Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha bëri publik një denoncim që i ka mbërritur. Ai u shpreh se, Rama është në përgjime të vendeve të Beneluksit. Po ashtu Berisha tha se të gjitha masat që janë marrë ndaj Gentian Sharrës dhe çdo konfiskim është hequr. Berisha shtoi se i kanë bërë të ditur se, Gentian Sharra vijon me aktivitetet e tij në prokurimet publike. Sipas Berishës, për heqjen e të gjitha masave ndaj Gentianit, ka gisht Taulant Sharra.
“Përgjimet janë një realitet. Unë kam kërkuar, ju e keni parë në parlament, kam kërkuar ratifikimin e marrëveshjes për ekstradimin me vendet e Beneluksit. Atë e ka bllokuar Rama në ministrinë e Drejtësisë. E sigurtë është që telefonatat me atë lloj telefoni, që Rama dhe të tjerë i besonin se janë të papërgjueshme, ato po deshifrohen me pasion të madh, përgjegjësi të plotë nga grupe të përbashkëta të disa vendeve evropiane.
A është Rama aty? 100%, prandaj dhe Rama po pengon marrëveshjen e ekstradimit. Tani për cilat përgjime e ka Ilir Meta, e ka fjalën për këto apo të bandës së Elbasanit, ku Taulant Sharra, është personazh kryesor. Unë dua të informoj publikun se të gjitha masat e marra ndaj Gentian Sharrës, mikut me kokë të Taulant Sharrës, janë hequr. Çdo konfiskim është hequr. Është rikthyer shtëpia e çdo gjë tjetër.
Madje Gentian Sharra, vazhdon aktivitetin në prokurimet publike që e ka pasion. Burimet flasin se ka ndërhyrje direkte nga Taulant Sharra në këto afera. Të habitesh se Rama është i regjistruar duke folur me grupe kriminale, është shaka. Padiskutim që është regjistruar”, tha Berisha.