Nga Luçiano BOÇI
Kam lexuar qindra komente e reagime qytetarësh në këto orë tronditëse për vendin, ku krimi ka goditur kudo dhe ka lënë pas disa viktima.
Ata kërkojnë përgjigje se ku e gjejnë fuqinë dhe kurajon këta individë të godasin kaq hapur dhe të terrorizojnë qytetarët dhe qytetet tona!?
Pyesin dhe kërkojnë përgjigje se përse shoqëria jonë ka humbur ekuilibrat socialë e psikologjikë dhe është kriminalizuar në çdo qelizë.
Përballë kësaj tronditjeje reale të qytetarëve, të cilët i shqetëson rënia e sigurisë publike në vend, do të duhet të kishim një qeveri të përgjegjshme!
Por si një përgjigje të qartë, për çdo interes qytetar, se ku e gjen fuqinë krimi dhe grupet kriminale të poshtërojnë në mënyrë të tillë shtetin, mjafton të shohësh tre angazhimet kryesore të qeverisë dhe kryeministrit sot që flasim.
E para lidhet me legalizimin e kanabisit mjekësor. Një nismë që qartësisht ka për qëllim të shndërrojë Shqipërinë në një hapësirë të lirë për të gjithë grupet kriminale, për të kultivuar kanabis të qetë dhe nën mbrojtjen e shtetit.
E dyta lidhet me amnistinë fiskale. Një nismë që synon të legalizojë dhe të fusë në ekonominë shqiptare paratë e botës së errët të krimit nga çdo vend i botës.
Nismë që nxiti kryeministrin të dërgonte edhe numrin 2 të Partisë Socialiste në Londër, për t’i garantuar përfaqësuesit e botës së krimit se paratë e tyre do të jenë të paprekshme në Shqipëri.
E treta lidhet me pasaportat e arta. Një nismë që do të liberalizojë dhënien e pasaportave dhe nënshtetësisë shqiptare për këdo, duke siguruar një portë hyrëse në Shqipëri të bosëve të drogës që të investojnë dhe zhvillojnë bizneset e tyre nën mbrojtjen dhe njohjen e shtetit shqiptar!
Mjafton të lexojmë sjelljet e kryeministrit dhe qeverisë shqiptare që është vënë e gjitha në shërbim të krimit, për të kuptuar se ku buron ky guxim i bandave në Shqipëri.