Luftëtari guximtar, vrasësi i osmanëve, mbreti ngadhënjimtar me sytë e zjarrtë, hundën romake dhe mjekrën e dendur dhe të derdhur, prej kohësh ka qenë prezent në trajtën e monumentit në rrugët dhe sheshet e Shqipërisë.
Tashmë heroi kombëtar, Skënderbeu do të lëshojë një hije edhe ca më të rëndë në kryeqytet dhe imazhi i tij do të ekspozohet si asnjëherë më parë në një bllok apartamentesh dhe dyqanesh 85 metra të lartë, në qendër të Tiranës.
Kjo ndërtesë, e projektuar në formën e kokës së heroit, do të ngrihet si një kullë e bardhë amorfe e rrethuar me ballkone që valëzohen për të krijuar një përafrim të tipareve të Skënderbeut, duke e ngulitur profilin e tij në beton dhe xham.
Banorët e rinj të kësaj stukture gjigande do të jenë në gjendje të vështrojnë panoramën nga sytë e luftëtarit, të pushojnë në veshët e tij ose të darkojnë në afreskun e vendosur në fund të hundës së Skëndërbeut.
Ngrehina surreale është vepër e arkitektëve holandezë të studios MVRDV, të cilët janë të njohur për ngritjen e strukturave të tilla, që ata preferojnë t’i quajnë projekte skulpturore figurative.
Treshja e arkitektëve është përgjegjëse për krijimin e katastrofës që mban emrin Marble Arch Mound, ose kodra artificiale e harkut të mermerit në Londër, e cila nga shumë është konsideruar si një krijesë vizatimore e blerë lirë në pazar.
Më herët, arkitektët kanë projektuar një muze në formën e flluskave gjigante, një depo ruajtjeje arti në formën e një tasi sallate dhe një kompleks apartamentesh të ngjeshura bashkë për të formuar fjalën HOME.
E megjithatë, ata duket se i kanë ruajtur metaforat e tyre ‘artistike’ më banale për Ballkanin. E kjo përzgjedhje është bërë ndoshta jo pa qëllim, por duke supozuar se më pak nga klientët dhe kritikët e tyre do t’i shohin ndonjëherë këto ndërtesa.
Në një distancë e shkurtër nga vendi ku është planifikuar të ndërtohet koka gjigante e Skënderbeut, ngrihet një kullë tjetër e projektuar nga MVRDV, e quajtur Downtown One. Pllaka e rëndë prej 140 metrash betoni supozohej të përbante një hartë të pikseluar të Shqipërisë që dilte nga fasada e saj.
Por pas ndërtimit, forma që ka dalë në pah është aq e paqartë sa duket sikur një pjesë e kallëpit është vendosur keq duke krijuar një rrëmujë të çuditshme. Relievet e ndërtesës janë bërë në mënyrë aq kaotike sa duken si gropa të cekëta, që japin përshtypjen se ndërtesa po gërryhet para kohe.
“Qytetet në mbarë botën kanë filluar të ngjajnë shumë me njëri-tjetrin. Për këtë arsye unë inkurajoj gjithnjë ndryshimin dhe karakterin individual. Tirana të ofron mundësinë e një kanavace bosh, ku mund të krijosh duke ruajtur karakterin dhe ndjenjën e këtij vendi.”, thotë Winy Maas, një nga partnerët themelues të firmës holandeze të arkitekturës.
Shumica e banorëve vendas nuk janë fare të sigurt për ndjenjën e vendit që ka krijuar Maas, apo shumë nga arkitektët e tjerë ndërkombëtarë që kanë ardhur për të riformuar qytetin. Deri më tani një grusht kullash janë duke u vendosur rreth sheshit qendror Skënderbej të Tiranës, me katër tashmë të përfunduara dhe të paktën gjashtë të tjera në proces.
Kjo stuatë nuk është kaluar në heshtje. Shpesh ka pasur protesta të zëshme kundër shkatërrimit të vilave të epokës otomane për t’i hapur rrugë ndërtimeve të larta. Kritikët ankohen se me këtë ritëm po humbet trashëgimia dhe po rriten çmimet e apartamenteve, ndërsa nuk kanë munguar edhe akuzat se projektet po përdoren si skema të pastrimit të parave nga krimi i organizuar.
Dy vila historike u shkatërruan për t’i hapur rrugë kullës së Skënderbeut në maj të vitit 2020, kur qyteti ishte në lockdown prej pandemisë. Në këtë kohë edhe Teatri Kombëtar i qytetit, që datonte nga vitet 1930, u shkatërrua gjithashtu për t’i hapur rrugë një projekti të arkitektit danez Bjarke Ingels.
“E ardhmja e Tiranës do të jetë plot me rrokaqiej”, thotë Vincent WJ van Gerven Oei, një shkrimtar holandez që ka jetuar në Tiranë për 12 vitet e fundit dhe ka ndjekur nga afër zhvillimin e qytetit.
“Më pëlqëjnë punimet e MVRDV-së, gjërat që ndërtojnë në Holandë janë ndër ndërtesat e mia të preferuara, por në Shqipëri kanë bërë vetëm marrëzira. Ata mendojnë së dizajni i shëmtuar që u japin ndërtesave do të shpëtojë nga kritika vetëm sepse përdorin motivet nacionaliste.”
Gjatë një prezantimi në vitin 2018, Maas foli pikërisht mbi simbolikën e hapur nacionaliste të projektimit të një ndërtese në formën e hartës së vendit.
“Kam pasur një diskutim me disa nga politikanët europianë për këtë,” tha ai. “I pyeta nëse mund të bëhet kjo. Mendoj që Shqipëria ka nevojë për këto elemente, për t’u dukur edhe më e hijshme.
Teksa vërtitej në skenë si një fëmijë hiperaktiv, Maas rapsodizonte në atë kohë lidhjen e tij të dashurisë me Shqipërinë. Ai e përshkroi vendin tonë si “një shtet pa para, ku vetëm konsumohet kafe dhe ku nuk ka asgjë për të bërë”- fleta e përsosur bosh për idetë e tij të çuditshme- “si një mini-Kinë që ofron mundësi të bollshme për arkitektët”.
“Sipërmarrësit e ndërtimeve urbane po pasurohen,” vijoi të thoshte Maas i emocionuar, por pa përmendur se nga mund të vinin paratë për të ndërtuar vizione të tilla marramendëse, duke pasur parasysh ekonominë e varfër të vendit. Një raport i vitit 2020 nga Iniciativa Globale kundër Krimit të Organizuar vuri në dukje se industria shqiptare e ndërtimit ishte bërë një pikë e nxehtë ku bandat kriminale ndërkombëtare pastronin paratë, kryesisht nga trafiku i drogës. Ky raport vlerësoi se 1.6 miliardë euro “para të pista” ishin pastruar përmes sektorit shqiptar të pasurive të paluajtshme në tre vitet e mëparshme, ku 60% i financimit të projekteve vinin nga burime të paligjshme.
Vitin e shkuar, prokurorët e antimafias në Itali zbuluan se grupi kriminal i Ndranghetës kishte pikasur zhvillimet e ndodhura në Tiranë si një mundësi kryesore për pastrimin e parave të tyre. Në një nga përgjimet e publikuara, dy persona të arrestuar diskutonin për një ndërtues pronash në Shqipëri, i cili kishte tre leje ndërtimi për ndërtesa me vlerë 180 milionë euro, por kishte vetëm 10 milionë euro në dorë.
“Rrokaqiejt e reja do të shiten për 3000-4000 euro/ metri katror”, thoshte një nga të dyshuarit. “Dhe a e dini se sa kushton ndërtimi? Vetëm 510 €.”
Arkitektët e MVRDV-së deklarojnë se, në përputhje me ligjin holandez, ata kryejnë kontrolle për klientët e tyre duke përdorur një kompani tjetër, palë e tretë, që skanon për aktivitet kriminal, dhe nuk ka hasur asnjë rast të përdorimit të fondevë të paligjshme.
Një zëdhënës i bashkisë të Tiranës u shpreh për The Guardian: “Detyra e bashkisë është të sigurojë që të respektohen planet e ndërtimit, estetika, rregullat e arkitekturës dhe planet e lëvizshmërisë. Ne e kuptojmë se jetojmë në një mjedis politik toksik në Ballkan dhe u kemi kërkuar vazhdimisht liderëve të opozitës të tregojnë cila nga këto kulla është e dyshuar për një aktivitet kriminal? Deri më sot nuk kemi asnjë përgjigje dhe nuk ka pasur asnjë pretendim zyrtar në prokurorinë e Tiranës”.
Riformësimi radikal i kryeqytetit shqiptar gjatë dy dekadave të fundit mund t’i atribuohet kryesisht Edi Ramës, i cili shërbeu si kryetar bashkie nga viti 2000-2011, ndërkohë që nga viti 2013 mban postin e kryeministrit të vendit.
Rama ishte një basketbollist profesionist dhe artist në vitet 1990, i cili pasi jetoi disa vite jashtë u kthye në Shqipëri dhe u pozicionuar si ministër i Kulturës në vitin 1998. Me t’u bërë kryetar bashkie i Tiranës ai nisi një operacion radikal në riformësimin e qytetit. Rama u bë i njohur shpejt për politikat e tij të lyerjes së ndërtesave me ngjyra të ndezura, kinse për të gjallëruar qytetin, krijimin e korsive për biçikleta dhe mbajtjen e konkurseve ndërkombëtare arkitekturore.
Një nga projektet e para që studioja arkitekturore MVRDV mori nën sundimin e Ramës ishte qendra tregtare Toptani në vitin 2005, e cila u konceptua si një masë e zbrazur e mbuluar me ekrane gjigante reklamash. Pasi fitoi konkursin, arkitekti Maas nuk mori më lajme për ndërtesën deri kur kuptoi se qendra tregtare ishte ishte ndërtuar nga persona të tjerë, dhe gjatë procesit ishte holluar në mënyrë drastike. Fasada dixhitale ishte këmbyer me panele standarde të veshjes gri, ndërsa vizioni i tij ishte transformuar në një qendër të zakonshme tregtare.
“Shpesh projektet në Shqipëri realizohen në formë krejtësisht tjetër nga synimi fillestar i arkitektëve”, thotë filologu Van Gerven Oei. “Në skicën digjitale gjithçka ngjan shumë bukur dhe inovatore, por në realitet kompanitë shqiptare të ndërtimit duan të bëjnë gjithçka kollaj, sa më shpejt dhe me çmimin më të ulët të mundshëm.”
Për të mos u dekurajuar nga qendra tregtare që i përngjante monstrës së Frankenstein-it, MVRDV vazhdoi të kërkonte ‘punë’ në Shqipëri. Përpara se të merrnin në dorëzim Downton One kjo studio u përball me një sërë projektesh të parealizuara, ku vlen të përmendet blloku kolosal i apartamenteve, i quajtur Tirana Rocks, të planifikuara për t’u ndërtuara në një zonë buzë liqenit artificial në vitin 2008.
Maas shpjegon se Downtown One u mendua fillimisht si një ndërtesë tre-dimensionale në formën e Shqipërisë, por rezultoi shumë e shtrenjtë, kështu që ata vendosën të bënë formën e hartës në një kullë të thjeshtë drejtkëndore. Në 2018, MVRDV-ja u caktua, pa konkurs publik, si studioja që do të transformonte Piramidën e Tiranës në një qendër teknologjike.
Ndërkohë sa i takon kullës së Skënderbeut, Maas kujton se ideja i erdhi pasi dëgjoi kryeministrin që të thoshte se donte të krijonte diçka historike.
E megjithatë, gjykuar edhe nga dështimet e vazhdueshme të punëve të mëparshme, ndërtesa ka më shumë gjasa që t’i ngjajë kokës së artistit të kthyer politikan, i cili do të qëndrojë duke vështruar në përjetësi përbindëshat e betonit që errësojnë Tiranën.