Deputeti i PS: Rasti Kajmaku mjafton që kryeministri të japë dorëheqjen!

Deputeti i Partisë Socialiste, Lavdrim Krashi ka deklaruar se arrestimi i një ish-kryebashkiaku për përfshirjen në trafikun e drogës, si Agim Kajmaku, mjafton që kryeministri të japë dorëheqjen.

Në një intervistë për emisionin “Top Talk”, deputeti kujtoi disa raste në vendin tonë, ku ish-deputetë socialistë dhe ish-kryetarë bashkish, janë në hetim për korrupsion dhe vepra të tjera penale dhe e krahasoi me atë që ndodhi në Britaninë e Madhe, ku pas skandaleve, Boris Johnson u detyrua të dorëhiqej.

I pyetur nëse do të mjaftonte rasti i Kajmakut për të kërkuar shkarkimin e kryeministrit, Krashi përgjigjet: Absolutisht që do të mjaftonte!

“Nëse Rama është në dijeni për veprime kriminale të kabinetit apo politikanëve të partisë që drejton, duhet të veprojë, thotë deputeti. Nëse Rama do të kishte promovuar apo propozuar njerëz për të përfaqësuar Partinë Socialiste në komitete të ndryshme, duke ditur akuzat dhe se një person i caktuar është në investigim apo nën hetim nga organet kompetente. Populli, qytetarët, votuesit, meritojnë politikanë përgjegjës, meritojnë të zgjedhur që të jenë të përgjegjshëm dhe të ndërgjegjshëm. Në realitetin politik shqiptar, Partia Socialiste absolutisht nuk është perfekte, ka shumë të meta dhe gabime, por PS mbetet forca kryesore politike. Kryeministrit do t’i kërkoja transparencë më të madhe në rrafshin politik. Do t’i jepja një këshillë që unë në fakt e kam thënë, është se raporti që duhet të krijojmë me diasporën shqiptare në të gjithë botën. Kjo nuk ka lidhje të drejtpërdrejtë politike, por mendoj që duke u përfshirë më shumë shqiptarë që janë jashtë Shqipërisë, që janë pjesë e diasporës, por janë qytetarë shqiptarë, besoj se politika shqiptare do të pastrohej dhe do të ishte më afër qytetarit. Nëse politika shqiptare hapet më shumë ndaj diasporës, nëse merr eksperiencat më të mira, qoftë politike, qoftë dhe administrative, unë mendoj që politika shqiptare do të jetë më e pasur dhe më e fortë”, tha ai ndër të tjera.

Ish-Kryebashkiaku i Vorës, Agim Kajmaku u arrestua më 27 maj në Itali bashkë me nipin e tij Edmind Kajmaku. Të dyve u janë gjetur 20 kilogramë kokainë, ndërkohë që hetimet janë shtrirë edhe në Shqipëri. Nën hetim është vënë edhe pasuria e gruas së ish-kryebashkiakut, Merita Kajmaku e cila ka deklaruar 1.9 milionë dollarë kursime në bankën e saj.

About Redaksia

Check Also

Nikolla u dorëhoq, apo e larguan?

Lindita Nikolla ka njoftuar se do të largohet pas pas tre vitesh nga posti i …

Leave a Reply