Katër çështje madhore të reformës Administrativo-Territoriale

Nga Besnik ALIAJ

Reforma Administrativo-Territoriale që u hartua gjatë viteve 2013-2015, ishte një reformë që erdhi si nevojë nga të gjitha palët. Përgjithësisht nuk ka pasur dyshime mbi domosdoshmërinë e saj. Kjo atmosferë mobilizoi pritshmëri të lartë nga opinioni publik, dhe gjeneroi një mbështetje të madhe të donatorëve për t’i dhënë mundësi Shqipërisë që të bënte më të mirën në këtë fushë. Opozita e atëhershme, për arsyet që dihen, vendosi të tërhiqet dhe nuk u bë pjesë e procesit.

Në këto kushte, në debatin publik dhe politik prevaloi diskutimi mbi konsolidimin e territorit dhe numrin e bashkive, ndërkohë që nuk u diskutua në mënyrë të qenësishme modeli i qeverisjes dhe ndarja e pushtetit në nivel qendror-vendor. Eksperiencat nga vende të tjera, na tregojnë se këto reforma kalojnë në procese iterative (ecje para-pas), deri sa të gjendet një ekuilibër social e politik. Rezultati aktual që ka prodhuar kjo reformë në Shqipëri, pas 6 vitesh aplikim, na lejon tashmë që të bëjmë një vlerësim për: Çfarë është bërë deri tani dhe çfarë duhet të behet me tej?

Pa dashur të hyj në detaje dhe lojën e shifrave, dua të them se të gjitha vlerësimet e deritanishme: si ato të pavarura dhe ato nga donatorët, dëshmojnë se reforma ka shumë “dritëhije”, dhe se ajo nuk i ka arritur objektivat për të cilat u dizajnua. Në thelb, ajo ka rritje të ndjeshme të kostos së shërbimeve (shkak korrupsioni) si dhe rritje të konsiderueshme të numrit të të punësuarve parazitare në administrate.

Për mua reforma shfaq në këtë moment katër çështje madhore që kanë nevojë të adresohen nga qeverisja dhe opozita së bashku.

1-Çeshtja e përfaqësimit – Gjatë hartimit të reformës u punua nga ekspertët për të identifikuar një “set kriteresh”, mbi bazën e të cilave do të kryhej Reforma e Territorit. Në mungesë të një balance politike (për shkak edhe të largimit të opozitës), këto kritere nuk u morën sa dhe si duhet në konsideratë. Në vend të kësaj prevaloi interesi elektoral. Ndërkohë, konsolidimi territorial, i cili atëherë ishte i nevojshëm, sot ka disbalancuar përfaqësimin e komuniteteve brenda territoreve-bashkive të mëdha dhe si rrjedhojë: … komunitetet e margjinalizuara para reformës, duket se janë më të margjinalizuara tani.

Për shembull: ka këshilla bashkiakë që kanë anëtarë vetëm nga zonat urbane, duke injoruar përfaqësimin e zonave rurale dhe sidomos zonave të thella. Sot, ka fshatra dhe territore ku nuk shkel më asnjë këshilltar bashkiak. Ky model ka fuqizuar qendrat e konsoliduara urbane, por ka shpopulluar qytetet e vogla dhe sekondare, rajonet rurale dhe sidomos zonat e thella.
Shërbimet në këto zona kane “vdekur”, dhe duhet orë për të marrë shërbimet bazike në pikat më të afërta. Në këto zona, jo rastësisht, nuk u arrit të monitorohej as numri i të vdekurve gjatë pandemisë. Prandaj, nje Komision Parlamentar, para se të shprehet për ndryshime potenciale, duhet të vizitojë më së paku disa prej këtyre zonave dhe të dialogojë me banorët atje. Aktualisht Veriu, Verilindja, dhe Juglindja e vendit, janë zbrazur.

Disa prej zonave më të thella në vend sot jetojnë në kushte gati mesjetare. Reforma i fshiu këto zona nga harta, por burimet dhe potenciali ekonomik mbeten atje. Vende të ngjashme me ne për nga përmasat dhe gjeografia nuk e kanë bërë këtë gabim. Ato ose kane hartuar politika diskriminuese pozitive, ose zbatojnë parimet e decentralizimit asimetrik në favor të këtyre zonave.

Shkurt, korrigjimi i përfaqësimit është çështje urgjente dhe duhet të garantojë në parim për çdo fshat e zonë të thellë, aksesin dhe aftësinë për vetëqeverisje denokratike vendore; infrastrukturën bazike; shërbimet bazë në arsim, shëndetësi, bujqësi; si dhe stimulimin dhe mbajtjen e të rinjve dhe sipërmarrjeve atje.

2. Çeshtja e thellimit të decentralizimit – Ndërkohë që konsolidimi i territorit dominoi diskutimin e reformës, aspekte të tjera edhe më të rëndësishme, si spektri i kompetencave, funksioneve, shërbimeve, si dhe mënyra e financimit që duhet të ketë qeverisja vendore në territor, u adresuan formalisht në letër përmes ligjit të ri për organizimin e qeverisjes vendore. Por në realitet, vendimmarrja vijon të mbetet thellësisht e centralizuar.

Në këtë kontekst ka një nevojë të dëshpëruar për restaurimin urgjent te decentralizimit dhe demokracisë dhe demokracisë lokale. Këto u arritën në Shqipëri me shumë mund, dhe falë një procesi konsensual politik parlamentar në vitet 2000 ku PD edhe pse ne opozitë dha një kontribut e mirëkuptim të madh. Kjo përvojë, për fat të keq, mbetet deri me sot një model i izoluar reformash gjithëpërfshirëse me vullnet politik pozitiv. Sugjeroj që kjo frymë të aplikohej tani përsëri, pa u nxituar që qeveria ta mbyllim çështjen brenda tre muajsh. Konsensusi dhe jo nxitimi, do të garantonte zbatueshmëri dhe jetëgjatësi të reformës, edhe në aspektin e konsolidimit të qeverisjes vendore. E kundërta do të gjenerojë vetëm konflikt.

Konkretisht, nuk mendoj se duhet të shpikim rrotën. Ekzistojnë të paktën katër studime nga grupet e ekspertizës lokale dhe ndërkombëtare, tre nga të cilat bien dakord që Shqipëria mund të organizohej mininalisht ne 80-90 njësi bashkiake, duke njohur kështu rëndësinë e rajoneve funksionale, por duke konsideruar edhe nevojën për aplikimin e parimeve të decentralizimit asimetrik.

3. Pabarazia rajonale në zhvillim – Eksperienca e deritanishme ka treguar se zonat urbane dhe periferitë e tyre të afërta rurale, të cilat kanë qenë para reformës më mirë, vijojnë të përforcojnë më mirë edhe pas reformës. Ndërsa zonat urbano-rurale me probleme historike zhvillimi, vijojnë të mbartin të njëjtat probleme, madje sot janë shumë me keq.

Kjo dëshmon se çdo diskutim i ri për reformën, në asnjë mënyrë nuk duhet të limitohet te çështja e ndryshimit të kufijve. Sot, është e qartë që në rastet e mësipërme kemi të bëjmë me probleme sistemike, të cilat nuk mund të atakohen dhe të zgjidhen nëse nuk ndryshojmë më parë modelin e qeverisjes dhe të përfaqësimit në nivel vendor dhe rajonal. Në këto kushte, sugjerimi për qeverisjen dhe opozitën, është që lajtmotivi i reformës, më shumë se sa për riorganizimin e kufijve dhe hartën elektorale, duhet të fokusohet te nevoja e rishikimit të:
i) modelit të qeverisjes dhe demokracisë lokale, ii) modelit të përfaqësimit; iii) dhe demokratizimit të jetës dhe vendit.

4. Investimet në territor dhe rajonalizimi – Në kushtet e pabarazisë rajonale që ekziston në territor, është e domosdoshme që të rivlerësohet i gjithë procesi i hartimit të politikave të zhvillimit në nivel lokal dhe rajonal, për të mundësuar që prioritetet e zhvillimit dhe përfitimet e investimeve të përcaktohen nga interesat e komuniteteve dhe jo të imponohen nga lart, siç ndodh aktualisht. Edhe Fondi i Zhvillimit të Rajoneve duhet të reformohet tërësisht, pikërisht mbi këtë parim. Ndërkohë, Ligji për Zhvillimin e Rajoneve mendoj se duhet të thellohet më tej dhe të zbatohet realisht e në mënyrë të qenësishme. Parime si ai i “partneritetit” dhe “subsidiaritetit” nuk duhet të mbeten vetëm në letër. Edhe këtu nuk ka pse shpikim rrotën. Nga katër propozimet e ekspertizës vendase dhe ndërkombëtare, dy prej tyre që e kanë trajtuar këtë temë bien dakord se vendi duhet të organizohet në 4-6 rajone. Historia e qarkut duket se ka marrë fund. Unë personalisht besoj se riorganizimi i vendit ne 80-90 bashki dhe 6 rajone do të ishte një formulë realiste në këtë fazë të zhvillimit të vendit, dhe do ta përgatiste vendin më mirë për përafrimin me dhe financimet nga BE-ja.

About Redaksia

Check Also

Berisha takohet me republikanët e Trump dhe konservatorët britanikë

Partia Demokratike forcon bashkëpunimin me Republikanët amerikanë dhe konservatorët britanikë për zgjedhjet e 11 majit …

Leave a Reply