Dhoma Amerikane i përgjigjet sulmeve të Ramës për Amnistinë Fiskale

Për Dhomën Amerikane të Tregtisë, nisma e qeverisë për Amnisti Fiskale dhe Penale nuk ofron garancitë e mjaftueshme, se përmes saj nuk do të përfitojnë persona të inkriminuar.

Presidenti i AmCham, Enio Jaço, ndërsa renditi risqet që nisma paraqet, u kujdes që të bëjë të qartë se ky nuk është qëndrimi i një individi të vetëm, por e institucionit me strukturat përkatëse.

Veç mungesës së sigurisë për të mos i hapur rrugë legalizimit të parave që vijnë nga bota e krimit dhe trafikut, shqetësim për Dhomën Amerikane të Tregtisë është edhe fakti që Shqipëria është në listën e vendeve gri, pra, me risk të lartë për pastrimin e parave. Në këto kushte, tha Jaço, më mirë të presim të dalim së pari nga kjo listë.

Gjatë fjalës së mbajtur në aktivitetin e organizuar nga “Open Data Albania”, me temë “Pastrimi i Parave në kontekstin e Amnistisë Fiskale”, Jaço renditi si rrezik edhe thellimin e konkurrencës së pandershme. Niveli i taksimit, vuri në dukje ai, është më i ulët për personat që përfitojnë nga amnistia fiskale në krahasim me atë që bizneset e rregullta paguajnë.

“Unë dua të shpjegoj shumë shkurt se ku qëndrojmë ne, sepse mund të ketë pasur edhe ndonjë keqkuptim. Ne kemi pasur tri çështje kryesore. E kuptojmë që ligji mund të ketë një intencion pozitiv, por nga ana tjetër, kemi identifikuar disa risqe. Në opinionin tonë, garancitë e ofruara që persona të inkriminuar nuk do përfshihen në amnistinë fiskale nuk kanë qenë të mjaftueshme.

E dyta, e cila është një nga shqetësimet kryesore të anëtarëve, është rreziku që kjo amnisti mund të thellojë konkurrencën e pandershme dhe mendoj se të gjithë e kuptojnë këtë pjesë. E lidhur me këtë është niveli i taksave, i cili është më i ulët për personat që përfitojnë nga amnistia fiskale në krahasim me atë që bizneset e rregullta paguajnë. Nëse do ishte një normë tatimi më të lartë, në njëfarë mënyre edhe për t’i penalizuar këto subjekte edhe fiskalisht, atëherë do të ishte një situatë tjetër. 

E treta dhe shumë e rëndësishme është pozicionimi i Shqipërisë në lidhje me programet e monitorimit ndërkombëtar. Shqipëria është në procesin e “Moneyval”, ku tashme është në zonën gri të pastrimit të parave. Mendoj që është e rëndësishme të dalim një herë nga kjo listë. Ky ka qenë një shqetësim edhe nga FMN dhe Bashkimi Europian”, tha Jaço duke shtuar më tej se “nëse drafti i ri i adreson këto dhe garanci të mjaftueshme ofrohen nga partnerët ndërkombëtarë, atëherë dua të qartësoj që qëndrimi i AmCham është gjithashtu i adaptueshëm”.

“Ky pozicionim është i rëndësishëm për ne sepse është i lidhur drejtpërdrejtë me aftësinë për tërheqjen e investimeve të huaja. Por dua të theksoj se AmCham është një nga grupet e interesit, ne vetëm rekomandojmë me interesin për të përmirësuar ligjin. Ne nuk jemi vendimmarrës. Por mendoj se adresimi i këtyre çështjeve do ishte i shëndetshëm dhe nëse gjendet një zgjidhje do ishte pozitive për të gjithë”, shtoi më tej presidenti i AmCham.

About Redaksia

Check Also

Qeveria asnjë plan për krizën demografike, si po shkon Shqipëria drejt plakjes

Shqipëria nuk ka një dokument të vetëm strategjik që të adresojë në mënyrë të integruar …

Leave a Reply