Duhet dënim penal për përdorimin e simboleve të komunizmit!

Nga Oerd BYLYKBASHI

Mbrëmë, në errësirën e festivalit ‘Sunny Hill’ organizatorët fyen Flamurin dhe Himnin Kombëtar. Dje, nën tingujt e himnit ‘Rreth Flamurit të Përbashkuar’, u shfaq si flamur ‘përbashkues’ flamurin e shtetit komunist, me yllin mbi shqiponjë. Atë flamur të urryer ne e hodhëm poshtë kur ra shteti komunist.

Indinjata dhe reagimi tek njerëzit e thjeshtë ishte i drejtë. Sepse ky është një TURP i konsumuar botërisht. Vetëm organizatorët heshtin, sepse, përtej çdo parodizmi të himnit, të kryer nën fasadën e lirisë artistike, mesa duket qëllimi ishte pikërisht provokimi dhe fyerja.

Shumë prej atyre ata që e panë atë shfaqje turpi, kanë kujtimet e familjes të vrarë, të zhdukur, të burgosur, internuar apo dëbuar, familjarë që nuk studiuan dot apo u poshtëruan me punë të rënda.

Por nuk duhet vetëm të kesh në familje dikë që vuajti nën komunizëm. Mbrëmë u fye kushdo që ka ndërgjegje të pastër, të shëndoshë, që beson tek parimet dhe të drejtat e njeriut e që refuzon shkeljen e atyre parimeve dhe të drejtave nga shteti kriminal komunist që simbol kishte yllin mbi shqiponjë që u shfaq mbrëmë në Sunny Hill Festival.

Sot nuk mund të thuash fjalë që fyejnë grupe raciale apo të margjinalizuara. Por mund të shkelësh qëllimisht dhe pa u ndëshkuar mbi dhimbjen që ka lënë në ndërgjegjen e kombit komunizmi. Kjo nuk ka ku të rrijë!

Nëse pranojmë këtë fyerje, ne mbetemi një shoqëri e ndarë keq, ku ata që kryen krime apo ata që i trashëgojnë ata, mund të fyejnë me cinizëm të hapur viktimat e komunizmit, kujtimet e dhimbshme dhe ndërgjegjen e një shoqërie që 32 vite më parë rrëzoi komunizmin edhe duke hequr simbolet e tij.

Përdorimi tinzar apo i hapur i tyre jo vetëm fyen. Ai ndërton një shtrat që justifikon një mënyrë sjelljeje ku i gjithë pushteti grumbullohet në duart e një njeriu siç po ndodh. Është shtrat i deformimit në sytë tanë, përditë e nga pak të asaj që kur lindi e quajtëm Demokraci, por sot duket si një hibrid i deformuar.

Përdorimi tinëzar apo i hapur i tyre jo vetëm fyen. Ai ndërton një shtrat që justifikon një mënyrë sjelljeje ku i gjithë pushteti grumbullohet në duart e një njeriu siç po ndodh.

Ndaj duhet reaguar ashpër, jo thjesht me indinjatë apo përbuzje. Reagimet ironizuese apo shpërfillëse janë njësoj sikur të mos reagosh. Ndoshta qëllimi i tyre ishte tërheqja e vëmendjes nga skandalet, por ka raste që duhet të ndalesh e të reagosh, përndryshe këta tinzarë kaluan edhe një here tjetër.

Neni 14 i Kushtetutës përcakton qartë:

[…]
  1. Flamuri kombëtar është i kuq me një shqiponjë të zezë dykrenore në mes.
  2. Stema e Republikës së Shqipërisë paraqet një shqyt me fushë të kuqe me një shqiponjë të zezë dykrenore në mes. Në krye të shqytit, me ngjyrë të artë, është vendosur përkrenarja e Skënderbeut.
  3. Himni kombëtar është ‘Rreth Flamurit të Përbashkuar’.
[…]
  1. Forma dhe përmasat e simboleve kombëtare, përmbajtja e tekstit të himnit kombëtar, si dhe përdorimi i tyre rregullohen me ligj

 

Ka një arsye madhore pse Flamurin dhe simbolet e Republikës i mbrojmë me Kushtetutë dhe ligj. Ato janë simbolet e të gjithëve. Simbolet janë pjesë e identitetit tonë dhe komunizmi është antiteza e këtij identiteti. Fama artistike e dikujt nuk bën dot hije mbi fyerjen e simboleve kombëtare e as mund të justifikojë këtë. Për simbolet janë bërë luftëra, madje edhe luftëra civile. Nëse ato simbole do vazhdonin të valëviteshin pas 1991, pranvera e atij viti do të ishte njësoj si në Bukureshtin e Timishoarën e vitit 1989.

Ndaj Kodi Penal përcakton se: […] Poshtërimi botërisht i flamurit ose i himnit kombëtar, gjatë zhvillimit të një veprimtarie të organizuar nga autoritetet shtetërore, përbën kundërvajtje penale dhe dënohet me gjobë ose me burgim gjer në tre muaj. (neni 268).

Nuk ishte aktivitet zyrtar do të nxitojnë të thonë disa, por organizohej nga Bashkia Tiranë! Por aty u shpalos një simbol fyes për shumë nga ata që u gjendën aty apo që e panë më pas dhe me vargjet e himnit kombëtar iu kërkua të përbashkoheshin rreth atij simboli të urryer që është flamuri komunist. U fye Flamuri Kombëtar, u fye Himni Kombëtar. Në thelb, vepra penale u konsumua.

Nuk u hodh në tokë, nuk u gris Flamuri apo u shtrembërua teksti apo muzika e himnit.

U përdor një simbol i komunizmit që fyen qindra mijëra shqiptarë, përpjekjen tonë për demokraci dhe ikje nga ajo trashëgimi e errët që përfaqëson ai flamur që u shfaq mbrëmë.

Sot ne nuk kemi asnjë nen në Kod Penal që të dënojë përdorimin e simboleve të urryera të komunizmit. Në Gjermani e disa shtete të tjera, përdorimi i simboleve të shtetit komunist që u rrëzua, dënohet penalisht.

Dënohet pikërisht që të mos përsëritet fyerja që ndodhi mbrëmë në Sunny Hill Festival, e që ka filluar e vazhdon të ndodhë që me ardhjen në pushtet të Edi Ramës, për ditë nga pak, por tinëzarisht e cinikisht.

Propozimet për gjoba administrative nuk mjaftojnë.

Kjo atyre u bën fresk. Duhet dënim i posaçëm në Kodin Penal, që askush të mos guxojë të fyejë sërish shoqërinë, kombin dhe simbolet e tij duke përdorur simbolet e komunizmit, njollës më të zezë të historisë tonë.

About Redaksia

Check Also

Përse Eni?!

Ina GRILLO Gazetarja Eni Vasili ka postuar nje status te gjate ku ka kundershtuar letren …

Leave a Reply