Kryetari i Lëvizjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku, ka refuzuar sërish takimin me Presidentin e Republikës së Shqipërisë, Bajram Begaj.
Kjo, sipas Abdixhikut ka ardhur për faktin se kreu i shtetit shqiptar duhet të shkonte në selinë e tij, dhe jo në selinë e Kuvendit.
Begaj po viziton për të parën herë Kosovën si president i vendit.
Gjatë kësaj dite ai është takuar me drejtues të opozitës parlamentare shqiptare dhe përfaqësues të partive minoritare.
Presidenti Begaj nënvizoi se mbështet plotësisht të drejtën legjitime të Kosovës për shtrirjen e autoritetit dhe vendosjen e sundimit të ligjit në veri të vendit, në bashkëpunim me SHBA-të dhe BE-në.
“Dialogu me Serbinë është e vetmja mënyrë që të bëhet e qartë se realiteti i Kosovës së pavarur është i pakthyeshëm dhe i pandryshueshëm”, tha ai.
Kreu i shtetit nënvizoi si shumë të rëndësishëm dialogun dhe qëndrimin e përbashkët mes të gjithë faktorëve politikë në Kosovë për sfidat madhore me të cilat përballet vendi.
Për presidentin Begaj, bashkëpunimi ndërparlamentar dhe ndërinstitucional mes Shqipërisë dhe Kosovës duhet të vijohet me punë intensive dhe të matshme për zbatimin e të gjitha marrëveshjeve dypalëshe si dhe shtimin e bashkëpunimit në fushën e sigurisë, sidomos në atë ushqimore dhe energjetike.
Drejtuesit e partive opozitare vlerësuan mbështetjen e Shqipërisë në rrugëtimin e Kosovës sikundër edhe vendimin e një dite më parë për furnizimin me energji elektrike.
Pas takimit me krerët e partive politike, Bajram Begaj zhvilloi një vizitë në bazën e NATO-s në Kosovë, ku dhe është takuar me komandantin e KFOR-it.
Kujtojmë se një ditë më parë, Begaj takoi homologen e tij kosovare, Vjosa Osmani.
“Dy dialekte dhe një gjuhë, dy republika dhe një komb. Kjo është harta jonë me destinacion Brukselin”, deklaroi ai në konferencën e përbashkët.