Në diversitet mendimi, por të bashkuar në veprim!

Nga Bujar LESKAJ

Vjeshta e këtij viti do të jetë një vjeshtë e nxehtë. Partia Demokratike, si shpresë për demokratët dhe qytetarët shqiptarë, duhet të jetë e gatshme dhe e përgatitur për një aksion të fortë opozitar, brenda Parlamentit, por edhe jashtë tij, në rrugë e sheshe, me protesta e organizime demokratike kundër sektit Rama.

Për këtë arsye PD duhet që brenda Kuvendit të Shqipërisë të kërkojë dhe të insistojë me forcë rikthimin në axhendën e ditës për prioritetet absolute të PD në këtë vit:

– krijimin dhe funksionimin e Komisionit Hetimor Parlamentar për grabitjen e zgjedhjeve të 25 prillit 2021;

– Reforma Zgjedhore;

– ReformaTerritoriale, si edhe:

– denoncimi integral i të gjitha aferave korruptive të sektit Rama.

1- Të gjithë deputetët e PD, pavarësisht qëndrimeve që mund të kenë për momentin, duhet të insistojnë dhe rikërkojnë krijimin dhe funksionimin e Komisionit Hetimor Parlamentar për grabitjen e zgjedhjeve të 25 prillit 2021!

Në 25 prill 2021, padrejtësisht, shqiptarëve iu mohua ndryshimi, e ardhmja, perspektiva europiane nga ata, të cilët me prishjen e marrëveshjes së 5 qershorit, me ndryshimet e njëanshme të Kushtetutës dhe shkeljen e të gjitha principeve morale e ligjore, me blerjen masive të votave, shpërdorimin e fondeve publike para dhe gjatë zgjedhjeve, prokurimet publike, punësimet tremujore, premtimet për legalizime të banesave e njësive tregtare që prishin sot, shantazhimin e qytetarëve shqiptarë, nëpërmjet sistemit të patronazhistëve, kryen një masakër të vërtetë zgjedhore, duke deformuar votën dhe vullnetin e lirë të shqiptarëve.

2- Komisioni i Posaçëm për Reformën Administrativo- Territoriale dhe organizimi i tryezave të punës në mbarë vendin.

Qëllimi i vërtetë i Ramës në vitin 2015 nuk ishte vetëqeverisja vendore, por, krijimi i zonave elektorale, ashtu siç i interesonte atij. Pasi për Ramën dhe sektin e tij, çdo vendim është përfitim monetar dhe kalkulim votash, dhe normalisht qytetarët nuk llogariten fare.

Reforma Territoriale duhet të jetë një nga prioritetet e PD. Për ta çuar shërbimin pranë qytetarit, për t’i dhënë atij mundësinë të zgjedhë përfaqësuesit e vet.

Ndaj PD duhet të kryejë tryeza në të gjitha qytetet e Shqipërisë duke ftuar të gjithë ekspertët, ish- funksionarët e lartë vendorë që të bashkohen me PD, të japin kontributin e tyre në këtë proces shumë të rëndësishëm.

  1. Reforma zgjedhore

Reforma zgjedhore për PD është një tregues i rëndësishëm për forcimin e demokracisë funksionale në Shqipëri dhe një nga kushtet për ecurinë e mëtejshme të Shqipërisë në procesin e integrimit europian.

Nëpërmjet Reformës Zgjedhore Shqipërisë duhet t’i kthehet legjitimiteti dhe demokracia, autonomia dhe eficienca e pushtetit vendor në shërbim të qytetarëve.

4- Denoncimet integrale të gjitha skandaleve dhe aferave korruptive të sektit Rama, të cilat herë shfaqen hapur e herë si maja e ajsbergut.

Dhe denoncimet duhen kryer integralisht për të gjitha skandalet, tenderat sekretë e pa konkurim, grabitjen e pasurisë publike e private, PPP, skandalet e ARRSH, krizën energjitike, vendosja e pasurive publike dhe goditja e qytetarit në funksion të oligracisë në vend, etj.

Po brenda PD cfarë duhet bërë ?!

Të gjithë deputetët e PD të jenë bashkë dhe pa rrjedhje votash. Çdo votë për nismat ligjvënëse të Ramës, me përjashtim të Komisionit Hetimor, Reformës Zgjedhore dhe asaj Territoriale, vetëm sa shton agoninë e shqiptarëve dhe i zgjat jetën Ramës dhe sektit të tij në pushtet.

Deputetët duhet të kuptojnë se çdo votë për nismat e Ramës i jep oksigjen një regjimi që ka vënë përfund Shqipërinë e shqiptarët.

PD duhet të jetë e bashkuar, duke njohur fraksionet dhe lirinë e fjalës e të mendimit ndryshe përballë këtij sekti, që ka 9 vite në pushtet. Por edhe nëse nuk bashkohet momentalisht PD dhe pjesa tjetër e PD duhet të bashkëpunojnë në kuadër të një Fronti së bashku me Partinë e Lirisë dhe partitë e tjera opozitare dhe vecanërisht me shoqërinë civile kundër Ramës dhe për të gjitha çështjet e tjera në interes të Shqipërisë dhe shqiptarëve.

Partia Demokratike duhet të shkojë në bazë, te demokratët e thjeshtë, në mënyrë që aksioni opozitar të ketë kuptim dhe forcë, duke iu ringjallur shpresën demokratëve dhe shqiptarëve.

Jashtë Kuvendit, PD ka nevojë për një analizë të thellë, kapilare e vertikale, duke shmangur gjuhën fyese, denigruese ndërmjet dhe ndaj deputetëve të saj në shtypin e shkruar, mediet vizive apo portale, analizë, e cila duhet të jetësohet që javën e parë të shtatorit e përgjatë tij.

Duhet kuptuar që duke thirrur për bashkimin dhe duke punuar për përçarjen, PD dhe demokracia në Shqipëri dëmtohet realisht. Kemi mbi një vit të përçarë e me probleme të brendshme dhe nga kjo situatë vetëm Rama dhe sekti i tij kanë përfituar.

Kjo analizë duhet të vlerësojë realisht të gjithë ata demokratë, që punuan në zgjedhjet e 25 prillit, kontributorët ndër vite, themeluesit e PD 1990, 1991, 1992, të gjithë ata që e ringritën në vitin e mbrapshtë 1997, që e risollën në pushtet në 2005, por edhe të gjithë ata demokratë, të cilët u larguan dhe iu ribashkuan PD në këta muaj kaq të vështirë, apo edhe ata deputetë që kanë mbajtur e mbajnë qëndrime ndryshe për problemet koherente.

Askush nuk është i tepërt në PD dhe askush nuk ka të drejtë të largojë demokratët, drejtues, ish-drejtues dhe deputetë të PD.

About Redaksia

Check Also

Guxim për të fituar

Nga Oerd BYLYKBASHI Më 11 dhjetor 2021, në Kuvendin madhështor të Partisë Demokratike sanksionuam për …

Leave a Reply

Your email address will not be published.