshme të markave italiane, ka shijen e restoranteve më ekskluzive nga Dubai e deri tek ato këtu në Tiranë, ka komfortin e vilave të luksit në bregdet, ka rehatinë e makinave qindra mijra euroshe, ka adrenalinën e udhëtimeve të klasit të parë, ka sigurinë e parave me shumicë, e apartamenteve te mbushura me para cash.

Kjo Shqipëri e këtyre dhe e njerëzve që i rrethojnë, nuk ka të sharë.

Po ky vend, ky domen, ky venom i dinjitarëve më të korruptuar të globit sipas çdo raporti serioz ndërkombëtar, nuk u krijua falë gjenialitetit apo talentit të tyre. Kjo botë e tyre, erdhi në jetë, u rrit, dhe po majmet çdo ditë, mbi Shqipërinë e shumicës së shqiptarëve, mbi Shqiperine tone, duke i marrë asaj çdo ditë, pasuritë, buxhetin, asetet dhe mundësitë që ofron.

Kjo bandë e cila sot është në krye të qeverisë, është dhe pronarja e vërtetë e inceneratorëve, ata janë ndërtuesit e vërtetë të kullave; investitorët strategjikë janë këta të dy, Rama dhe Veliaj, ata që shkatërruan kulturën, që e bënë teatrin gropë, shitën Butrintin, larguan mjekët, të rinjtë dhe zanatçinjtë.

Edi Rama dhe Erion Veliaj janë gati duke i nxjerrë sytë njëri-tjetrit nga të gjitha aferat e pista ku kanë futur duart. Nuk ka komitet ekspertësh e as bord çmimesh. Janë këta të dy, të cilët e kanë blerë Partinë Socialiste me paratë e lejeve të ndërtimit dhe po e mbajnë peng me paratë e inceneratorëve.

Dhe ja ku jemi sot!

Shqipëria jonë, Shqipëria e shumicës ka shijen e braktisjes, të vetmisë, sepse përditë vetëm ikin specialistë, profesionistë, të rinj e të reja. Shqiperia e vertete ka aromën e varfërisë, pasi të ardhurat e ulëta, pensionet, pagat e vogla, ndihmat e papërfillshme nuk dalin më për të marrë as gjysmën e ushqimeve bazike. Imagjinoni se çfare lufte me jetën bëjnë sot të papunët.

Shqiperia jone sot ka pamjen e mundit dhe prodhimit të fermereve që hidhet se nuk kanë ku e shesin, dhe kostoja u ka marrë atyre edhe dinjitetin.

Shqipëria e shumicës ka vështirësinë e pamundësisë për të mbyllur muajin, për të mbushur makinën me naftë, për të shlyer kredinë, për të paguar ujin, dritat e internetin, apo tarifën e universitetit.

Ne e kemi shembullin para syve tanë prej ditësh për të kuptuar se ku jetojmë dhe pse jemi në rrezik.

Shqipëria e vërtetë është ajo 90 vjeçarja në azil që s’ka kush kujdeset për të dhe që nuk tërheq dot 600 mijë lekët që i ka kursimin e jetës. Shqipëria që duan këta, Rama me Veliajn, është ai ministër, ish-ministër, apo ortak në krim, që ka ato 30 milionë dollarët që figurojnë në emër të së moshuarës, për të cilat ajo nuk di asgjë.

Shqipërinë e vërtetë që po asfiksohet, që e ka lakun në fyt mund ta shpëtojmë vetëm ne, vetëm njerëzit që ngrihen në këmbë. Ju që jeni sonte këtu, e shumë të tjerë që do të na bashkohen.

Shqipëria duhet dhe do të shpëtohet, sepse kjo është një çështje që na përket të gjithëve ne.

Ndaj sot, nga ky shesh, i them çdo socialisti të ndershëm: Ku e shihni ndershmërinë tek Edi Rama?

Tek asfalti më i shtrenjtë në Europë?

Tek inceneratorët?

Te përgjimet e BILD-it dhe Antimafias italiane?

I pyes me sinqeritet, ku e shihni ngjashmërinë me Edi Ramën?

A keni ju avion privat për të takuar fëmijët në mërgim? Sa i ka rritur rrogat dhe pensionet tuaja? Sa rrugë ka ndërtuar dhe ku janë? Ku është rindërtimi?

Mashtrime të gjitha! Në Ukrainë nafta kushton më lirë, në Europë po ashtu. Ku do i gjeni paratë për të mbushur tryezat, makinën – kush ka! Me çfarë rrogash do e përballoni jetesën?

Të dashur miq,

Shqipëria nuk është e varfër. E ka varfëruar ky! E ka vjedhur ky, cep më cep! Nuk la lumë pa shkatërruar, pyll pa prerë, tokë në bregdet pa vjedhur; nuk la oborr e lulishte në Tiranë pa e betonizuar. I pangopur me paratë tuaja, me taksat, djersën dhe mundin tuaj.

Ndaj, kurre mos thoni me ç’me duhet mua.

Shpetimi i vendit tone, tashme është kthyer ne detyrë kombëtare.

Ta ndalim me qëndresë! Të gjithë bashkë!

Poshtë babëzia!

Poshtë hajdutëria!

Rroftë rinia!

Rroftë Shqipëria!

About Redaksia

Check Also

Berisha: Të vazhdojmë betejën për t’i dhënë Shqipërisë demokracinë, shqiptarëve votën e lirë, opozitës fitoren

Lideri i opozitës, Sali Berisha i ka bërë ftesë të gjithë qytetarëve që të vazhdojnë …

Leave a Reply