Rama: Të vendosur për amnistinë që pastron paratë, ndërkombëtarët fletë-rrufe

Edi Rama e mbrojti sot propozimin e realizimit të amnistisë fiskale në vend, duke hedhur poshtë pretendimet e disa institucioneve, vendase dhe të huaja, se kjo është një nismë e dëmshme.

‘Ideja e amnistisë është ide shumë e vjetër në Shqipëri, nuk është ide e re.

Dhe asnjëherë nuk është materializuar, nga një presion i caktuar, i brendshëm dhe i jashtëm, që besoj ka pasur arsye që sot nuk ekzistojnë më. Shqipëria në kohën kur janë bërë amnistitë e tjera nuk ka qenë e strukturuar si sot. Sot Shqipëria ka një sërë strukturash që me efikasitet mund të garantojë implementimin’, tha Rama në një takim këshillues me grupet e interesit, mbi draftin që do të dërgohet në Parlament.

‘Nuk e kemi menduar sot, por që ditën e parë që kemi ardhur në qeveri 9 vite të shkuara. Por nuk e kemi propozuar më parë sepse kemi qenë të vetëdijshëm që ishte një ide të cilës nuk i kishte ardhur koha, siç nuk i kishte ardhur koha idesë tjetër për ligjin për kanabisin mjekësor. Propozimin e parë e kemi bërë pasi na ra një gjëmë e madhe në kokë, siç ishte tërmeti’.

Rama e quajti mungesë respekti për Shqipërinë kritikat e të huajve kundër kësaj nisme. ‘Qeveritë, kur angazhon në amnisti, angazhohen në funksion të nxjerrjes së parasë nga e zeza në të bardhë. Dhe t’i thuash Shqipërisë se amnistia në vetvete është diçka e papranueshme, kjo është mungesë respekti për Shqipërinë dhe qeverinë e Republikës së Shqipërisë.

Dhe si gjithmonë dhe kurdoherë, të gjithë miqve dhe partnerëve tanë ndërkombëtarë, do t’u them, respekti reciprok është A-ja e punës sonë. Me respekt mund të refuzohet çdo ide, por ta trajtosh Shqipërinë si një vend me bisht, ndërkohë që amnistia është bërë dhe bëhet në mënyrë të rregullt, pa asnjë polemikë, nga të gjitha vendet që na japin mësime, kjo nuk është as gjëja e drejtë, as gjëja e duhur, as gjëja që çmon respektin gati-gati pa kushte që ka Shqipëria ndaj partnerëve të saj’, tha Rama.

Ai sulmoi veçanërisht qëndrimet e disa organizatave tregtare në vend, si Dhoma Amerikane dhe Gjermane e Tregtisë, të cilët kanë dalë me qëndrime zyrtare se amnistia rrezikon të kthehet në një formë për pastrimin e parave të krimit të organizuar.

‘Të çohen dhoma tregtie, me flamuj të vendeve partnere, dhe të bëjnë fletërrufe për këtë nismë të qeverisë, kjo është vetëm mungesë respekti për sovranitetin, dinjitetin dhe të drejtën e Shqipërisë për të pasur ambiciet e saj’, tha Rama. ‘Sepse institucionet financiare, patjetër mund të kenë kundërshtitë e tyre legjitime. Institucionet e luftës kundër krimit dhe pastrimit të parave patjetër që mund të kenë. Por dhoma tregtie? Ma nxirrni një biznesmen që nuk do amnisti? Më nxirrni një kryetar të dhomave të tregtisë që nuk ka bërë ndonjë transaksion të fshehtë? Përfshirë edhe ata të dhomave partnere’.

‘Kjo nuk bëhet se shqiptarët janë kriminelë? Apo paratë e shqiptarëve duhet të rrinë jashtë? Të flasim hapur. Shqiptarët janë në disa vende të Europës pjesë strategjike të motorëve të ekonomisë së tyre. Ata që priteshin si kafshë e trajtoheshin si të ishin të gjithë vrasës e drogaxhinj, janë sot pjesë e motorëve të ekonomisë së disa vendeve. Por ata kanë punuar në të zezë, dhe ato para i kanë marrë nga pronarët e tyre europianë. Dhe një pjesë të parave tyre, në të zezë, nuk kanë mundësi t’i çojnë nëpër banka’.

About Redaksia2

Check Also

Si u anullua arrestimi i Benet Becit në SPAK

Koordinatori i PD-së për Tiranën, Klevis Balliu deklaroi nga selia blu se prokuorët e SPAK …

Leave a Reply